PËRKUJTIM NË 30-VJETORIN E SHKUARJES NË PËRJETËSI TË BERIT BACKERIT DHE NDERIME TË GJITHHERSHME PËR KONTRIBUTIN E SAJ TË VEÇANTË DHE TË DOKUMENTUAR PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE
Berit Backer (1947-1993) ka qenë një studiuese e kulturës shqiptare që nga vitet ’70 dhe njohëse e spikatur (nga të huajt) e gjendjes shoqëroro-politike në Kosovë dhe Shqipëri, gjithashtu veprimtare e shquar për kyçjen e çështjes shqiptare në kuadër të Procesit të Helsinkit. Pasi u bë pjesë (në cilësinë e këshilltares dhe bashkëpunëtores) e LPK-së në vitin 1987, u bë aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke vënë tërë potencialin e vet në këtë drejtim. Njëherësh ka qenë ndër iniciuesit kryesorë dhe bashkëthemeluese e Grupit për Ballkanin në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), si sektor lobist dhe i diplomacisë joformale për Kosovën, që pati një ndikim të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit (Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH-s, Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – KSBE-s etj.).
Vlen të theksohet se GBKNH, përveç të tjerash, ka iniciuar, veçanërisht me ndihmën e Berit Backerit dhe mikut të saj Kristofer Gjøtterudit (ish-bashkëveprimtar i Andrei Sakharovit), ka arritur ta bindë Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan (Human Rights Watch), që një delegacion i përbashkët i specialistëve në fushën e të drejtave të njeriut të udhëtojë për ta vëzhguar situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Duke insistuar se te shtetet perëndimore ishte një përshtypje e gabuar për Jugosllavinë që e dallonin “si më e mira ndër më të këqijat” krahasuar me shtetet e tjera autoritare dhe totalitare në Evropën lindore, kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut, në veçanti kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut në Kosovë. Rrjedhimisht, një delegacion i përbashkët i Federatës Ndërkombëtare i Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan (Human RightsWatch), i drejtuar nga Berit Backer dhe Kristoffer Gjøtterud, udhëtoi në Kosovë në shtator të vitit 1989 (para shembjes së murit të Berlinit), ndërsa në janar të 1990-s botohet raporti i parë për situatën në Kosovë nga ky delegacion i përbashkët i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch – Amerikan (Human Rights Watch), përkatësisht nga autori Kenneth Andersson, me titull “Crisis in Kosovo”. [1] Në vazhdën e kësaj veprimtarie, GBKNH inkurajoi dhe mbështeti ngritjen e bërthamës së shoqërisë civile në Kosovë, përkatësisht themelimin e Komitetit Kosovar të Helsinkit nëpërmes bashkëpunimit konkret në mes të Berit Backerit, Gazmend Pulës, Shkelzen Maliqit[2] etj., dhe e mbështeti në vazhdimësi veprimtarinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (ku anëtar themelues ishte edhe Gazmend Pula) dhe u udhëhoq, fillimisht nga Bajram Kelmendi, Zekeria Cana, Zenun Qelaj etj. Në kuadër të këtyre zhvillimeve (dhe duke marrë parasysh se një ndër pikat kyçe të veprimtarisë në kuadër të Procesit të Helsinkit ishte inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse), Berit Backer e mbështeti edhe LDK-në, madje ishte e pranishme në cilësinë e observatores inkurajuese gjatë themelimit të LDK-së, më tutje edhe kryeorganizatore e vizitës së parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14 – 18 shkurt 1990.[3] Për më tepër, GBKNH, nëpërmes kontakteve që kishte Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., ka lobuar që t’i hapen dyert udhëheqësit të lëvizjes paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, nga politikanët në shtetet perëndimore, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar. Kështututje, menjëherë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik 1990, GBKNH e organizoi edhe vizitën me nisje nga Oslo, të delegacionit të Kuvendit të Kosovës (Muharrem Shabani, Bujar Gjyrgjeala, Skënder Skënderi). Madje Berit Backer, para dhe pas kësaj vizite të delegacionit të Kuvendit të Kosovës, loboi/komunikoi me korrespondencë të ndërsjellë me Parlamentin Evropian etj., duke kërkuar mbështetjen për delegatët e Kuvendit të Kosovës. [4]
