Zgjedhja e Joe Biden për president të Shteteve të Bashkuara është një lajm shumë i mirë për demokracinë në botë. Edhe Kosova dhe shqiptarët mund vetëm të përfitojnë nga ndryshimi i administratës së SHBA.
Presidenti i SHBA Donald Trump para ardhjes në pushtet lansoi platformën “Amerika së pari” (angl. America first). Kjo u interpretua nga analistë të shumtë si një paradigmë nacionalcentrike dhe izolacioniste. Presidenti Trump sinjalizonte përmes saj që vëmendja e politikës së jashtme të SHBA duhej përqëndruar në interesin ekonomik dhe tregtar në marrëdhëniet me vendet e tjera. Demokracia, si elementi qenësor i ndikimit në botë të SHBA, u shmang nga prioritetet në katër vitet e kaluara. Qëndrimi i tillë pati një reflektim indirekt në drejtim të rritjes së autoritarizmit, nacionalizmit dhe iliberalizmit në Evropë dhe gjithandej globit. Besimi në demokraci filloi të zbehej. Sistemi ndërkombëtar i ndërtuar dhe udhëhequr nga SHBA prej deceniesh po shpërbëhej. Sfidat me karakter të rëndësisë globale si ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike, migracioni masiv, revolucioni teknologjik në zhvillim dhe sëmundjet infektive në nivel pandemie nuk mund të menaxhoheshin dot sipas parimit nacionalcentrik.
Mosangazhimi tradicional i SHBA për zhvillimet demokratike u reflektua gjithandej globit. Freedom House ka deklaruar se 22 nga 41 shtete që janë konsideruar si shtete të lira demokratike, në pesë vitet e fundit kanë rrëshqitur drejt autokracisë. Rusia nga një shtet “pjesërisht i lirë” është renditur në kuadrin e shteteve “jo të lira”, kurse Turqia, e cila konsiderohej si “pjesërisht i lirë” është renditur poashtu në kuadrin e shteteve “jo të lira.” Nga një vend “i lirë” në kuadrin e vendeve “pjesërisht të lira” është ranguar edhe Hungaria, që është anëtare e BE.
Por, presidenti i ri amerikan do të detyrohet të ndeshet edhe me një numër të madh sfidash, për të rikthyer politikën amerikane nga centrizmi në drejtim të institucionalizmit ndërkombëtar. Hapi i parë i paralajmëruar është rikthimi i besimit te partnerët tradicionalë të SHBA në Evropë, Australi, Japoni dhe Kanada. Vetëm përmes një rikthimi drejt partneritetit mund të sigurohet sërish roli drejtues i SHBA drejt vlerave demokratike në Evropë dhe kudo në botë. Platforma “America first” pritet të zëvendësohet me sintagmën “America together with his partners.”
Në angazhimin e tij për zgjerimin e demokracisë kudo në botë presidenti Biden do të ndeshet në rrafshin politik me shtetet diktatoriale, autoritare ose, siç i konsideron Freedom House, me shtetet jo të lira. Në këtë radhë hyjnë Republika Popullore e Kinës, Rusia, Irani, Kuba dhe një numër i madh i vendeve të Azisë dhe Afrikës si dhe disa nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore.
Ndryshe nga presidenti Trump, i cili pati një sjellje tejet të kujdesshmë në marrëdhëniet me Rusinë dhe presidentin autokrat rus Putin si dhe me liderin korenoverior Kim Jong-un, presidenti Biden pritet të mbajë qëndrim shumë më të ashpër ndaj Rusisë dhe Koresë së Veriut, në mbrojtje të vlerave demokratike. Biden është një mbështetës shumë i madh i Ukrainës në konfliktin me Rusinë, dhe pritet që ai nuk do të mbështesë rikthimin e Federatës Ruse në grupin e vendeve të zhvilluara G-7 pa ndryshmin e politikës së saj ndaj Ukrainës. Koreja e Veriut do të ndeshet me presione të mëdha për të ndalur provokimet e saj ndaj Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera përmes testeve të saj nukleare.
Raportet e SHBA me Kinën do të vazhdojnë të jenë ambivalente. Biden e njeh shumë mirë liderin kinez Xi Jinping. Ka kaluar shumë orë diskutimesh me të në të kaluarën. Ai, në njërën anë, do të angazhohet të kundërshtojë shtrirjen e ndikimit kinez, duke promovuar modelin e saj autokratik njëpartiak; do të kritikojë qeverinë kineze për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë, sidomos përmes të ashtuquajturave “kampe të riedukimit” në rajonin e popullsisë uigure në Xinjiang dhe shtypjes brutale të të drejtave të popullit të Tibetit; do të ndërmarrë masa ndaj vjedhjes së pronës intelektuale në fushën e teknikës dhe teknologjisë nga kompanitë kineze; por në anën tjetër do të mundohet që me Kinën të bashkëpunojë në fusha të interesit global siç janë masat kundër ngrohjes globale, mospërhapja e armëve dhe siguria globale, luftimi i përbashkët i pandemisë etj. Në angazhimin e tij për të dobësuar ndikimin kinez në rrafshin tragtar dhe politik, Biden do të fokusohet për të krijuar një koalicion me aleatët perëndimorë, Japoninë, Australinë dhe Kanadanë.
