Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXVII)
LYBETENI – FSHATI I PELIVANËVE, I DUHANIT DHE I MASAKRËS
Rreth 13 km në veri të qytetit të Shkupit, në Fushën e Shkupit e në rrëzë të maleve të Karadakut të Shkupit, ndodhet fshati Lybeten (i Shkupit). Lybeteni është ndër fshatrat më të vjetra të Karadakut, që i përket komunës së Butelit dhe është në përbërje të Qytetit të Shkupit. Vjetërsinë e fshatit e vërteton një kishë ortodokse e vitit 1337, e rindërtuar në vitin 1928.
Në një libër të Gj. Petrov të vitit 1896 shkruan se Lybeteni kishte 70 shtëpi, nga të cilat pesë ishin maqedonase. Kurse, sipas një etnografi bullgar, në vitin 1900 fshati Lybeten kishte 445 banorë, nga të cilët 45 banorë ishin maqedonas. E sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, Lybeteni kishte 2343 banorë, nga të cilët 115 ishin maqedonas. Kurse, sipas regjistrimit të vitit 2021 ky fshat kishte 2688 banorë, nga të cilët 76 ishin maqedonas.
Në verën e vitit 2001 Lybeteni ishte bërë një vatër e nxehtë e luftës mes forcave policore e ushtarake maqedonase dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në Lybeten një njësit policor maqedonas ka kryer një aksion, duke bërë masakër të rëndë mbi popullsinë civile shqiptare. Gjatë një ndërhyrjeje policore, në mëngjesin e 12 gushtit 2001, një njësit policor maqedonas ka hapur zjarr mbi popullsinë civile të paarmatosur, duke vrarë një fëmijë 6-vjeçar dhe nëntë qytetarë tjerë të Lybetenit, duke arrestuar, terrorizuar e keqtrajtuar mbi 100 banorë dhe duke i vënë flakën 14 shtëpive të fshatit. Kjo masakër sikur u gjykua nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Hagë, me ç’rast u dënua me 12 vjet burg, për urdhërim, planifikim e nxitje të krimeve, komandanti i njësisë së intervenimit i Policisë maqedonase (i mbajti tetë vjet), ndërsa ministri i Brendshëm i R. së Maqedonisë u lirua nga akuza(!). Kjo ishte e vetmja çështje gjyqësore që u shqyrtua nga Tribunali i Hagës lidhur me luftën në Maqedoni.
Aksionet e shpeshta policore, me rrethim të fshatit e të pajisura me armatim luftarak, janë zhvilluar edhe herë tjera pas vitit 2001, kryesisht me pretekst të kërkimit të armëve apo për konfiskim të duhanit, që banorët e prodhojnë vetë. Ndërhyrjet policore përherë kanë pas edhe prapavijë politike, me qëllim që përmes presionit t’i detyrojnë shqiptarët ta braktisin fshatin. Presione, në forma të ndryshme banorëve të Lybetenit ndonjëherë u kanë ardhur edhe nga popullsia maqedonase e fshatrave fqinje.
Fshati Lybeten diskriminohet edhe nga komuna e Butelit, që ka popullsi shumicë maqedonase, duke e lënë larg vëmendjes për investime. Edhe pse Lybeteni ka të ndërtuar rrjetin e ujësjellësit, problemin më të madh banorët e kanë me furnizim me ujë të pijes. Rezervuari i ujit është në gjendje shumë të keqe. Uji nga ujësjellësi i fshatit është i pamjaftueshëm dhe nuk mund ta shfrytëzohet, pasi vjen i turbullt e shpeshherë edhe me rërë e baltë, pasi nuk ka filtrim. Përdorimi i ujit është i ndaluar edhe për pije, edhe për pastrim. Me vetëfinancim banorët e kanë sjellë ujin nga bjeshka dhe i kanë ndërtuar dy çezma të përbashkëta në periferi të fshatit, nga të cilat furnizohen me ujë shtëpitë e fshatit. Në mal, mbi fshat ekziston një burim i madh me ujë shumë të mirë. Për ta zgjidhur problemin e furnizimit me ujë është bërë projekti i lidhjes së ujësjellësit të fshatit me ujësjellësin e qytetit të Shkupit, mirëpo ende nuk ka asgjë në këtë drejtim. Banorët ankohen edhe për gjendjen e rrugëve të fshatit. Pos në ndërtimin e infrastrukturës, banorët e fshatit Lybeten diskriminohen edhe në punësime, duke i injoruar plotësisht në pjesëmarrje të pushtetit komunal. Duke mos pas mundësi për mbijetesë dhe perspektivë të qartë për të ardhmen, të rinjtë e fshatit po ikin gjithnjë e më shumë në botën e jashtme.
Lybeteni është ndër fshatrat e rrallë që ka shtëpi të kulturës, me emrin “28 Nëntori”, ku vepron me sukses ansambli i këngëve e valleve “Cenë Leka”. Shkolla fillore “Liman Kaba” e Lybetenit, që ka rreth 500 nxënës, është e pajisur me kabinet modern të informatikës dhe me sallë të edukatës fizike.
E Lybeteni njihet edhe si fshat i pelivanëve. Këtu organizohen garat në mundje tradicionale apo zhvillohet manifestimi kulturor – sportiv i mundjes, me pjesëmarrje të mundësve apo pelivanëve nga tërë Maqedonia e Veriut. Pos garave tradicionale të mundjes, me këtë rast shfaqen edhe vlera etno-kulturore popullore të traditës sonë.
Pozita e Lybetenit dhe kushtet natyrore, toka pjellore, pyjet e larta e kullosat e gjera në shpatet e maleve të Karadakut mundësojnë zhvillimin e përparuar të bujqësisë e blegtorisë, kurse mbi fshat ka kushte për zhvillimin e turizmit fshatar. Lybeteni posaçërisht është i njohur për kultivimin e duhanit, përmes të cilit shumica e banorëve e sigurojnë jetesën. Përmes Lybetenit përshkon Lumi i Lybetenit, i cili buron mbi fshat, duke siguruar ujitjen e arave të fshatit.
Sot fshati Lybeten i Shkupit është ndërtuar e zgjeruar mjaft shumë. Madje, një numër mërgimtarësh kanë filluar të kthehen, duke ndërtuar shtëpi të reja dhe jetë të re në vendlindjen e tyre.
add a comment