Lëvizja\UÇK

Gani Shala: Pranvera e Lavdishme Shqiptare ’81 – 42 vjetori

42-vjetori i fillimit të demonstratave studentore të vitit 1981.
Ripostim!
PRANVERË E LAVDISHME
Ishte muaji mars, një buzë mbrëmje, në oborrin e konviktit dëgjoheshin zërat e forta të demonstruesve: DUAM BUKË! DUAM BUKË! S’kishimi ç’të bënim, pa u hamendur iu bashkangjitëm turmës. Pas një ore turma e demonstruesve si një rrëshqanor gjigant u nis drejt qytetit duke brohoritur te njëjtat kërkesa. Me qjithëse ishte mbrëmje dhe nuk ia shihnin fytyrat njëri tjetrit, nga timbri i zërit dhe mënyra se si ecnin, kuptohej që turma ishte e vendosur në rrugën e saj. Herë-herë turma ndalje, pastaj përsëri vazhdonte rrugën drejt qendrës së qytetit. Qytetarët anës rrugës shikonin me fytyra të qeshura dhe na duartrokisnin në shenjë përkrahjeje, disa edhe na bashkangjiteshin, kështu që turma sa ecte rritej. Ecëm një copë herë të heshtur, herë krahas, herë njëri pas tjetrit, sipas gjerësisë se rrugës. Policia ishte vënë në dijeni, po nuk shiheshin gjëkundi, sigurisht qe prisnin të errësohej mirë, se ujku don mjegull – errësirë. Të gjithë e dinin se c’mund të na priste, por turma ecte krenare, duke shikuar me mospërfillje kamionin që na vinte pas, i cili ishte i mbushur plot policë.
Më vonë filloi përleshja. Policët filluan të zbresin me shpejtësi nga kamionët dhe me një egërsi të madhe filluan të ndërhynin duke hedhur gaz lotsjellës e duke goditur nga të gjitha anët. Kjo ndërhyrje e policisë bëri që turma e demonstruesve të bëhet edhe më e vendosur, kështu të bashkuar zumë vend jo fort larg mensës së studentëve. Plocia, pas ndërhyrjes së parë, priste si e NGUROSUR URDHËRIN PËR NDËRHYRJE TË DYTË MBI demostruesit. Por kësaj radhe punën e policisë e bënë disa funksionarë me fjalime. Derisa ata flisnin, si oratorë të regjur ne dëgjonim fjalimet e tyre dhe i shikonim me një urrejtje të madhe. Dukej se nuk i besonin fjalës së tyre. Fjalimet dhe KËSHILLAT e politikanëve të falimentuar e të intelektualëve të kalbur nuk dhanë rezultate. Pasi ikën ata përsëri ndërhyri policia me shkopinjë gome dhe gaz lotësjells. Turma filloi të shpërndahet në drejtime të ndryeshme… Ishte afruar mëngjesi dhe ende kishte mbetur një grup jo i vogël demonstruesish…
Mëngjesi erdhi i ftohtë dhe oborret e konvikteve u mbushen me policë dhe njerëz të UDB-së xhelate. Filluan arrestimet e studentëve dhe rrahjet… Tek-tuk ende tymonin gëzhojat e gazit lotsjellës…
…26 mars… Qyteti i Kosovës, Prishtina ishte stolisur me flamuj të ndryshëm, pritej ardhja e stafetës së xhelatit Tito… Populli shqiptar nuk doli të priste stafetën a atij që ia kishte rrëmbyer të drejtën për vetëvendosje. Atë ditë ishte një ditë me diell, tamam ditë pranvere. Qetësia nëpër konvikte jepte të kuptohej se së shpejti do të ndodhte diçka. Dhe vërtetë ashtu edhe ndodhi. Filloi ngadalë një tubim i studentëve që banonin në konvikte. Për këtë tubim shumë shpejt kishin marrë vesh edhe organet e sigurimit dhe politikanët e