Në këtë vazhdë, Berit Backer pati një bashkëpunim të ngushtë me Adem Demaçin (pas lirimit të tij nga burgu më 21 prill 1990), përkatësisht që nga takimi i saj i parë personal në Norvegji me Adem Demaçin, lidhi miqësi me të. [5] Ata krijuan një konsideratë dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht një bashkëpunim substancial në veprimtarinë e tyre për të drejtat dhe liritë e njeriut. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, që shërbente si një bazë e fortë “për njohjen e realitetit në Kosovë” nga ana e diplomacisë perëndimore, e kishte peshën e vet të rëndësishme sepse udhëhiqej nga simboli i rezistencës së shqiptarëve për liri dhe barazi, Adem Demaçi, ndërsa Berit Backeri me diturinë dhe nëpërmes kontakteve të saj kudo në Evropë, ndikoi që ky “realitet” të shpërndahet më thellë në strukturat e pushtetit të shteteve perëndimore. Kjo pati ndikimin e vet të rëndësishëm edhe për kyçjen e drejtpërdrejtë dhe veçanërisht për promovimin e meritueshëm të Adem Demaçit në kuadër të Procesit të Helsinkit, si simbol i të drejtave dhe lirive të njeriut, që rezultoi edhe me mirënjohjen e tij me çmimin Sakharov (1991), në këtë vazhdë me mirënjohje të tjera, duke përfshirë çmimin Leo Eitinger (1995) etj. Me të drejtë Adem Demaçi e quante Beriten, Merita, dhe porosiste që të gjithë shqiptarët ta quajnë me këtë emër, siç zakonisht e thërriste Baca Adem: Merita e shqiptarëve. Me fjalë të tjera, idealistja dhe mikja e madhe e shqiptarëve, socio-antropologia norvegjeze Berit Backer, ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm “nga të huajt” për Kosovën gjatë viteve ’80 dhe në fillimvitet ’90. Gjatë një periudhe historike kur Kosovës i mungonte përkrahja e “të huajve”, sidomos kur Kosova kishte më së shumti nevojë që zërat e ekspertëve “të huaj dhe të pavarur” t’i informojnë, veçanërisht t’i bindnin kancelaritë politiko-diplomatike të shteteve perëndimore për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, ka pasur njohje me personalitete të rëndësishme të jetës shoqëroro-politike kudo në botë, veçanërisht në Angli. Përveç të tjerëve, njohje ka pasur edhe me ish-ambasadorin e ShBA-së në Beograd, Warren Zimmermann, i cili ishte personalitet me ndikim të madh në kuadër të Procesit të Helsinkit ngaqë paraprakisht (1986-1989) kishte udhëhequr delegacionin e ShBA-së në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE). Vlen të theksohet se mendimet, sugjerimet dhe këshillat e Berit Backerit në lidhje me çështjen e Kosovës nuk janë vlerësuar vetëm nga qarqet e caktuara politiko-diplomatike në Perëndim, por edhe nga ekspertët e lëmit, përveç të tjerëve, edhe nga studiuesi britanik i shqiptarëve, Harry Hodgkinson, i cili, në letrën dërguar Berites në vitin 1987, tregoi respekt të madh për të: “Ishte kënaqësi t’ju takoj te Doreen dhe Anton Logoreci, dhe një privilegj i madh të mund të përfitoj nga dituria juaj e madhe dhe mirëkuptimi për kosovarët. Kam drojë se ne, duke e shfrytëzuar zemërgjerësinë tënde, të kemi stërlodhur me pyetjet dhe spekulimet tona. U treguat shumë e durueshme duke ndërmarrë aty për aty e pa parapërgatitur ta realizoni seminarin, me aq dashamirësi dhe përzemërsi. Herën tjetër kur i viziton miqtë tuaj në Manor House, ndoshta kishim mundur të organizojmë një drekë të përbashkët me Antonin, Doreen dhe Ishan Toptanin”.[6] Përveç njohjes me personalitetet shqiptare në kuadër të emigracionit politik shqiptar, që nga veteranët si Ihsan Toptani, Anton Logoreci etj., në kuadër të punës kërkimore social-antropologjike në Kosovë, gjatë viteve ’70 është njohur edhe me Ukshin Hotin, Idriz Ajetin, Fehmi Aganin, Mark Krasniqin etj. Gjatë kësaj periudhe ka banuar për një kohë në familjen e Selim Kuklecajt në Isniq dhe është marrë me një studim shkencor social-antropologjik për shqiptarët. [7]