Si një nga politikanët më me përvojë në SHBA, presidenti i ri Joe Biden pritet të përdorë diplomacinë si instrument për të realizuar interesat amerikane dhe etabluar demokracinë në botë. Siç ka paralajmëruar vet do të rikthehet te Marrëveshja e Parisit për Mbrojtjen e Klimës, Marrëveshja P5+1 për Iranin, do të rivendosw rolin udhëheqës të SHBA brenda NATO-s, do të rikthehet në Partneritetin Trans-Atlantik me 11 vendet e Azisë dhe Oqeanisë, do të rikthejë anëtarësinë në UNESCO, të suspenduara nga administrata e presidentit Donald Trump etj.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka premtuar se do ta rivendosw kulturën tradicionale të veprimit të SHBA në rrafshin e demokracisë. Gjatë vitit të parë të mandatit të tij do të organizoj një Samit Global për Demokracinë, për të ringjallur frymën demokratike dhe mbështetur demokracinë në botë. Luftimi i korrupsionit, vendosja e transparencës financiare në sistemin global financiar, mbrojtja kundër autoritarizmit dhe autokracisë si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut gjithandej botës do të jetë synimi i Samitit.
Dhe, për të përshkruar atë që pritet të ndodh për forcimin e demokracisë, le të shërbehemi me fjalët e vet presidentit Biden: “Putini dëshiron t’i thotë vetes dhe cilitdo tjetër që mund ta besojë atë, se ideja liberale është “e vjetëruar”. Por ai e bën këtë sepse ka frikë nga fuqia e saj. Asnjë ushtri në tokë nuk mund të përputhet me mënyrën se si ideja energjike e lirisë kalon lirshëm nga personi në person, kërcen kufijtë, kapërcen gjuhët dhe kulturat dhe mbingarkon bashkësitë e qytetarëve të zakonshëm në aktivistë dhe organizatorë dhe veprimtarë të ndryshimit. Ne duhet ta shfrytëzojmë edhe një herë atë fuqi dhe të bashkojmë botën e lirë për të përmbushur sfidat me të cilat përballet bota sot. U bie Shteteve të Bashkuara për të udhëhequr rrugën. Asnjë komb tjetër nuk e ka atë kapacitet. Asnjë komb tjetër nuk është ndërtuar mbi atë ide. Ne duhet të mbështesim lirinë dhe demokracinë, të rimarrim besueshmërinë tonë dhe të shohim me optimizëm dhe vendosmëri të paepur drejt së ardhmes sonë.”
Një iniciativë e tillë e presidentit Joe Biden duhet aplauduar edhe në rajonin tonë. Për fat të keq, të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore, që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, nga Freedom House janë renditur si vende “pjesërisht të lira”: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia. Nevoja për një investim serioz në drejtim të demokracisë në Evropën Juglindore është imanente.
Kosova ka potencial për të lëvizur nga shtet “pjesërisht i lirë” në një “shtet të lirë” demokratik. Qytetarët e Kosovës kanë dije dhe kulturë për të mbështetur përparimin e demokracisë. Elita politike e Kosovës duhet të fokusohet shumë drejt konsolidimit të saj demokratik: luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sistemit të drejtësisë dhe rikthimi drejt stabilitetit institucional, të legjitimuar përmes votës qytetare. Jam i sigurt se mbështetja e presidentit Joe Biden dhe administartës së re nuk do të mungojë.
Fitorja e presidentit Joe Biden pritet të ketë reflektime serioze edhe në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Presidenti Biden i njeh mirë jo vetëm gjeografinë, por edhe historinë dhe politikën e Kosovës. Ai e di, më mirë se shumë aktorë të tjerë ndërkombëtarë, burimin e konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Nominimi për Sekretar të Shtetit të SHBA i z. Antony Blinken ështe një sinjal i qartë se presidenti i zgjedhur Joe Biden do të ndjek një kurs krejt tjetër nga Administrata e Presidentit Donald Trump. Blinken do t’a rikthejë politikën e bashkëpunimit me partnerët tradicionalë të SHBA dhe me këtë edhe do ta rikthejë rolin udhëheqës të SHBA në nivel global përmes vlerave euro-atlantike.
Blinken përshkruhet si njeri shumë i matur, i përmbajtur, i orientuar drejt qëllimit dhe me mjaft përvojë në politikën e jashtme.
Emërimi i Sekretarit të ri të Shtetit Antony Blinken është lajm i mirë edhe për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Ai e njeh shumë mirë vendin tonë, ka qenë në mbështetje të drejtpërdrejtë të etablimit të Republikës së Kosoves në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka punuar ngushtë me presidentin Biden në të kaluarën.
Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari