TIRANË, 4 mars /ATSH – I. Vata/ Punimet për zhvillimin urban dhe turistik të lagjes Goricë në Berat janë drejt përfundimit.
Kryeministri Edi Rama solli pasditen e sotme përmes rrjeteve sociale pamje nga lagjja Goricë, ku punohet për të përfunduar investimin.
Investimi në lagjen muzeale “Goricë”, nisi në verë të vitit 2021 për ta bërë atë një nga lagjet më të vizituara në Shqipëri.
Ky projekt i rëndësishëm realizohet falë bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, financuar nga Banka Botërore dhe do të sjellë zgjerim të rrugës midis dy urave dhe pedonale të re.
Investimi parashikon trajtimin e infrastrukturës nëntokësore, trajtimin e rrugicave dhe mureve, si dhe ndriçim artistik. Rehabilitimi i “Urës së Varur” dhe krijimi i mundësive të parkimit janë dy elementë të tjerë të këtij projekti që do t’i japin një tjetër zhvillim zonës.
Lagjia Goricë është emblematike për qytetin e Beratit. Në shek. XVII kjo lagje numëronte rreth 200 shtëpi, ndërkohë pamjet e sotme arkitektonike të banesave, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, u janë nënshtruar rindërtimeve të thella pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1851. Disa banesa dhe porta, në ballin e tyre mbajnë pikërisht datimin e kësaj periudhe rindërtimi, pra, të gjysmës së dytë të shek. XIX.