Nga Viktor Malaj
Botuar në DITA
Duke e ditur sa të pavlerë janë nga pikëpamja e aftësive qeverisëse dhe sa të padenjë e të diskredituar nga pikëpamja e sjelljes politike, qytetare dhe morale, drejtuesit kryesorë të pjesës pa emër të opozitës shqiptare, kanë rrëmbyer flamurin e patriotit të rremë dhe luftëtarit të xhindosur.
Përveç guximit të pashoq për t’iu shitur popullit shqiptar si gjeneralë të luftës kundër korrupsionit, megjithëse të vetëdijshëm se ky popull i ka rrëzuar nga froni kryesisht pse ishin të korruptuar dhe, gjithashtu, mendjekthjellët se fuqitë kryesore perëndimore i kanë damkosur si të tillë me “fermanë” zyrtarë, bije në sy se këta gjeneralë, drejtuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, po bëjnë çmos të shiten si shpëtimtarë të vendit dhe popullit prej rrezikut që iu ardhka nga qeveria aktuale shqiptare.
Akuzat kundrejt qeverisjes, edhe kur janë të tepruara, mund të arsyetohen disi në një fushatë elektorale, por të hiqesh si patriot i dorës së parë dhe të akuzosh kundërshtarin politik si armik të vendit e popullit, kur e kaluara jote përgënjeshtron pretendimet e tua morale të sotme, kjo tregon se sa të dëshpëruar janë dhe sa e thellë është mungesa e besimit për fitore.
Sali Berisha, njeriu që gjithë jetën e tij politike e ka mbështetur mbi mashtrimin, shpifjen, fyerjen, kërcënimin dhe dhunimin e kundërshtarëve politikë, beson se tundja e flamurit si atdhetar dhe baltosja e kundërshtarit politik si tradhtar e armik mund t’i bëjë punë në ditët e fundit të maratonës së tij të turpshme politike.
Në një turr elektoral në Has e Tropojë, ai iu tha banorëve të asaj krahine se “14 maji hap dyert për përmbysjen e tij (Edi Ramës), si figura më e keqe e historisë tonë pas Enver Hoxhës, armiku më i egër i Veriut… Duhet t’i themi këtij vasali: mos luaj, mos guxo me çështjen e Kosovës! Larg duart! Me Kosovën s’ke punë… Rama është treguar armik me shqiptarët… E them përsëri: Tropoja dhe Veriu kanë tek Edi Rama, pas Enver Hoxhës dhe Car Dushanit, armikun më të egër, racistin më të papërmbajtur. Asnjë verior nuk mund t’i japë votë atij“.
Çfarë na rezulton nga kjo mendje, sa e ligë aq edhe e sëmurë?
Duke qenë i vetëdijshëm se, vetëm katër muaj pasi erdhi në pushtet në mars 1992, autoriteti i tij moral dhe politik ka ardhur gjithnjë në rënie dhe se sot, praktikisht dhe kryesisht është një idhull i pjesës më të pakultivuar të shoqërisë shqiptare dhe, gjeografikisht, një udhëheqës krahinor, Sali Berisha e gjen shumë të lehtë të bëjë, jo për herë të parë, gjënë më të dëmshme për vendin dhe popullin: të bëjë përdallime dhe përçarje krahinore dhe të ngjallë urrejtjen e një pjese të popullsisë kundër tjetrës.
Meqë ka lindur në një fshat të Veriut, i cili bën pjesë në Malësinë e Gjakovës, me djallëzi dhe me marifete hileqare, është përpjekur të marrë atributet e mbrojtësit të Kosovës e, pse jo, edhe të krejt Veriut të Shqipërisë. Mirëpo, veprimtaria e tij praktike mbi tridhjetë vjeçare i përgënjeshtron pretendimet e rreme, të cilat i propagandon sa herë gjendet në vështirësi për të dalë nga skena politike.
