ASNJË SKULPTURË MONUMENTALE KUSHTUAR SKËNDERBEUT NUK DUHET TË KETË KURRË NJË VEND NË TREVAT SHQIPTARE NËSE NUK KA CILËSI MADHËSHTORE
Prof.Dr.Lulëzim Lajçi
“Sulmet” që po i bëhen autorit të “skulpturës monumentale – shtatores“ së Skënderbeut, të vendosur në kryeqytetin historik të Shqipërisë – në Prizren, nuk kanë të bëjnë me kundërshtimet që lidhen me skulpturën realiste kundrejt asaj klasike apo moderne, sepse kjo skulpturë nuk përfaqëson asnjë drejtim, por kanë të bëjnë me një këmbëngulje të qytetarëve se kjo “vepër” nuk paraqet Gjergjin e vërtetë. Po kush ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu: Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është kryeheroi ynë kombëtar, Burrështetasi më i madh politik e ushtarak i historisë së Arbërisë, Kryegjenerali i të gjitha kohërave, Themeluesi i shtetit shqiptar dhe i Besëlidhjes Shqiptare në nivel kombëtar. Me emrin e tij lidhet flamuri kombëtar i shqiptarëve, uniteti dhe rezistenca epike shqiptare dhe një epokë e tërë – Epoka Skënderbegiane. Skënderbeu ishte i pari që përpunoi vizion madhështor, rrugën e Arbërisë, nga do të ecte ajo, nga lindja apo perëndimi. Ai është testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përbën edhe hallkën kryesore që ndërlidh historinë, qenien, identitetin e popullit të sotëm shqiptar me periudhën mesjetare krishtere dhe antike ilire me të cilën shqiptarët gjithmonë janë identifikuar pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Thënë shkurt Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është një rast “sui generis” në historinë e popullit shqiptar. Pra, pyetja themelore që duhet të adresohet këtu nuk është çështja e drejtimeve në art apo edhe e nacionalizmit, por është te ”transformimi”, shpërfytyrimi i paparë që autori i kësaj skulpture i ka bërë Skënderbeut… Thënë shkurt ajo që duhej të arrinte autori i skulpturës monumentale në Prizren është të krijonte një vepër artistike që do të ligjëronte një vërtetë besnike ndaj jetës dhe personalitetit të Skënderbeut në mënyrë që përmes madhështisë së tij shpalosej një tablo e shkëlqyer e historisë sonë. Pse e them këtë sepse format e skulpturës mund të tërheqin fort dhe drejtpërdrejt si ndjeshmëritë prekëse ashtu edhe ato pamore. Pra, skulptura duhet të jetë e vërtetë për të vërtetën e historisë, duke krijuar kështu një lidhje konceptuale midis vërtetësisë artistike dhe vetë historisë. Kur është fjala te skulpturat monumentale mund të thuhet lirisht, pa hezituar, se edhe të gjitha shtetet e Evropës ndjekin të njëjtën politikë. Ato ilustrojnë historinë e tyre kombëtare dhe cilësitë e tyre kombëtare duke inkurajuar artistët që përmes pikturave historike dhe veçanërisht skulpturave monumentale të japin një pamje të shkëlqyer të historisë së tyre… Përfundim: Një skulpturë monumentale kushtuar Gjergjit Kastriotit Skënderbeut duhet të shprehë cilësi të paprekshme artistike dhe domosdoshmërish kombëtare.
Prizren