DITA E SHKOLLËS – 1 QERSHORI
Nxënëse dhe nxënës të dashur! Mësues dhe mësuese të nderuara! Të nderuar bashkëfshatarë! Të nderuar ju nxënës të parë të Mësuesit Jetish!
1 Qershori është datë e rëndësishme për popullin e Vërbanit dhe për rajonin tonë. Hapja e shkollës së parë shqipe ishte ngjarje historike në vitin e largët 1943. Biri i këtij fshati, Jetish Vishi, ishte themeluesi dhe mësuesi i parë i kësaj shkolle. Në këtë mision fisnik mësuesi Jetish nuk ishte vetëm. Ai pati përkrahjen e bashkëfshatarëve të tij të etur për të mësuar shkrim – lexim dhe për dije e përparim.
Me thënë të drejtën, në bindjen time, në këtë ditë të veçantë fjalën do të duhejë ta kishte shkolla: mësuesit, arsimtarët dhe nxënësit e saj. Në Ditën e Shkollës më me dëshirë do të kisha dëgjuar për arritjet e shkollës, për cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënjes, për marrëdhënien nxënës – mësues dhe mësues – prind, për marrëdhëniet e shkollës me Drejtorinë komunale të arsimit, për dobësit dhe problemet që ka shkolla jonë, etj. Do të doja të dëgjoja edhe për ndikimin dhe rolin e shkollës në jetën e fshatit përgjithësisht dhe në jetën kulturore posaçërisht. Sot, në vend të meje, do të kisha parapëlqyer të dëgjoja nxënësit dhe mësuesit duke lexuar eset, tregimet dhe hartimet e tyre për shkollën e parë shqipe, për mësuesin e saj dhe për shkollën sot e nesër.
80 vite pas themelimit të Shkollës së Parë shqipe mund të themi me siguri të plotë se fshati ynë ka njohur një zhvillim dhe përparim të paparë në shekujt e kaluar. Sot, Vërbani ka me qindra banorë me shkolla të mesme dhe me diploma universitare. Nuk janë të pakët edhe ata që merren me shkrime dhe krijimtari të zhanreve të ndryshme. Por, kjo armatë e të shkolluarve do të ishte me interes të organizohejë më mirë dhe ta gjallëronte jetën kulturore dhe artistike në fshat… Natyrisht, duke bashkëpunuar ngushtë me shkollën tonë. Me pak vullnet dhe bashkëpunim këta bashkëfshatarë të shkolluar dhe me talentë për shkrime e publicistikë do të mund të organizonin takime e tryeza për të kaluarën e fshatit tonë, për trashëgimin historike, kulturore e patriotike, por edhe për gjuhën, letërsinë, artin e kulturën sot, sepse bota rreth nesh ka ndryshuar dhe është zhvilluar me një dinamikë të panjohur më parë. Nëse të tjerët ecin, ne duhet të vrapojmë. Potenciali intelktual dhe ekonomik që ka sot fshati ynë do të duhejë të ishte më i shfrytëzueshëm për emancipim dhe përparim edhe më të fuqishëm. Rinia jonë këtu dhe kudo tjetër duhet të edukohet nga shkolla jonë edhe me atdhedashuri. Një rini që e do vendlindjen dhe Atdheun di edhe t’i dal zot dhe ta mbrojë në rast nevoje. Jetojmë në një botë të mbushur me mosmarrëveshje, dhunë, konflikte e luftëra. Jetojmë në një kohë kur edhe vendi ynë po kërcënohet e shantazhohet nga pushtuesit e deridjeshëm dhe miqtë e tij historikë. Prandaj, nuk do të duhejë të përkundemi në iluzione pacifiste, sepse, siç thotë populli ynë: Uji fle, armiku nuk fle!
Të nderuar të pranishëm!
Meqë, dola se dola para jush, po i them edhe dy-tri ide, propozime a sugjerime. E para, mendoj që objekti i Shkollës së Parë Shqipe, si trashëgimia më me vlerë e këtij fshati, të rindërtohet dhe të bëhet muze i fshatit tonë. Them që ua kemi borgj të parëve tanë, por edhe brezave që vijnë. Fshatit me këtë potencial intelektual nuk i falet indiferenca dhe heshtja para atyre që nëpërkëmbin e dhunojnë trashëgiminë kulturore e historike të fshatit, siç ishte shkolla e parë shqipe. Nuk mund t’u falet sidomos organeve komunale dhe institucioneve të Republikës. E dyta, mendoj që 24 vite pas çlirimit nga pushtimi jugoserb ka ardhur koha që para shkollës të vendoset busti i mësuesit të saj të parë. Jetish Vishi kishte lindur në lagjen Vishi, por ishte bir i denj dhe mësues i kësaj shkolle dhe i këtij fshati. Me veprimtarinë e tij patriotike dhe me përkushtimin e tij për hapjen e shkollave shqipe në trojet e pushtuara shqiptare Ai i kaloi kufijtë e fshatit e të rajonit të tij dhe fitoi epitetin e Mësuesit të Popullit. Fjalët nuk mbarojnë kurrë, por, siç e thashë në fillim të kësaj fjale, sot është Dita e nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle, prandaj nuk po zgjatem më shumë.
I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për Mësuesin e Parë të Shkollës Shqipe në Vërban dhe për të gjithë ata që kontribuan që Vërbani të jetë ndër fshatrat pishtare të shkollës shqipe! Në jetë të jetëve nderim dhe lavdi Dëshmorëve të Shkollës dhe Gjuhë shqipe! Lavdi Dëshmorëve të Atdheut! Ta gëzojmë për jetë e mot Ditën e Shkollës sonë! Gëzuar! Ju falemnderit!
add a comment