Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXVI)
KUMANOVA – QYTETI I MARRËVESHJES, KU KAPITULLOI SERBIA
Një qytet interesant, i madh dhe i zhvilluar shtrihet në një fushë të begatshme pranë maleve të Karadakut, rreth 40 km nga Shkupi dhe 26 km nga qyteti i Preshevës. Në 340 metra lartësi mbidetare, qyteti i Kumanovës zotëron pozitë të mirë gjeostrategjike, nga ku përshkojnë korridoret evropiane veri – jug dhe lindje – perëndim, si dhe korridori hekurudhor Shkup – Nish.
Kumanova është qendër komunale me 47 fshatra malore dhe fushore. Rrëzës së maleve të Karadakut shtrihet një varg i gjatë me fshatra shqiptare. Në qytetin e Kumanovës gravitojnë fshatrat malore shqiptare: Allashec, Bellanoc, Runicë, Strimë, Orkoc, Izvor, Goshincë, Shtrazë, Gllazhnjë dhe Zllokuçan, si dhe fshatrat fushore Sllupçan, Orizare, Likovë, Hotël, Ropalcë, Vishticë, Nikushtak, Vaksincë, Llojan dhe Çerkez. Fshatra me popullsi të përzier shqiptare dhe sllave janë Opaja, Llopati, Rramanlia, Sopoti dhe Mateçi. Në Kumanovë gravitojnë edhe fshatrat e komunës së Likovës, komunë kjo e ndarë para disa viteve nga komuna e Kumanovës.
Në hershmëri zona e Kumanovës ishte e banuar nga fisi ilir i dardanëve, kurse vendbanimi njihet me emrin Zheglig, kurse në kohën romake, kur ishte fshat i madh, e quanin Umbra-Nova, Umeonovo apo Cumaenova (Cum-a-nova). Historiani romak, Sallust, e përmend fshatin si Zheglig – Cumaenova. Sot vjetërsinë e vendbanimeve të zonës së Kumanovës e tregojnë edhe arkitektura antike, mbetjet dhe artefaktet e gjetura në lokalitete arkeologjike, si dhe xhamitë, kishat, hamamet etj. Në mesin e shumë monumenteve të trashëgimisë veçojmë observatorin e lashtë astronomik nga koha e bronzit për vëzhgimin e trupave qiellorë, me vjetërsi 4000-vjeçare, që ndodhet 30 km në verilindje të Kumanovës dhe që zë vendin e katërt në listën e observatorëve të vjetër të NASA-s.
Si vendbanim, Kumanova përmendet në vitin 1519, kur kishte 52 familje me rreth 300 banorë. Sipas kronistit Evlia Çelebia, në vitin 1660 Kumanova ishte në përbërje të Sanxhakut të Shkupit dhe kishte rreth 600 shtëpi, pastaj kishte edhe xhami, teqe, medrese, hane, hamam dhe dyqane. Kronisti frëng, Ami Bue, ka shkruar se në vitin 1836 Kumanova kishte 3000 banorë, kurse konsulli austriak, J.G. Hahn, thotë se në vitin 1835 qyteti kishte 650 shtëpi. Në fillim të shek. XX qyteti kishte 15 mijë banorë, në vitin 1948 kishte 20 mijë dhe në vitin 2002 – rreth 105 mijë banorë. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, qyteti i Kumanovës kishte rreth 138 mijë banorë, prej të cilëve rreth 56 për qind janë maqedonas, 26 për qind shqiptarë, 6.50 për qind serbë etj.
Në Kumanovë në janarin e vitit 1909 është themeluar “Klubi shqiptar i Kumanovës”, i udhëhequr nga mësuesi atdhetar Jashar Erebara. Ky klub përgatiti abetaren “Abeceja shqipe”, ku mësohej shkrim- leximi. Pas LDB në Kumanovë ka funksionuar me shumë sukses ansambli artistik “Bajram Shabani”.
Kur flasim për numrin e popullsisë së Kumanovës duhet të kemi parasysh dy procese demografike, të zhvilluara nën regjimet sllave; procesin e kolonizimit të zonës së Kumanovës me popullsi serbe dhe procesin e shpërnguljes së popullsisë shqiptare në Turqi. Shpërnguljet e mëdha të popullsisë shqiptare në Turqi janë bërë në dy etapa; brenda viteve 1919 – 1941 dhe brenda viteve 1953 – 1968, kur vatrat e tyre i kanë lënë mijëra familje. Sidoqoftë, numri i popullsisë së qytetit të Kumanovës është rritur shumë, veçanërisht pas ndërtimit të hekurudhës Shkup – Kumanovë – Nish. Rritja e numrit të popullsisë në qytet ka ardhur kryesisht nga lëvizjet nga fshati në qytet.