Disa ndër miqtë më të ngushtë dhe me ndikim të Berit Backerit në Norvegji kanë qenë Kristoffer Gjøtterud, Johan Jørgen Holst, Marianne Heiberg etj. Kristoffer Gjøtterud ka qenë një shkencëtar i mirënjohur norvegjez në lëmin e fizikës bërthamore-nukleare, njëkohësisht i interesuar për epistemologjinë dhe metafizikën, në kuptimin e ndërlidhjes në mes të besimit, fesë dhe shkencës etj., së këndejmi ashtu veprimtar i mirënjohur ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit. Me fjalë të tjera, një personalitet shumë i nderuar dhe me ndikim, përveç të tjerash, kryetar i Komitetit për Hebrenjtë e Bashkimit Sovjetik, që nga viti 1982 (veçanërisht i përkushtuar për shkencëtarët hebrenj, të cilëve iu vështirësohej dhe ndalohej udhëtimi jashtë Bashkimit Sovjetik). [8] Gjithashtu, ka qenë bashkëpunëtor i Grupit të Helsinkit të Moskës (Moscow Helsinki Group)[9], i themeluar në vitin 1976, nga veprimtarët e mirënjohur rusë për të drejtat e njeriut, përkatësisht fizikani dhe nobelisti Andrej Sakharov, historiania Ljudmila Aleksejeva, fizikani Jurij Orlov etj. Rrjedhimisht, Kristoffer Gjøtterud, me këtë prapavijë dhe ndikimin që kishte në kuadër të Procesit të Helsinkit etj., e ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për Kosovën, sidomos si pjesë e udhëheqjes dhe si veprimtarë i GBKNH-s. Vlen të përmendet se gjatë një takimi/tubimi të hapur në Komitetin Norvegjez të Helsinkit më 17.02.1990 (ku edhe autori i këtij shkrimi ishte i pranishëm), Ibrahim Rugova gjatë fjalimit të tij shprehi publikisht konsideratën e tij më të lartë për Kristoffer Gjøtterud. Ndërsa Johan Jørgen Holst ka qenë politolog me përvojë hulumtuese shkencore në Universitetin e Harvardit dhe ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Jashtëm i Norvegjisë gjatë viteve ’80 dhe fillimvitet ’90. Po ashtu, i mirënjohur ndërkombëtarisht në lidhje me ndikimin e tij për arritjen e “Marrëveshjes së Oslos” në mes të Izraelit dhe Palestinës në vitin 1993. Holst e ka pasur një mbështetje të veçantë nga bashkëshortja e tij, Marianne Heiberg, e cila ka qenë studiuese e njohur pranë Institutit Norvegjez për Politikë të Jashtme (NUPI), njëherësh tezja e Jens Stoltenbergut (aktualisht sekretar i NATO-s). Vlen të potencohet se që të dy, Marianne Heiberg dhe Johan Jørgen Holst, i kanë dhënë mbështetje të tërthortë veprimtarisë së GBKNH-s për Kosovën. Madje me lobimin e shoqes së Berit Backerit, Marianne Heiberg, që në fillimvitin 1989 u realizua një takim në mes të njërit ndër drejtuesit e LPK-së në emigracion dhe ministrit Johan Jørgen Holst ku, përveç të tjerash, u argumentua se kërkesa “Kosova Republikë nënkupton zgjidhjen më të mirë të problemeve serioze të të drejtave të njeriut në Jugosllavi”. [10] Në fakt që nga viti 1988 GBKNH e arriti kuptueshmërinë në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (si organizatë gjysmështetërore dhe këshillëdhënëse për Ministrinë e Jashtme Norvegjeze), se kërkesa “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi” dhe, kështututje, loboi në vazhdimësi që të kihet kuptueshmëri për këtë kërkesë, edhe në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-s). Dhe pas zhvillimit të ngjarjeve, kjo kërkesë rezultoi edhe si qëndrim zyrtar i Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Përkatësisht, pas iniciativës dhe insistimit të vazhdueshëm të përgjegjësit të KBKNH-s, në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, por edhe sqarimit të perspektivës politike për çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, në mbledhjen vjetore të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, mbajtur në godinën e parlamentit norvegjez më 19.03.1991, sekretari gjeneral i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Bjørn Catto Funnemark, propozon publikisht, dhe unanimisht aprovohet si një nga pikat e “këshillimit” të politikës së jashtme norvegjeze: “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”. [11] Ky amendamentim nga ana e një organizate gjysmështetërore ishte shumë i rëndësishëm për kohën, mbase rasti i parë kur bëhen propozime për zgjidhje politike, dhe një forcim i ndikimit lobist dhe i diplomacisë joformale të Kosovës në Norvegji dhe në përgjithësi në Skandinavi. Me fjalë të tjera, me ministrin Johan Jørgen Holst politika e jashtme norvegjeze fillon të ndryshojë, duke u bindur dhe pasur keqardhje për gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut në Kosovë, madje duke treguar deri në një masë kuptueshmëri për domosdoshmërinë e avancimit të statusit politik të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave. Në këtë vazhdë kjo qasje e politikes së jashtme norvegjeze u sforcua edhe më shumë (sidomos gjatë periudhës së luftës në Kosovë), në krye me udhëheqësin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), njëherësh ministër i Jashtëm i Norvegjisë, Knut Vollebæk, dhe kryeministrin Kjell Magne Bondevik.