burokratizuar shqiptarë. Ja në mesin e demonstruesve një politikan i veshur mirë, një burrë i shëndoshë, plotë dhjamë, filloi të fliste për TË DREJTA që po gëzuaka populli shqiptar nën Jugosllavinë e Titos, për TË ARRITURAT në lëmin e shkencës dhe kulturës, se këto demonstratat i organizuakan nacionalistët dhe irredentistët që s’ia duan të mirën popullit shqiptarë. Turma e dëgjonte me mospërfillje, sepse në ato fjalë nuk kishte asgjë të përbashkët me interesat e popullit. Por kapadaillëku i tij nuk zgjati shumë. Ndërhyri një djalë rreth njëzet e katër vjec, një djalë i pashëm, i cili filloi t’i kundërvihej me argumente fjalimit të atij politikani… Fjalët e atij studenti të zgjuar na dhanë kurajo. Filluan edhe brohoritjet e fuqishme KOSOVA REPUBLIKË. Atmosfera gjithnjë elektrizohej. Demonstruesit marrin drejtimin për në qendër të qytetit. Por policia ndërhyri me egërsi dhe përpos gazit lotësjellës dëgjoheshin edhe të shtëna armësh. Ja pak më tutje në mes të demonstruesve kalonte NDIHME E SHPEJTË. Dëgjoheshin zëra gjithnjë e më të fuqishëm: KOSOVA REPUBLIKË! KOSOVA REPUBLIKË! Pak më tutje disa zëra thonin NA E VRANË NJË SHOK. Turma e demonstruesve bërtiste edhe më me forcë. Orët kalonin njëra pas tjetrës, por demonstruesit nuk shpërndaheshin. Policisë së Kosovës filluan t’i vijnë në ndihmë edhe policia shovene e Beogradit, e cila ishte një polici fashiste. Rrethuan konviktet nga të katër anët. Kërciste automatiku. Hidhej gaz lotsjellës dhe helm që të zinte frymën. Nga ky shkak disa shoqe dhe shokë që ishin me të dobët nga shëndeti binin për tokë. Por ndihma e shokëve ishte e shpejtë, dhe nuk linin që në asnjë mënyrë të binte kush në duart e armikut. Turma filloi të shpërndahej në drejtime të ndryshme. Ujqit bënin punën e tyre duke vrapuar pas djemëve dhe vajzave shqiptare. U arrestuan, u plagosën e u rrahën shumë të rinj e të reja, por vendosmëria për të kërkuar KOSOVËN REPUBLIKË gjithnjë e më tepër rritej. Pas disa orësh mbi oborrin e konvikteve kishte rënë errësira. Diku më tutje ende dëgjoheshin zërat në gjuhë të huaj që mbi ne kishin bërë masakër. Dëgjohej zhurma e automjeteve të mbushura përplot policë që prisnin të gatshëm për ndërhyrje… Pak studentë kishin mbetur në konvikte. Ashtu të lodhur e të rraskapitur i kujtonin ngjarjet e ditës. Dritat ne konvikte fikeshin njëra pas tjetrës…
Ngjarjet e 11 e të 26 marsit kishin mbetur të ngulitura në kujtesën e popullit dhe e përgadisnin atë në rrugët e vështira, drejt realizimit të kërkesave të tij. Ditët ecnin me vështirësi… Populli u ngrit i tëri ne këmbë për të drejtat e tij, por kësaj radhe edhe më i bashkuar. Fillimi i muajit prill e gjeti tërë Kosovën ne këmbë. Në cdo qytet bëheshin demonstratat. Përpos ndërhyrjes së policisë ne masat e gjëra edhe ushtria NDIHMONTE në rregullimin e situatës. U plagosën e u vranë njerëz të pafajshëm. Populli shqiptar po përjetonte tmerre e persekutime… Por ky popull martir s’u thye kurrë, vazhdoi me vendosmëri rrugën drejtë lirisë…