Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXIII)
PËRLEPNICA – FSHATI I VEÇANTIVE DHE I TRADITAVE TË PASURA ATDHETARE
Kemi dëgjuar shpesh për Përlepnicën, për këtë fshat nga më të njohurit, më të zhvilluarit e më të vjetrit në komunën e Gjilanit dhe në Moravë, për këtë fshat të traditave të pasura kulturore, historike e atdhetare. Ndodhet në vendin ku ndahet fusha e Moravës me malet e Gallapit, 7 km nga qyteti i Gjilanit dhe 2 km nga rruga Gjilan – Bujanocë.
Mendohet se Përlepnica ishte një vendbanim i vjetër ilir. Kur është ndërtuar penda e liqenit grumbullues mbi fshat, aty janë gjetur disa mure të vjetra antike, si dhe qeramikë, shtampa uji, shpata etj. Edhe në fshat janë gjetur qypa, shpata e gjësende tjera, por që nuk janë bërë studime të mëtejshme shkencore rreth tyre. Në afërsi të Përlepnicës ndodhej vendbanimi i quajtur “Harnica”, që konsiderohej si një lagje e Artanës. Në mesjetë fshati lidhej ngushtë me qytetin e madh të Artanës, sepse Artana lidhej me botën përmes rrugës së vjetër Artanë – Përlepnicë.
Tradicionalisht banorët e Përlepnicës janë marrë me bujqësi e blegtori, veçanërisht me kultivimin e drithërave, të perimeve dhe të duhanit. Me mbylljen e kombinatit të duhanit të Gjilanit, pas luftës, kultivimi i duhanit ka rënë në tërësi. Tash në fshat ka ferma bagëtish dhe shumë sera perimesh. Dikur në fshat funksiononte kooperativa bujqësore “Përlepnica”, e cila më nuk ekziston. Përlepnica ishte fshat i mbi 10 mullinjve të ujit dhe të një valavice, të cilët më nuk ekzistojnë.
Llogaritet se Përlepnica ka rreth 450 shtëpi me mbi 2500 banorë. Më përpara fshati kishte më shumë banorë, por emigrimi e ka zvogëluar dukshëm numrin e popullsisë. Në pranverën e vitit 1999 milicia serbe e ka dëbuar tërë popullsinë e fshatit, kur i kishte djegur 123 shtëpi banimi e 88 objekte tjera përcjellëse dhe kur e kishte djegur edhe xhaminë dhe bibliotekën e fshatit. Përndryshe, Përlepnica është një fshat i qetë e përparimtar, i arsimuar, i kulturuar e punëtor. Nuk mbahet mend që brenda fshatit të kishte ngatërresa apo vrasje.
Nëpërmes fshatit rrjedhë lumthi i Përlepnicës, degë e majtë e lumit Morava e Binçës, kurse mbi fshat dhe në lumthin e Përlepnicës, në një grykë mali të Gallapit ndodhet një bukuri e rrallë e fshehur në mal, penda dhe liqeni i vogël grumbullues i ujit të pijes, nga i cili furnizohet fshati Përlepnicë dhe pjesa më e madhe e qytetit të Gjilanit. Liqeni është i gjatë 3.5 km, i gjerë deri 200 metra dhe i thellë nga 4 deri 31 metra. Në këtë liqen jetojnë 10 lloje të peshqve dhe shumë gjallesa tjera autoktone. Penda dhe liqeni i Përlepnicës është ndërtuar në mbarim të viteve ’60-ta dhe në fillim të viteve ’70-ta, me qëllim të furnizimit me ujë të qytetit të Gjilanit dhe për ujitjen e rreth 350 hektarëve të tokës pjellore. Për shkak të prurjeve të pakta të lumit Përlepnica dhe në raste të thatësirës për mungesë të reshjeve, ka ndodhur që liqeni të shteronte pjesërisht apo tërësisht dhe kështu të rrezikonte seriozisht furnizimin e qytetit të Gjilanit me ujë të pijes. Liqeni, i futur në grykë të malit, i qëndron Përlepnicës si një kurorë e bukur, kurse edhe më lart tij qëndron si stoli “Guri i Kershit”, një monument interesant natyror, pastaj lisi shekullor mbi fshat dhe Guri i Shpuem, në brigjet e liqenit.
Si një fshat i zhvilluar e përparimtar, fshati ishte i lidhur me rrugë të asfaltuar që nga vitet ’70-ta dhe nga fshatrat e para e kishte ndërtuar edhe rrjetin e ujësjellësit me ujë nga liqeni. Ndërtimi i pendës dhe i liqenit grumbullues ka mundësuar që Përlepnica, krahas qytetit të Gjilanit, të lidhet me rrjetin e ujësjellësit komunal shumë vite më parë. Sot fshati i ka të asfaltuara të gjitha rrugët dhe e ka rregulluar tërë infrastrukturën, duke përfshirë edhe shtratin i lumthit Përlepnica.
Përlepnica është fshat i veçantë, me tradita të pasura atdhetare, kulturore e historike. Në fshat ndodhet shkolla fillore “Skënderbeu”, shtëpia e kulturës “Zija Shemsiu”, biblioteka “Xhavit Ahmeti”, disa shitore e kafene, shoqëria kulturore – artistike, klubi i futbollit etj. Shkolla e Përlepnicës, e hapur nga viti 1945 në mejtepin e xhamisë me 48 nxënës të moshave të ndryshme, sot është një vatër e madhe diturie, nga e cila kanë dalë kuadro të shumta të njohura intelektuale, kombëtare, shoqërore e kulturore në nivel të fshatit, të komunës dhe të republikës. Madje, Përlepnica ka edhe muze, ka shtëpinë – muze të heroit Zija Shemsiu, shtëpinë e veçantë të Muhamer Shabanit, e ndërtuar para 150 viteve, që pritet të shndërrohet në një muze etnografik.
Është thënë se Përlepnica është një “fabrikë intelektualësh”, veçanërisht si “prodhues” i mësuesve. Fshati Përlepnicë ka shkallë të lartë të arsimimit e të emancipimit ndër fshatrat tjerë të komunës e më gjerë.
Në një kodër mbi fshat zbukuron kompleksi i madh hotelier dhe turistik “Vali Ranch”, që paraqet njërin ndër pesë destinacionet më të mira e më të mëdha turistike në Kosovë. Ky kompleks mbanë lloje të ndryshme të kafshëve, duke veçuar kuajt e tipave të ndryshëm, me të cilët zhvillohet sporti i kalërimit.
Vendësit lavdërohen për fshatin e tyre, duke e quajtur Përlepnica krenare. Padyshim, është krenare, duke pas parasysh kontributin në çështjen kombëtare dhe përgjithësisht si fshat përparimtar.
add a comment