Ndikimi dhe ndihma e GBKNH-s nuk mungoi as për Shqipërinë. Kjo ndihmë u realizua në kuadër të një projekti shtesë të GBKNH-s, i ashtuquajturi projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh), i mbështetur drejtpërdrejt nga Ministria e Jashtme Norvegjeze (MPJN), përkatësisht ministri Johan Jørgen Holst. Fillimisht, nëpërmes këtij projekti u realizuan ndihmat emergjente nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë për në Shqipëri dhe, në këtë vazhdë, me ndihmën e këtij projekti, u etablua OJQ-ja e parë në Shqipëri në vitin 1991, si bërthama e parë nga jashtë për të drejtat e njeriut dhe demokratizim në Shqipëri, respektivisht Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe për Rehabilitimin e të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Totalitar. Në fakt, kjo është OJQ-ja e parë e regjistruar në Shqipëri e cila vazhdoi të funksionojë edhe pas vitit 1994 nën udhëheqjen e Kozara Katit etj. [12] Gjithashtu, nëpërmes këtij projekti (ANSh-së) u ndihmua themelimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShN-s) në vitin 1991, në bashkëpunim me Arben Puton dhe Kujtim Çashkun. Madje në kuadër të kësaj veprimtarie, Berit Backer, përveç të tjerash, ndihmoi që Shqipëria të përfaqësohet në takimin e ekspertëve të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-s). Në fakt, Berit Backer, përveçse e ka vizituar Kosovën para viteve ’90, (në disa raste së bashku me shoqen e saj të ngushtë, Ann Christine Eek), gjithashtu e ka vizituar edhe Shqipërinë disa herë para viteve ’90, derisa i është ndaluar hyrja në Shqipëri nga regjimi i Enver Hoxhës dhe, menjëherë pas përmbysjes së diktaturës në Shqipëri, i ka vazhduar vizitat e rregullta në Shqipëri, përkatësisht me zhvillimin e ngjarjeve (pas shembjes së murit të Berlinit). Rrjedhimisht, ka qenë e lidhur shumë profesionalisht dhe emocionalisht me Kosovën dhe Shqipërinë dhe, përveçse ishte aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, sidomos nga viti 1987, njëkohësisht i ofroi/përbashkoi miqtë e saj më të ngushtë, dhe më të ditur me qëllimin për t’i ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë. Një shembull për këtë (përveç shembujve të tjerë të sipërcekur), është mikja e saj, gazetarja dhe politologia Gro Holm, e cila në vitin 1988, me instrukset dhe këshillat e Berit Backerit, dhe me ndihmën e veprimtarëve të LPK-së, në Norvegji dhe Kosovë, ka udhëtuar dhe është pritur në mënyrë të fshehtë në Kosovë, dhe gjatë qëndrimit në Kosovë ka mbledhur informata në lidhje me përpilimin e një raporti për gjendjen e jashtëzakonshme socio-politike në Kosovë.[13] Vlen të përmendet se Gro Holm është bashkëshortja e Kai Eides që ka vlerësuar standardet për Kosovën pranë OKB-së, 17 vjet më pas, dhe në kuadër të propozimeve të tij pranë OKB-së, ka hapur rrugën për zgjidhjen e statusit të Kosovës në drejtimin e pavarësimit të Kosovës.
Berit Backer nuk u ndal kurrë duke ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë (që i donte aq shumë), derisa vdiq tragjikisht në vitin 1993, përkatësisht u vra nga një shqiptar i sëmurë psikik (sipas lajmit zyrtar), pjesërisht viktimë e një gjendjeje të rëndë mendore që u pa si mjet i përshtatshëm për t’u manipuluar dhe përdorur në mënyrë të sofistikuar nga UDB-a, e cila paraprakisht ia kishte ndaluar hyrjen Berit Backerit në Jugosllavi [14] dhe, njëkohësisht, përpiqej të ndikonte me propagandë të sofistikuar në mesin e shqiptarëve që ta portretizonte Beritin si spiune dhe antishqiptare. Kjo vrasje ishte një goditje dhe tronditje tepër e madhe për bashkëpunëtorët e Beritës në Norvegji dhe jashtë Norvegjisë, dhe për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe ishin të vetëdijshëm për rolin e saj shumë të rëndësishëm, dhe për të gjithë ata shqiptarë që më shumë dhe më pak ishin në dijeni për rolin e saj të rëndësishëm në vitet ’80 dhe fillimvitet ’90. Me fjalë të tjera, kjo vrasje ishte tepër e rëndë ngaqë, përveçse ishte vrasje në kundërshtim me traditën shqiptare (vrasje e një femre), e humbëm një mike idealiste shumë të zellshme dhe të rëndësishme për Kosovën dhe Shqipërinë. Për më tepër, vrasja e saj ishte një tentim-atentat mbi çështjen shqiptare në opinionin evropian, në kuptimin se propaganda e UDB-së në mënyrë të sofistikuar përpiqej ta përdorë vrasjen e saj tek opinioni i huaj se kështu shqiptarët i “shpërblejnë” miqtë e tyre. Edhe pse kjo vrasje mizore pashmangshëm barti me vete pasoja për keqësimin e imazhit të shqiptarëve, megjithëkëtë pati rëndësi që shqiptarët menjëherë pas kësaj vrasje mizore, ditën të reagojnë siç u ka hije, duke marrë pjesë masivisht në varrimin e Berit Backerit, sidomos pjesëtarët e mërgatës shqiptare në Norvegji. Në mesin e shumë bashkëpunëtoreve të Beritit në Norvegji dhe jashtë Norvegjisë që ishin të pranishëm në varrimin e saj (dhe një pjesë të tyre që dërguan telegrame ngushëllimi), të pranishëm ishin edhe bashkëpunëtorët e saj të ngushtë nga Kosova, Adem Demaçi dhe Gazmend Pula, duke përfshirë praninë e Ibrahim Kelmendit në cilësinë e përfaqësuesit të LPK-së. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Suedi, B. Kokalari. Ndërsa presidenti Sali Berisha dërgoi telegram ngushëllimi, ndërsa presidenti Rugova kërkoi, nëpërmes Komitetit Norvegjez të Helsinkit, që të bëhet një deklaratë në emrin e tij në mediet norvegjeze në mënyrë që t’i shprehë keqardhjen e tij publikisht popullit norvegjez. [15]
