Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXV)
TANUSHA – FSHATI ME TË KALUAR TË LAVDISHME, QË PO SHUHET
Në thellësi të maleve të Karadakut, në lartësi mbidetare 1200 – 1480 metra, shumë pranë vijës kufitare mes republikave Maqedoni Veriore dhe Kosovë, ndodhet fshati i vogël malor, Tanusha ose Tanisheci ose Tanusheci. Tanusha, me shtëpi e lagje të shpërndara nëpër shpate mali, është në përbërje të komunës Çuçer-Sandevë dhe pjesë administrative e Qytetit të Shkupit. Shtrihet 34 km nga qendra komunale, Çuçeri, 44 km nga Shkupi dhe 13 km nga qyteti më i afërm, Vitia (Kosovë). Nga Kodra e Furrës (1492 m.), pika më e lartë në afërsi të Tanushës, mund të shihet si në pëllëmbë të dorës krahina e Moravës dhe një pjesë e madhe e Kosovës.
Në fshatin Tanushë ende vërehen lokacionet arkeologjike me shtresime të ndryshme, që nga antika e deri sot, por ende të pa hulumtuara e të pastudiuara, siç janë Tuma Ilire, Kodra e Varreve, Kodra e Selishtes etj. Mbetjet e gjetura fragmentare arkeologjike, siç është tubacioni i ujësjellësit, dëshmojnë për lashtësinë e fshatit dhe vazhdimësinë e jetës që nga hershmëria. Tanusharët ishin ndër të parët që u përfshinë në betejën e zhvilluar në Grykën e Kaçanikut në vitin 1910. Gjithashtu, ishin ndër të parët të cilët në vitin 1912 marshuan për ta çliruar Shkupin. Në gusht të vitit 1945 në Tanushë është mbajtur Kongresi i Parë i NDSH-së. Sa herë kanë hyrë ushtritë e huaja në trojet tona, Tanusha ka pësuar me pushkatime të popullsisë civile, si në vitin 1912, ashtu edhe në vitin 1915 nga bullgarët e në vitin 1945 nga ushtria jugosllave.
Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së në Kosovë, shumë nga tanusharët i janë bashkëngjitur radhëve të gjata të luftëtarëve të lirisë. Ata ndihmuan dhe dhanë kontribut të çmueshëm për furnizim me ushqime dhe me armë e municion vëllezërit e tyre në Kosovë.
Pas pavarësimit të Maqedonisë nga Federata jugosllave, në vitin 1991, Tanusha mbeti e izoluar, pasi lidhjen e vetme me botën i kishte me Kosovën, përkatësisht me komunën dhe qytetin e Vitisë. Nga një fshat i harruar, i largët e i heshtur, Tanusha përnjëherë bëhet një bastion i fortë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Më 4 mars 2001, pikërisht në Tanushë, u zhvillua përballja e parë e armatosur e luftëtarëve të UÇK-së me policinë e shtetit maqedonas. Luftëtarët e UÇK-së, të prirë nga komandanti Xhezair Shaqiri, kishin vënë disa mina kundërtank në rrugën që shkon për Tanushë, me ç’rast ishin vrarë tre policë maqedonas. Ky aksion luftarak shënoi fillimin e një lufte të re në trojet tona, që u zhvillua mes kryengritësve shqiptarë dhe forcave policore e ushtarake maqedonase në Republikën e Maqedonisë, luftë që mori dëshmorin e parë të UÇK-së.
Fshatin, ku ka ndodhur historia, sot e zbukuron përmendorja e dëshmorëve të UÇK-së e vitit 2001, që ndodhet në hyrje të fshatit. Ky monument përkujtimor ruan kujtimin për luftën dhe i bën roje paqes në Tanushë. Mirëpo, për fat të keq, shtëpitë e fshatit, por edhe banorët po pakësohen nga dita në ditë, nga muaji në muaj e nga viti në vit.
Në të kaluarën Tanusha ishte fshat i madh, i cili nga viti 1945 deri në vitin 1951 ishte qendër e komunës, ku gravitonin disa fshatra malore në zemër të maleve të Karadakut. Pas mbylljes së komunës, Tanusha mbeti në varësinë, herë të njërës, herë të tjetrës komunë me qendër në Fushën e Shkupit.
Në vitet ’70-ta, kur ende nuk ishte elektrifikuar fshati, një banor fenomenal autodidakt, Rufat Aliu, në Tanushë ndërtoi një hidrocentral të vogël, me të cilin i furnizoi me rrymë elektrike për plot 20 vjet 20 shtëpi të fshatit.
Tanusha tashmë e ka ndërtuar rrugën, me të cilën lidhet me qendrën komunale dhe me Shkupin, por nuk ka një rrugë të rregulluar që të lidhet me fshatin fqinjë, Debëlldenë dhe me qytetin e Vitisë. Fshati ende pret që këtu të hapet një pikë e kalimit kufitar me Kosovën, sepse Tanusha lidhet me Kosovën nga shumë aspekte jetike. Pos mungesës së pikës kufitare, fshati ka probleme me furnizim me rrymë elektrike, sidomos gjatë dimrit, furnizim me ujë të pijes, fshatit dhe tërë zonës i mungon një ambulancë etj. Gjatë dimrit shpeshherë fshati mbetet për shumë kohë i izoluar nga bora. Tanusha është fshati ku kanë munguar investimet nga komuna dhe qeveria, është fshati ku nuk është ndier pothuaj asnjëherë dora e shtetit, pos për qëllime të ndryshme politike. Prandaj fshati është zbrazur, edhe pse ka mundësi dhe pasuri natyrore të mjaftueshme për mbijetesë.
Pasi Tanusha është e pasur me burime e rrjedha ujore, në të kaluarën janë ndërtuar dhjetëra mullinj të ujit. Popullsia e Tanushës është marrë kryesisht me blegtori, kurse nga prodhimet bujqësore dallohet për kultivimin e patates cilësore.
Pos për veprimtarë e luftëtarëve të shumtë, Tanusha i dha Atdheut edhe shumë intelektualë, që dolën nga shkolla e këtij fshati. Shkolla e parë shqipe në këtë fshat është hapur në vitin 1946 dhe e ka mbajtur emrin “Liria”. Në vitin 1954 objekti i shkollës, me vetëm një mësonjëtore, është djegur dhe shkolla është mbyllur për 10 vjet të tëra. Në vitin 1964 shkolla e Tanushës është rihapur në një shtëpi private, kurse në vitin 1965 ndërtohet një shkollë e re në formën e një barake të drurit, në të cilën mësimi është zhvilluar deri në vitin 1988. Tash në shkollën 8-vjeçare të fshatit Tanushë, e cila nga viti 1990 mbanë emrin “Mihal Grameno”, mësojnë shumë pak nxënës dhe mësimi mbahet me klasë të kombinuara.
Dhe, krejt në fund, Tanusha, me të gjithë lavdinë dhe problemet që i ka trashëguar nga e kaluara dhe që i ka edhe tash, është fshat me natyrë të bukur, me male e pyje të larta e të pasura me florë e faunë, me kroje e përroska të shumta. Tanusha është vendi ku buron lumi Morava, vendi që ka kushte e mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit malor, të sporteve dimërore etj. Vizita në Tanushë paraqet një përjetim të rrallë e të paharrueshme.
add a comment