Kur po binte nga pushteti në vitin 1997 si rezultat i revoltës gjerësisht dhe thellësisht popullore kundër regjimit të tij “të gangsterëve” (sipas “The Economist”, mars 1997), Berisha i tha medias iraniane se kontrabandën e naftës me ish-Jugosllavinë gjatë viteve kur ai ishte në pushtet e kishin organizuar “kisha ortodokse dhe mafia”. Shqiptarët që kanë banuar në atë kohë nga Tirana e sipër e dinë mirë se shumicën e naftës drejt Malit të Zi e organizonte dhe drejtonte Firma “Shqiponja” e PD-së dhe karvanët e kamionëve cisterna nuk guxonte polic t’i ndalonte në rrugë.
Pohimi i mësipërm i Berishës mund të merret si i vërtetë vetëm nëse ai me fjalën “mafie” nënkupton PD-në dhe me “kishën ortodokse” identifikon ish-Kryeministrin e tij, z. Aleksander Meksi.
Këto i tha për qeverinë iraniane, se për shqiptarët kishte dhënë versionin tjetër. Kishte pohuar me përsëritje, se e lejoi kontrabandën e naftës “për të ndihmuar Kosovën meqenëse Serbia po e merrte nga burime të tjera”. Me këtë pretendim doli pasi shtetari jugosllav Bullatoviçi e bëri publike marrëveshjen e bërë në Tiranë midis tyre (Berisha-Bullatoviç). Është e njohur tashmë se nafta përfundonte në tanket serbe.
Kur erdhi puna të vendoste në peshore interesat e pushtetit të tij vetjak me ato të vendit dhe të popullit, në vitin 1997 Berisha hapi depot e armatimit duke mundësuar rënien e shumicës së armatimit të Ushtrisë Shqiptare në duart e botës së krimit dhe, nga ana tjetër, organizoi formacione paraushtarake nga Veriu për të luftuar kundër Jugut. Ai dhe pasuesit e tij haxhiqamilistë, edhe pasi Gjykata Kushtetuese e RSH e shpalli antikushtetuese Marrëveshjen e Detit me Greqinë jo vetëm vazhdojnë ta mbrojnë edhe sot, por propagandojnë se “E. Rama i ka shitur detin Greqisë”.
Mirëpo, ky i fundit nuk ka bërë asnjë marrëveshje në këtë fushë. Përkundrazi, meqë qeveria shqiptare dhe ajo greke nuk po merreshin vesh për caktimin e kufijve detarë vendosën t’i drejtohen Gjykatave Ndërkombëtare që zgjidhin mosmarrëveshje të tilla.
Në pohimin e tij të turpshëm të sipërcituar “dashi me brirë” i M. Kryemadhit, por non-grata për botën e qytetëruar, i ngul kombit thikën tjetër. Sipas tij, shqiptarët e Veriut dhe ata të Jugut iu përkasin racave të ndryshme, përderisa Rama i paska “diskriminuar” për arsye “raciste”. Duke qenë njeri dhe politikan që s’ka mësuar asgjë nga e shkuara, S. Berisha, jo për të parën herë, shpall se ish-idhulli i tij, E. Hoxha ka qenë armiku më i madh i shqiptarëve.
Si gjithnjë i harron të vërtetat përfshi edhe ato të pak viteve më parë, kur nga sondazhi i bërë nga një organizëm i BE-së rezultoi se rreth 50 për qind e shqiptarëve kishin mendim pozitiv për Hoxhën.
Krahasuar me Hoxhën rezulton se 40 vjet pas vdekjes ai vlerësohet thuajse dyfish më shumë se Sali Berisha që edhe pas 33 vjetëve është gjallë dhe aktiv në politikë. Atëherë, cili është realisht “armiku më i madh i shqiptarëve”?!
Duke u hequr çfarë nuk ka qenë kurrë, si mbrojtës i trashëgimisë ekonomike e kulturore të vendit, Saliu iu thotë durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve se “Durrësi po pëson pushtimin më të egër. Asnjë pushtues nuk ia preku portin Durrësit. Rama po plaçkit 800 mijë metër truall të durrsakëve”.