Në mungesë të hapësirës në këtë shkrim, po përzgjidh vetëm dy fragmente të miqve/bashkëpunëtorëve të Berit Backerit në lidhje me rolin e saj si në nivel të shteteve nordike, po ashtu në nivel ndërkombëtar në lidhje me inkurajimin për mbështetje të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Një ndër miqtë e Berit Backerit, përkatësisht ambasadori i Suedisë në Jugosllavi e Shqipëri, në periudhën 1987-1992, Jan Af Sillén, në shkrimin e tij në gazetën norvegjeze “Aftenposten”, me rastin e vdekjes tragjike të Berit Backerit, shprehet: “Me pikëllim të thellë unë dhe zonja ime morëm lajmin për vrasjen e Berit Backerit nga një shqiptar i Kosovës. Askush në shtetet nordike nuk ka bërë më shumë se Berit Backeri për ta njohur dhe sqaruar situatën e shqiptarëve. Ajo ishte një shkencëtare shumë kompetente për popullin shqiptar dhe vrojtuese e mirinformuar dhe objektive e situatës në Ballkan, posaçërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Unë e kam takuar shumë herë këto vitet e fundit në rrugën e saj për në Shqipëri dhe shpesh kam pasur mundësinë të përfitoj nga njohuritë e saj të thella për gjendjen politike dhe ekonomike atje. Gjithashtu, nganjëherë më ka rastisur t’i lexoj edhe analizat interesante të saj. Për mua, zonjën time dhe kolegët e tjerë të cilët ishim në kontakt me të, ajo ishte një person i mrekullueshëm, e guximshme, e shkathtë, e hapur, miqësore. Me vdekjen e Berit Backerit shtetet nordike kanë humbur një observatore të situatës së shqiptarëve të cilën nuk ka kush ta zëvendësojë. Ajo iku kur më shumë se kurrë nevojiteshin njohuritë e saj. Mendimet tona shkojnë te të gjithë ata të cilët ishin të afërt me Berit Backerin dhe te shumë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë të cilët i ka prekur vdekja e saj tragjike dhe i ka kapluar zija për humbjen e një mike dhe përkrahëse të pashoqe”.[16] Ndërsa drejtoresha e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Yadja Zeltman, në telegramin e ngushëllimit më 9 mars 1993, përveç të tjerash, për Berit Backerin ka shkruar: “Puna dhe përkushtimi i saj i paepur për shqiptarët inkurajoi për një kuptueshmëri më të madhe për nevojat e domosdoshme të shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, dhe nevojën për një përfshirje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të tyre themelore të njeriut”.[17] Njëherësh LPK bëri një deklaratë publike për rastin e vdekjes tragjike të Berit Backerit, përveç të tjerash, duke i ftuar pjesëtarët e mërgatës shqiptare që të marrin pjesë sa më masivisht në varrimin e saj.[18]
Vlen të theksohet se GBKNH fillimisht u quajt Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (i themeluar në vitin 1988), por me insistimin e Berit Backerit e vazhdoi veprimtarinë me emrin Grupi për Ballkanin në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, në mënyrë që informacioni dhe veprimtaria e këtij Grupi të mos paragjykoheshin krejtësisht si veprimtari dhe informacione subjektive për Kosovën, por të jenë sa më të depërtueshme, sa më bindëse dhe sa më të pranueshme për kancelaritë e shteteve perëndimore, njëherësh Grupi për Ballkanin nga viti 1990 arriti të ketë edhe status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Themelimi i një sektori të tillë si GBKNH, në kuadër të një organizate pothuajse gjysmështetërore norvegjeze (Komiteti Norvegjez i Helsinkit), nuk ishte aspak projekt i lehtë, sidomos duke e marrë parasysh lidhjen e fortë të miqësisë në mes të shtetit norvegjez dhe ish-Jugosllavisë. Përkatësisht propaganda serbo-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore kishte arritur gradualisht të ketë ndikim të madh në Norvegji, duke e shtrirë këtë ndikim propagandistik edhe në shtetet e tjera nordike. Fillimisht propaganda serbo-jugosllave e kishte arritur suksesin, duke e përdorur si mjet propagandistik historinë e të burgosurve jugosllavë të luftës në Norvegji (gjatë Luftës së Dytë Botërore) në kuptimin se vetëm serbët kanë qenë anti-nazifashistë të devotshëm: nga njëra anë duke i bashkëlidhur nocionet serb-partizan-antinazifashist-jugosllav, nga ana tjetër duke aluduar se popujt e tjerë në Jugosllavi, sidomos shqiptarët dhe kroatët, kanë qenë më shumë bashkëpunëtorë të nazifashistëve sesa kundërshtarë të nazifashistëve. Në bazë të kësaj propagande Serbia e stimulonte miqësinë me Norvegjinë edhe për arsyen se Norvegjia pas Luftës së Dytë Botërore rezultoi si shteti nordik më proaktiv në politikën e jashtme (krahasuar me shtetet e tjera nordike) dhe me shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shkak të kësaj lidhjeje në mes të Norvegjisë dhe Jugosllavisë, kolegët norvegjezë në kuadër të GBKNH-s, Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., e propozuan Nufri Lekën përgjegjës të GBKNH-s[19], i cili veçse kishte krijuar profil në mediet norvegjeze si shembull i dëshmuar i viktimës së torturës nga regjimi jugosllav, si ish-i burgosur dhe i përndjekur politik.