Shovinisti dhe ultranacionalisti, Aleksandër Vuçiçi, pasardhës i S. Milosheviçit, është tërbuar nga përkrahja që SHBA – ja dhe BE – ja po i japin mbajtjes së zgjedhjeve komunale në Kosovën Veriore… Serbia e armatosur deri në dhëmbë për qëllime agresiviteti dhe ekspansionizmi ndaj Kosovës shqiptare dhe viseve të saj po “qahet” dhe po proteston kundër armatosjes modeste dhe për qëllime mbrojtëse të Kosovës! Klasa politike dhe shtetërore, bashkë me kishën dhe klerin e saj, po ushqejnë ultranacionalizmin, shovinizmin dhe urrejtjen ndaj popullit shqiptar. Serbia dhe Vuçiçi me qeverinë e tij e kanë përdorur dhe po vazhdojnë ta përdorin pakicën serbe për tensione dhe për qëllime destabilizimi në Kosovë. Në fakt tensionet dhe projektet për destabilizim janë të gjitha të organizuara dhe drejtuara nga shteti serb, kurse pakica serbe është përdorur dhe po përdoret si mish për top. Tensionet dhe konfliktet me popullin shqiptar në Kosovë nuk janë në interes të pakicës serbe, e cila duhet të integrohet dhe ta konsiderojë Republikën e Kosovës si shtetin e saj, duke kontribuar dhe bashkëjetuar me popullin shqiptar. Konfliktet me kombin shqiptar realisht nuk janë as interes i popullit serb dhe i Serbisë…
Kryetari i Serbisë, Vuçiçi, po akuzon Kosovën se paska pretendime ta “pushtojë” Kosovën Veriore!! Akuza qesharake! Kosova Veriore është pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës. Pretendime për ta pushtuar Kosovën Veriore ka Serbia, e cila mban të pushtuar Sanxhakun dhe Kosovën Lindore edhe sot. Jo vetëm kaq. Serbia, që nuk ishte më shumë se 5 000 km katrore në shek. XIX u zgjerua duke pushtuar dhe spastruar tokat e Shqipërisë, njësoj si edhe Mali i Zi e Greqia… Prandaj, nëse dikush duhet të qahet deri në kupën e qiellit e të protestojë e luftojë për dy të tretat e humbura të tokës së tyre janë shqiptarët e jo serbët. Sidoqoftë, edhe në shek. XXI jemi dëshmitarë se i forti ka të drejtë kudo dhe në çdo kohë… Që do të thotë se populli shqiptar nuk duhet të vajtojë, por duhet të punojë e të fuqizohet aq sa të jetë i zoti t’i mbrojë interesat dhe të drejtat e tij, edhe tokën e tij… (GL)
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës që të bojkotojnë nesër (e diel),zgjedhjet e pjesshme lokale, në kundërshtim me çdo angazhim të pranuar për normalizimin e marrëdhënieve.
Kushti i vendosur për rikthimin e Listës Serbe në proceset demokratike dhe institucionet e Kosovës është ai për formimin e Asociacionit.
“Ne jemi në një situatë të vështirë, por vullneti i popullit tonë ishte i tillë që ata pothuajse unanimisht morën vendim që të mos marrin pjesë. Kështu vendosën njerëzit tanë në veri.
A duhet të mbahen zgjedhjet në stacione dhe kontejnerë policie, me 550 veta të armatosur deri në dhëmbë që duhet të sigurojnë 1 deri në 2% që do të dalin në votime? U bëj thirrje serbëve që t’i zhgënjejnë edhe më shumë ata në Prishtinë, ta shohin sa të bashkuar jemi”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb u shpreh i zhgënjyer me deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, kundër Listës Serbe, duke pretenduar se kryeministri Albin Kurti po tenton të pushtojë katër komunat në veri të Kosovës ku votohet të dielën: “Merrni pjesë në zgjedhje. E kam fjalën për atë zëdhënësin e BE-së dhe e pyes, a nuk ju vjen pak turp?”
Vuçiç shtoi se Brukseli i ka dhënë Kosovës liberalizimin e vizave, pranimin në Këshillin e Europës dhe tani së fundmi, njohjen e zgjedhjeve. Ndërkohë, Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se do të njohin rezultatin e dalë nga zgjedhjet lokale të së dielës në veri të Kosovës.
m.b./dita