Këto i thotë politikani që iu shiti të huajve vendburimet e naftës, hidrocentralet dhe pasuri të tjera kombëtare. Ky “atdhetar” e shpall “pushtues” Kryeministrin e vendit pse ka bërë marrëveshje që të huajt të ndërtojnë një port turistik dhe një port të ri mallrash në Durrës. Sipas këtij mashtruesi profesionist, t’iu japësh hapësirë bregdetare të huajve për ndërtimin e këtyre porteve quhet “plaçkitje” pasi, po të ishte ky në pushtet nuk do t’i ndërtonte portet në bregdet, por në atmosferë.
Një nga Sanço Pançot e politikës shqiptare, nënkryetari i Partisë së Lekut, z. Agim Nesho i cili ka humbur tërësisht respektin ndaj vetvetes, në një triadë shkrimesh tek gazeta “Panorama” ngrinte alarmin për mobilizimin e shqiptarëve në mbrojtje të Kosovës dhe Shqipërisë. Nga kush? Nga Kryeministri dhe pushteti aktual i Shqipërisë. Mos u çudit po deshe!
Si njëri nga patriotët kryesorë të Akçihanes* shqiptare, z. Nesho pohonte se “Qëllimi i vetëm i Ramës është depersonalizimi i shqiptarëve...”, meqenëse, sipas tij, Rama po zbatonte një porosi të dhënë nga Nikita Hrushov në vitin 1960 për zhvillimin me përparësi të turizmit shqiptar, sepse po premton ndërtimin e stadiumeve e shkollave të futbollit, stadiumin e Formula Një si dhe po mbjell pemë aty-këtu etj.
Pasi analizon hallet e Kosovës, ish-diplomati Nesho pohon se “Me Kosovën pa Albinin e Vjosën, ata (serbët) realizojnë aspiratat e tyre për Ballkanin e Hapur dhe ngritjen e një projekti anti-evropian në zemër të Evropës… Autokratët Rama dhe Vuçiç, si dhe projekti i tyre Ballkanik nuk përputhet me vlerat evropiane. Ata duan që Ballkani i tyre të jetë streha e gjithë fuqive të huaja, si Kina, Rusia etj… Kosova ka qenë dhe mbetet djepi i Shqiptarizmit, Sot, gjithë shqiptarët kanë detyrë ta ndihmojnë e mbrojnë atë. Nëse nuk do të kishim klikën Rama… udhëheqësit e UÇK-së nuk do të ishin në Hagë. Nëse ka mbetur në gjak të shqiptarëve akoma ndjenja e shqiptarizmit dhe patriotizmit, ndryshoni Shqipërinë, largoni qeverinë Rama për të shpëtuar Kosovën”.
Kur lexoj këtë shtatëdhjetëvjeçar dhe të tjerë si ky, pyes veten: Mirë se është vonë të shërojnë ligësinë e tyre shpirtërore, por si mundet të mos kuptojnë se po diskreditojnë veten? A thua nuk i shohin shqiptarët se qëndrimet qeveritare dhe ato të Perëndimit lidhur me problemet që ngrenë patriotët tanë të vonuar, të fandaksur dhe të etur për pushtet, janë në të njëjtën hulli?
Sipas Neshos, Rama edhe kërkon të largojë nga pushteti në Kosovë Albinin e Vjosën, por edhe i ka ndihmuar burgosjes së kundërshtarëve të tyre politikë në Kosovë, Thaçit dhe tre të burgosurve të tjerë. Pastaj më vijnë në mendje deklaratat e drejtuesve të BE-së që pohonin se Ballkani i Hapur nuk ka asgjë të keqe, për aq kohë sa nuk bije ndesh me Procesin e Berlinit.
Nga ana tjetër, zyrtari i lartë amerikan Gabriel Eskobar deklaroi para një muaji se: “Ne shohim një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në stabilitetin rajonal. Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur”.