Pas Luftës së Dytë Botërore Kumanova është transformuar në një qytet bashkëkohor. Merret si komuna më e madhe me territor dhe qyteti më i zhvilluar industrial në Maqedoninë Veriore, pas Shkupit. Është qendër komunale dhe qendër e rëndësishme tregtare, kulturore, arsimore, administrative, me industri metalike, ndërtimore, të duhanit, të tekstilit, fabrikë të lëkurë – këpucëve, si dhe me institucionet kulturore; bibliotekën, qendrën kulturore, muzeun, teatrin, kolonitë artistike etj. Gjithashtu, Kumanova ka katër shkolla të mesme, dy shkolla fillore dhe Fakultetin e Administrimit të Biznesit (në gjuhën shqipe).
Zona e Kumanovës shpeshherë ishte arenë e betejave dhe e luftërave të përgjakshme. Një betejë e madhe mes ushtrisë turke, kryesisht me vullnetarë shqiptarë, nga njëra anë dhe Armatës së Parë të Mbretërisë serbe, me 126 mijë ushtarë, e udhëhequr nga A. Karagjorgjeviqi, nga ana tjetër, është zhvilluar afër Kumanovës më 23 – 24 tetor 1912. Shqiptarët luftuan heroikisht në anën turke, me qëllim të mbrojtjes së tokave tona nga fqinjët grabitqarë, kur ranë heroikisht mbi 10 mijë kryengritës. Idriz Seferi kishte mobilizuar në Moravë e Karadak mbi 6000 luftëtarë. E luftëtarët shqiptarë, edhe pse ishin tradhtuar nga Armata turke e Vardarit, e cila kishte ikur nga fushëbeteja, kishte vazhduar luftën të vetëm, pa armë e municione. Vet Karagjorgjeviqi ka pohuar, pas betejës; “Karakteristikë është se shumë pak nga të vrarët dhe të arrestuarit janë trupa të rregullta turke, … shumica prej tyre janë shqiptarë”. Fitorja e serbëve në Kumanovë i hapi dyert t’i pushtojnë, pa rezistencë të organizuar, tokat e mbetura “pa zot” dhe të zbatojnë terror e gjenocid mbi popullsinë shqiptare.
Në Kumanovë e rrethinë janë zhvilluar shumë ngjarje historike, nga të cilat do t’i veçojmë disa prej tyre. Në qytetin e Kumanovës, më 9 qershor 1999, janë zhvilluar bisedimet midis shtabit të NATO-s dhe shtabit të Ushtrisë jugosllave për luftën në Kosovë. Marrëveshja Ushtarake Teknike e Kumanovës i dha fund kësaj lufte, sepse Serbia u detyrua të tërhiqet nga Kosova me të gjitha forcat ushtarake, policore dhe me administratën serbe, kurse në Kosovë u vendos misioni ushtarak i NATO-s, KFOR dhe misioni civil i OKB-së, UNMIK.
Në vitin 2001 rrethina e Kumanovës u gjet në një luftë të re, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Në këtë luftë janë sulmuar me bombardime nga ajri dhe me arsenal të rëndë të armatimit fshatrat shqiptare të rrëzës së Karadakut: Vaksinca, Sllupçani, Matejçi, Lopati, Hotla etj. Popullsia e këtyre fshatrave u organizuan në vetëmbrojtje, duke u rezistuar forcave shoviniste maqedonase, me ç’rast kanë rënë në fushën e nderit shumë dëshmorë e martirë dhe janë djegur shumë shtëpi.
Në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, më 9 maj 2015, është zhvilluar një konflikt i armatosur mes një grupi shqiptarësh, i njohur si “Grupi i Kumanovës” dhe policisë së Republikës së Maqedonisë. Në këtë përballje të përgjakshme janë vrarë 10 pjesëtarë të grupit dhe tetë policë, si dhe janë plagosur 37 persona. Gjithashtu, shtatë pjesëtarë janë dënuar me burgim të përjetshëm, 25 të tjerë janë dënuar me nga 12 deri 40 vjet burg (gjithsej 746 vjet).
Komuna e Kumanovës sikur nuk e njeh gjuhën shqipe. Në hapësirat e objektit të komunës nuk shihen mbishkrime në gjuhën shqipe apo, aty ku janë, janë me gabime.
Me të gjitha problemet, me të cilat përballet qyteti i Kumanovës, është kënaqësi të vizitohet ky qytet i bukur bashkëkohor, i cili ruan me fanatizëm traditat shqiptare. Përkundër sakrificave të mëdha dhe rezistencës për të mos iu nënshtruar regjimeve shoviniste antishqiptare, Kumanova ka ditur dhe ka mundur të mbijetojë si një qytet shqiptar. Dhuna e egër dhe diskriminimi i shqiptarëve ka qenë i vazhdueshëm, me qëllim që atyre t’ua bënin jetën të padurueshme dhe të iknin nga vendi i tyre. Por, pa sukses! Shqiptarët kanë vazhduar jetën në trojet e tyre të vendosur dhe krenarë. Kumanova sot paraqitet një qytet i qetë i bashkëjetesës, ku gërshetohen në paqe etnitë, kulturat, traditat, religjionet.
add a comment