MJAFT ME AKSIONE “PËR VOTA FETARE”!
Shkarkimi i zëvendësministrit Arbër Vokrri dhe distancimi nga qëndrimet e tij është imperativ i kësaj Qeverie…
Shumë gjatë, madje edhe sot, kam menduar dhe ende mendoj, se çfarëdo komenti dhe shkrimi rreth temave fetare veçse shtojnë kundërthëniet. Sidomos kur shkrimet dhe diskutimet rreth kësaj teme bëhen me gjuhë radikale, agresive, fyese, nënçmuese, prepotente, superiore … nga cilado palë, në ç’mënyre ushqehet radikalizmi i palës tjetër. Efekti përforcohet edhe më shumë kur ky lloj i diskutimeve bëhet nga persona publik nëpër mediumet e ndryshme.
Megjithatë, fjalimi i fundit i Zëvendësministrit të MAPL z. Arbër Vokrri, përfundimisht ma humbi qetësinë. Nuk më besohej që një përfaqësues i qeverisë për të cilën votova edhe vet, thotë se jemi “populli i vetëm me një sinjifikancë politike që mundemi me u krenu se jemi produkt i prirjes së islamit me u përhap kah perëndimi; sepse një prej misioneve të islamit është pra, që fjalën e Allahut ta çoj në çdo shtëpi dhe të jetë pishtarë i qytetërimit njerëzor, të jetë busulla morale dhe qytetrimore e krejt njerëzimit” madje shton, në këtë rrugë “mund të ketë edhe lufta”. Nuk e di nëse një gjë të tillë gjer me sot e ka thënë ndonjë prej hoxhallarëve, madje edhe atyre më ekstremist, e lere më ndonjë zyrtar i qeverisë, i cili po merr rolin e ideologut dhe strategut të islamit politik, radikal, përçarës dhe luftënxitës.
Të gjithë e dimë se në sistemin demokratik pushteti merret me vota dhe për këtë qëllim në hapësirat e shteteve post komuniste nuk ka kurrfarë rregulle, sepse “qëllimi arsyeton mjetin”, për dallim nga shtetet me demokraci të etabluara ku ligjet kanë vendosur disa kufizime. Përjashtim nuk mund të bënte as Kosova. Në këtë garë për vota “fetare” fillimisht bënin konkurrencë me njëra tjetrën LDK me PDK, për t’u zgjeruar gara pastaj edhe me AAK, Nismën, AKR dhe për të përfunduar me LVV. Nëse vazhdon kjo konkurrencë mes partive për votat e tyre, do vijë momenti kur, sipas parullës “islamistët e të gjitha partive bashkohuni” do ua marrin edhe pushtetin. Meqenëse për islamistët është më me rëndësi të jesh mysliman sesa turk, arab apo shqiptar, aq më pak me rrëndësi është se cilës parti i takon.
Në mungesë të kauzave reale kundër qeverisë aktuale, opozitarizmi është reduktuar në lajme të rreme apo gënjeshtra që opozita vet fabrikon apo mediumet dhe organizatat joqeveritare me burime të dyshimta financimi, në shpifje, keqinterpretime, shkëputje të pjesëve nga fjalimet e qeveritarëve dhe në shumë mënyra tjera. Dhe si për çudi, nuk po e shfrytëzojnë një rast real, sikur ky i fundit, pas një fjalimi skandaloz të një zëvendës ministri kundër të cilit asnjë opozitar nuk reagoi. Nuk është vështirë të “dëgjohet” kjo heshtje. Çfarëdo kritike ndaj kësaj deklarate do ishte humbje e votave “fetare”.
Derisa opozita e ka luksin të hesht, edhe pse në kundërshtim me interesat e Kosovës, këtë luks nuk e ka Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo udhëheq një shtet laik, që ka një kushtetutë demokratike, që për synim strategjik ka integrimin në BE dhe në NATO, zhvillimin ekonomik, rendin dhe ligjin dhe përqafimin e vlerave perëndimore ku edhe jetojnë 1/3 e popullit shqiptar dhe, që edhe një pjesë e konsiderueshme e rinisë e ëndërrojnë perëndimin, edhe pse ende jetojnë në trojet etnike. Kurse një pjesëtar i kësaj qeverie, mendjemadh dhe trushpërlarë, ka për mision “përhapjen e islamit në perëndim”. Me siguri edhe kushtetutën e bazuar në sheriat, të përkthyer në anglisht, frëngjisht gjermanisht … e ka bërë gati për Evropë.
Shkarkimi i këtij njeriu dhe distancimi nga qëndrimet e tij është imperativ i kësaj qeverie. Nuk mund të arsyetohet me humbje të shumicës në kuvend për shkak të mundësisë reale që edhe disa eksponent të LVV-së në shenjë hakmarrjeje të largohen nga grupi parlamentar dhe i dalin në krah opozitës. Rrëzimi i qeverisë me këtë motivacion do të hidhte hije të keqe, më shumë për opozitën sesa për pozitën. Këtë e ka treguar përvoja e rrëzimit të Qeverisë së Albin Kurtit. Me shkarkimin e këtij njeriu, LVV do humbte disa vota “fetare”, por do fitonte shumë më tepër vota “patriotike” nga partitë tjera. Prandaj, nuk duhet hezituar edhe me rrezikun e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Për t’iu shmangur kësaj konkurrence të dëmshme ndërpartiake, është më se e domosdoshme që sa më parë të ulen të gjitha partitë rreth një tryeze dhe të aprovojnë një ligj me të cilin do të definohen disa rregulla rreth “jetës fetare”, jo vetëm asaj myslimane. Sidomos të sanksionohen diskurset, jo vetëm ato publike por edhe ato brenda objekteve fetare, me të cilat sulmohen vlerat kombëtare shqiptare, përhapet mosdurimi dhe urrejtja ndaj feve tjera, propagandohen “misionet e përhapjes në perëndim apo lindje”, sulmohen të drejtat e njeriut, rregullohet e drejta e shfrytëzimit të hapësirave publike dhe atyre mediale, definohet orari dhe niveli i zhurmës akustike dhe shumë çështje tjera, pavarësisht që disa nga këto tashmë janë të sanksionuara me ligje tjera.
Udhëheqës partiak, mos e pritni realizimin e parullës “islamistët e të gjitha partive bashkohuni” – bashkohuni ju më parë, s’paku rreth kësaj teme !