Më pas, në mendjen time vijojnë pyetjet: Si është e mundur që asnjë mendje e politikës perëndimore nuk i kupton hiletë dhe konspiracionin e dyshes Rama-Vuçiç në ndërtimin e “projektit antievropian në zemër të Evropës”, ndërkohë që një “mekanik” i Anijes Non-Grata të Shqipërisë i ka pikasur ato me kohë?! Si mundet që të gjithë drejtuesit politikë të BE-së dhe vendeve të saj anëtare të vinin vjet në një vend si Shqipëria, Kryeministri i së cilës po komploton kundër tyre dhe, po këta udhëheqës perëndimorë “syleshë” kanë planifikuar një tjetër Samit në Tiranë këtë vjeshtë rreth çështjeve të Procesit të Berlinit?!
Pasi na ka treguar armikun e vërtetë të Kosovës e Shqipërisë dhe rrugën e shpëtimit të tyre, duke rikthyer në pushtet kapitenin e anijes së tyre politike, i cili mban gradën morale dhe politike “non-grata”, z. Nesho armatoset gjer në dhëmbë që të mbrojë SHBA-n e cila, sipas tij, e ka humbur besimin dhe përkrahjen tek shqiptarët në Shqipëri, ngaqë ka pësuar rënie: ” Nga 82% në 69% qysh nga viti i kaluar për shkak të keqqeverisjes së Ramës dhe keqpërdorimit të SHBA-së nga autokrati Edi Rama… Ka vetëm një arsye pse Rama kërkon të zbehë politikën amerikane në Shqipëri: zgjatjen e pushtetit personal. Interesat e SHBA-së në Shqipëri janë të mëdha dhe afatgjata dhe nuk mund të mbeten peng e një aventurieri politik, të korruptuar, që po i bëhet një peshë e madhe dhe e panevojshme SHBA-së”.
Këto deklarata të ushtarëve të çartur, që i trimëron lakmia për pushtet, bëhen nga maja e direkëve të anijes “Bashkë Fitojmë”, në një kohë që “anija” e tyre politike vjen vërdallë nëpër dete, sepse me akte zyrtare perëndimore nuk i lejohet të ankorohet në portet euroatlantike për aq kohë sa nuk shporrin kapitenin e tyre të padëshiruar për shkak të së kaluarës dhe të tashmes së tij.
E, ndërsa SHBA dhe bota perëndimore iu bën thirrje të heqin dorë nga kapiteni “dash me brirë”, por pa busull, Sanço Pançot tanë jo vetëm i bëjnë thirrje popullit shqiptar të bashkohet në anijen e tyre pa flamur “kombëtar”, por, madje, pretendojnë se anija e tyre, përveç se do shpëtojë Kosovën e Shqipërinë, do t’i heqë Amerikës “peshën e madhe dhe të panevojshme” dhe do të çlirojë “interesat amerikane të mbetura peng në Shqipëri”.
Këta patriotë akçihanesh, ndërsa na thërrasin t’iu bashkohemi në “misionin” e tyre “atdhedashës” dhe “kombmbrojtës”, nëpërmjet largimit nga pushteti të “armikut Edi Rama”, kanë vendosur bashkërisht në Himarë si kandidat për kryetar bashkie një hidraulik sharlatan me emrin Fredi Beleri i cili, përveç se ka një të kaluar të dyshimtë kriminale si bashkëpunëtor në vrasjen e dy ushtarakëve dhe plagosjen e tre të tjerëve në repartin ushtarak në Peshkëpi, pranë kufirit shtetëror në vitin 1994, ka premtuar që, sapo të zgjidhet do të punojë fort për greqizimin e Himarës.
Flamuri i atdhetarizmit të rremë të batakçinjve tanë të vërtetë politikë duhet të përçmohet nga cilido shqiptar që ka respekt për arsyen njerëzore dhe nuk ia lejon vetes të bjerë pre e emocioneve që shkaktojnë përkatësia politike, krahinore apo klanore. Pa larguar një herë e mirë nga skena politike patriotët e akçihanes, të mbledhur në Anijen Nongrata, nuk do të kemi mundësi dhe as duhet t’i shporrim kundërshtarët e tyre politikë sot në pushtet.
Vetëm kur të shporren të parët, duhet të mendojmë seriozisht t’iu kthejmë shpinën edhe të dytëve.
*Akçihane – Kuzhinë, gjellëtore.