[20] Rrjedhimisht, në këtë mënyrë kolegët norvegjezë të GBKNH-s nuk mund të akuzoheshin drejtpërdrejt nga diplomacia jugosllave si anti-jugosllavë (dhe të vënin në siklet të madh marrëdhëniet shtetërore norvegjeze-jugosllave), ndërsa përkrahjen e tyre për GBKNH-n e legjitimonin bazuar në njërin ndër parimet e rëndësishme të Deklaratës së Helsinkit, përkatësisht parimin për respektimin e të drejtave të njeriut ngaqë edhe Jugosllavia, si një ndër shtetet nënshkruese, obligohej moralisht dhe politikisht ta respektonte Deklaratën e Helsinkit. GBKNH në këtë mënyrë e legjitimoi veprimtarinë për të drejtat e njeriut pro-Kosovës dhe, pavarësisht prej vështirësive dhe pengesave (si rezultat i lidhjes së fortë të miqësisë në mes të shtetit norvegjez dhe Jugosllavisë), GBKNH arriti të ndikojë jashtëzakonisht shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në vitet ’80 dhe fillimvitet ’90 jo vetëm nëpërmes ndikimit në kuadër të institucioneve politike të shtetit norvegjez por, gjithashtu, dhe veçanërisht, nëpërmes ndikimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare, përveç të tjerash, Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), Amnesti Internacional (AI), Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-s) etj. Konkretisht, GBKNH, në periudhën e viteve 1988-1994, inicioi, sugjeroi dhe kontribuoi si në aspektin e informimit, po ashtu edhe në aspektin e mbledhjes së fakteve dhe këshillimit: që fokusi i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s) dhe i strukturave të caktuara në kuadër të KSBE-s të jetë sa më shumë i orientuar kah shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në fakt, raportet, me informatat dhe këshillat në lidhje me situatën në Kosovë, që përpiloheshin nga anëtarët e kryesisë së GBKNH-s, kur iu dërgonin shtetarëve në shtetet perëndimore dhe delegacioneve të tyre në kuadër KSBE-s, nëpërmes Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), duke e përfshirë Helsinki Watch Amerikan (Human RightsWatch), e kishin peshën e vet të padiskutueshme si në aspektin e besueshmërisë, si në aspektin e të kuptuarit më objektiv të situatës politike në Kosovë dhe si në aspektin e prishjes së imazhit të serbo-Jugosllavisë. Për më tepër, anëtarëve të kryesisë së GBKNH-s nga viti 1988 u jepej mundësia që në cilësinë e delegatëve nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit (KNH) të takojnë nëpër konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, personalitete me influencë politike, ku e shfrytëzonin rastin në maksimum edhe gjatë bisedave joformale, duke i informuar më hollësisht për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke dhënë argumente për kërkesën “Kosova Republikë” si zgjidhja më e mirë e problemeve serioze të të drejtave të njeriut në Jugosllavi. Rrjedhimisht, themelimi dhe ngritja e GBKNH-s ishte rezultat i bashkëpunimit në mes të Berit Backerit, Nufri Lekës dhe Kristoffer Gjøtterudit, por edhe i mbështetjes nga LPK-ja si organizatë, nëpërmes Ibrahim Kelmendit (bashkëthemelues i LPK-së, në vitin 1982, së bashku me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën[21] etj.), dhe nëpërmes Xhavit Halitit (bashkëpërgjegjës për ngritjen e strukturave të rezistencës së armatosur në Kosovë, nga mesi i viteve ’80, së bashku me Xhavit Hazirin [22] etj.), duke përfshirë mbështetjen (këshillat e vyeshme) nga veterani i emigracionit politik shqiptar, dr. Ihsan Toptani, personalitet dhe veprimtar me prirje unifikuese në përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, gjithashtu edhe mbështetjes së tërthortë nga ministri Johan Jørgen Holst dhe bashkëshortja e tij, Marianne Heiberg. Njëherësh vlen të përmendet edhe bashkëpunimi në mes GBKNH-s dhe Shoqatës «Migjeni» në Lubjanë të Sllovenisë, përkatësisht me Salih Kabashin dhe bashkëpunëtorët e tij, e cila shoqatë ishte formuar nga ish të burgosur politik shqiptar dhe disa opozitar dhe veprimtar të drejtave të njeriut slloven, dhe ishte bërë për një kohë qendër e organizimeve të shumta shqiptare në ish-Jugosllavi, ku regjimi i Beogradit nuk mund të vepronte me egërsi ndaj tyre (si në Kosovë dhe viset e Kosovës), për shkak të pozicionit/qëndrimit që tanimë kishte Sllovenia në kuadër të federatës jugosllave. Madje Berit Backer ka pasur dëshirë të përbashkojë dhe koordinojë sa më shumë veprimtarinë lobiste dhe të diplomacisë joformale të emigracionit politik shqiptar për Kosovën, madje edhe duke treguar interesim që të lidhë një bashkëpunim në mes të GBKNH-s dhe Komitetit të Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror (KKIOB), që rezultoi nga strukturat e LPK-së dhe merrej me veprimtari të ngjashme, në krye me Xhafer Shatrin etj. Edhe pse rrethanat e atëhershme (para shembjes së murit të Berlinit) për lidhjen e bashkëpunimeve të tilla ishin të ndërlikuara, megjithëkëtë më pastaj pati një lloj bashkëpunimi edhe në mes të KKIOB-it dhe GBKNH-s, në fushën e shkëmbimit të informacionit në lidhje me shkeljen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Krejt në fund vlen