STAMBOLL, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi dhe Siri ka arritur në 20 000, ndërsa shpresa për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shembura po zbehet.
Në Turqi dhe Siri u raportuan respektivisht, 16 546 dhe 3 317 vdekje, duke e çuar totalin e tyre në mbi 19 800.
Autoritetet thanë se mbi 66 000 persona u plagosën në Turqi dhe më shumë se 5 200 në Siri.
Shumë të tjerë mbetën pa banesa dhe në pamundësi për të aksesuar mallrat dhe shërbimet bazë, veçanërisht në Sirinë e shkatërruar nga lufta, ku ndihma ndërkombëtare ka qenë e ngadaltë për të mbërritur.
Qeveria turke tha se mbi 100 000 persona ishin angazhuar në pastrimin e rrënojave për të katërtën ditë, duke përfshirë ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit.
Transmetuesi publik turk TRT raportoi se rreth 8 000 persona ishin shpëtuar nga rrënojat në Turqi deri më tani.
Njëzet e shtatë liderët e Bashkimit Evropian i drejtuan një letër presidentit turk, Erdogan, duke deklaruar solidaritetin e tyre me popullin e vendit të tij që po përjeton një ngjarje kaq të rëndë.
“BE zotohet të ofrojë më shumë ndihmë dhe krerët e bllokut janë të gatshëm për të dhënë mbështetjen e tyre të mëtejshme për Turqinë”, sipas një zyrtari të BE-së.
Udhëheqësit e BE-së mbajtën gjithashtu një minutë heshtje në një samit të BE-së në Bruksel për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.//a.i/