të theksohet se Berit Backer, duke qenë njohëse e shkëlqyeshme dhe veprimtare e shquar e Procesit të Helsinkit, e dinte më së miri se sa rëndësi kishte angazhimi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të këtij procesi, që përveçse ishte proces ndërshtetëror nëpërmes Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-s), ishte njëkohësisht edhe proces civil nëpërmes veprimtarisë së Komiteteve Kombëtare të Helsinkit, si pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), dhe se sidomos pas vitit 1986, gjatë mbledhjeve të rregullta të KSBE-së në Vjenë, iu dha një hapësirë më e madhe kësaj veprimtarie të Komiteteve Kombëtare të Helsinkit si pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (FNH-s), si në aspektin e informimit dhe këshillimit, po ashtu edhe në aspektin e mundësisë për pjesëmarrje gjatë mbledhjeve të rregullta të KSBE-së, në lidhje me çështjet që kishin të bënin me të drejtat e njeriut dhe gjendjen e minoriteteve kombëtare brenda shteteve. Për më tepër, KSBE u shpërfaq strukturalisht ndryshe (më pak e burokratizuar dhe me mundësi më të mëdha për ndikim nga organizatat joqeveritare për të drejtat e njeriut), krahasuar me Këshillin e Evropës (KE) dhe Kombet e Bashkuara (KB). Një ndër arsyet kryesore për këtë ishte se KSBE u zhvillua si një proces i vazhdueshëm dhe arenë e dialogut ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit përmes takimeve vijuese të shteteve pjesëmarrëse dhe takimeve të ekspertëve, i bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975), dhe i njohur si Procesi i Helsinkit. Në periudhën deri në vitin 1989 mbledhjet e KSBE-s (me takimet pasuese) u mbajtën në Beograd (1976-’77), Madrid (1980-’83) dhe në Vjenë (1986-’89), dhe çështja e drejtave të njeriut ka dominuar në vazhdimësi në diskursin në mes të shteteve anëtare të KSBE-së gjatë Procesit të Helsinkit, në kuptimin se shtetet perëndimore i kritikonin vazhdimisht shtetet e Lindjes për shkelje të të drejtave politike dhe civile, ndërsa shtetet e Lindjes e refuzonin kritikën e shteteve perëndimore duke iu referuar njërit prej parimeve të Deklaratës së Helsinkit për mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve, njëkohësisht i kritikonin perëndimorët për shkelje të të drejtave ekonomike dhe sociale në shtetet e tyre. Në këtë kuptim, Grupet e Helsinkit/Komitetet e Helsinkit, nëpërmes Procesit të Helsinkit, kanë pasur rol vendimtar për bashkimin e shteteve perëndimore nëpërmes një diskursi të përbashkët për të drejtat e njeriut kundër Bashkimit Sovjetik dhe në tërësi kundër regjimeve të Evropës Lindore dhe më gjerë, ngaqë shtetet perëndimore në mënyrë unike gjithnjë e më shumë e rritnin presionin ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Lindjes, duke insistuar se të drejtat e njeriut nuk mund të cilësoheshin vetëm si çështje e brendshme e shteteve, siç i konvenonte Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera totalitare dhe autoritare. Në këtë vazhdë, Komitetet Kombëtare të Helsinkit në shtetet perëndimore, në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit, e themeluan Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit në vitin 1982, me qëllimin, përveç qëllimeve të tjera, të forcohet dhe bashkërendohet edhe më shumë veprimtaria ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të inkurajohen forcat opozitare në Lindje. Dhe, edhe pse autoritetet sovjetike (duke përfshirë autoritetet në shtetet tjera totalitare dhe autoritare të lindjes), vazhduan ta shtypnin popullsinë dhe situata mund të dukej e pashpresë për veprimtarët e drejtave të njeriut, megjithëkëtë roli i Grupeve të Helsinkit/Komiteteve të Helsinkit u bë gradualisht qendror në zhvillimin e Procesit të Helsinkit. [23] Në fakt, kur filloi Konferenca e Vjenës në vitin 1986, Andrei Sakharov ishte ende në “ekzilin e brendshëm” dhe shumica e aktivistëve të të drejtave të njeriut në Bashkimin Sovjetik ose u internuan ose u persekutuan nëpërmes metodave të tjera shtetërore. [24 ] Anatoly Marchenko, disident dhe një nga themeluesit e Grupit të Helsinkit të Moskës, arriti fshehurazi t’u dërgojë një apel delegacioneve të KSBE-s në takimin e Vjenës, në të cilin apel ai kërkoi mbështetje për t’u përmirësuar kushtet e dënimit në Bashkimin Sovjetik. Ndër të tjera, nëpërmes apelit, ai kërkonte ushqim më shpesh se çdo të dytën ditë. Marchenko vdiq në burg më 6 dhjetor 1986, pas 20 vjetësh burgim. Vdekja u shënua me një minutë heshtje e iniciuar nga kreu i delegacionit amerikan të KSBE-s, Warren Zimmermann, që rezultoi me largimin e delegacionit sovjetik të KSBE-s nga takimi, së bashku me delegacionin nga Bullgaria, nga Gjermania Lindore dhe nga Çekosllovakia. Ndërsa delegacioni nga Hungaria nuk veproi njëjtë në këtë takim, gjë që simbolizon edhe plasjen e parë të kohezionit të Traktatit të Varshavës. [25 ] Të njëjtin vit (1986), me presionin e Perëndimit, u lirua Andrei Sakharov dhe, në këtë vazhdë, gjatë procesit të mbledhjeve të rregullta të KSBE-s, në Vjenë, në vitet 1986-’89, u vendosën edhe parimet e KSBE-s për pjesëmarrje në proces të organizatave joqeveritare (Komiteteve të Helsinkit etj.).
Komiteti Norvegjez i Helsinkit (KNH) u themelua në vitin 1977, Komiteti Suedez i Helsinkit u themelua pesë vjet më vonë (1982), ndërsa Komiteti Danez i Helsinkit dhe Komiteti Finlandez i Helsinkit, u themeluan edhe më vonë, përkatësisht në vitin 1985. Themelimi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit që në vitin 1977 (pothuajse i pari në nivel të shteteve perëndimore evropiane), nuk mund të shpjegohet ndryshe përpos si një ndër indikatorët e rëndësishëm të politikës së jashtme proaktive norvegjeze në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Njëherësh kjo shpjegon edhe bashkëpunimin e hershëm të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, me Solidarnostin polak, me Helsinki Watch American (Human Rights Watch), me Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit dhe me strukturat e caktuara në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-s). Gjithashtu, kjo shpjegon pse Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH) ka arritur të ketë një ndikim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit. Prandaj, rrolin tejet të rëndësishëm të Berit Backerit dhe GBKNH-s për Kosovën (duke përfshirë organizimin e vizitës së parë parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990) etj., duhet vlerësuar dhe analizuar në kuadër të vazhdës dhe kontekstit të përgjithshëm të Procesit të Helsinkit. Përkatësisht duke marr pikënisje në etablimin e KSBE-së, si një arenë e konferencave ndërkombëtare, të bazuara në Deklaratën e Helsinkit (1975), që përkundër edhe mospajtimeve në mes të shteteve anëtare të KSBE-së, kontribuoi për relaksimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Lindjes dhe Perëndimit, dhe veçanërisht shënoi fillimin e një faze shumë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, e njohur si Procesi i Helsinkit, në kuptimin e ndërtimit të një Evrope të re dhe të një rendi të ri botëror. KSBE-ja, pasi që shërbeu rreth 20 vjet si arenë konferencash, u institucionalizua në vitin 1995 në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE. Rrjedhimisht, veprimtaria e përgjithshme për të drejtat e njeriut në vazhdën e Procesit të Helsinkit (nga viti 1975) dhe në këtë vazhdë, edhe politika reformiste e Mikhail Gorbatsjov (nga mesi i viteve `80) që njëkohësisht nënkuptonte se sistemet totalitare dhe autoritare duhej të fillonin të hapen ndaj parimit të Deklaratës së Helsinkit për të drejtat e njeriut, dhe sidomos shembja e murit të Berlinit, e kanë pasur ndikimin e vet shumë të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin dhe (me zhvillimin e ngjarjeve pasuese), edhe për legjitimimin e intervenimeve humanitare në Somali, Ruandë, ish-Jugosllavi dhe në vende të tjera.
PS
Pas vitit 2008, autori i këtij shkrimi i ka shkruar dy herë kërkesa Hashim Thaçit, duke i shpjeguar rëndësinë dhe borxhin që kemi ndaj popullit norvegjez dhe veçanërisht ndaj Berit Backerit, që t’i bëhet një nderim i dinjitetshëm Berit Backerit nga shteti i Kosovës. Pas shumë zvarritjeve dhe pasi që iu ankuam Adem Demaçit për këto zvarritje, më 14 maj 2018 Hashim Thaçi e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Kosovës, Berit Backerin.[26] Kjo medalje më pastaj (pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Norvegji në vitin 2019) u vendos në Ambasadë nga ambasadori Uliks Emra. Ndërsa me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ambasadorja e Kosovës në Norvegji, Nita Luci, në fjalimin e saj përmbajtjesor (në praninë edhe të shumë miqve norvegjezë), në shenjë nderimi e shprehi një falënderim të veçantë për kontributin e Berit Backerit. [27] Kjo është një biografi e shkurtër e Berit Backerit për kontributin e saj të veçantë dhe të dokumentuar për çështjen shqiptare, dhe jo një biografi e plotë që përfshinë edhe veprimtarinë e saj shkencore dhe këshilluese në institucionet shkencore dhe shtetërore norvegjeze, në organizatat ndërkombëtare, dhe në lidhje me aspekte të tjera jetësore të saj, në periudhën 1947 – 1993.