BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Kina ndjek nga afër pasojën e sulmeve të Rusisë në Ukrainë dhe ajo nxjerr mësime që mund të ndikojnë në vendimet e saj në të ardhmen.
Në një fjalim në Universitetin “Keio” që mbajti pas takimeve në Tokio ku ndodhet si pjesë e udhëtimit të tij në Azinë Lindore, Stoltenberg tha se “Japonia është një aktor global i rëndësishëm dhe se mbështet në mënyrë aktive paqen. Edhe NATO për këtë arsye ekziston”.
Ai tha se sfidat globale janë rritur nga terrorizmi te ndryshimet klimatike, nga kërcënimet kibernetike dhe deri në përhapjen e armëve bërthamore. “Rendi global ndodhet nën rrezik. Moska dhe Pekini janë në radhët e para të një reagimi kundër autoritarizmit”, tha Stoltenberg.
“Sulmet ndaj Ukrainës kanë mbushur një vit dhe kjo trondit paqen e Evropës”, theksoi Stoltenberg i cili shtoi se edhe testimet raketore të Koresë së Veriut kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare dhe se janë të shqetësuar për rritjen e ndikimit të Kinës në Indo-Paqësor.
Kreu i NATO-s vuri në dukje se në rast të fitores së luftës nga Rusia, mesazhi që do të jepet “për Moskën dhe Pekinin është se ata mund të arrijnë me forcë atë që dëshirojnë”. “Ato që sot përjetohen në Evropë nesër mund të përjetohen edhe në Azinë Lindore”, nënvizoi ai.
“Kina ndjek nga afër dhe ajo nxjerr mësime që mund të ndikojnë në vendimet e saj në të ardhmen”, deklaroi Stoltenberg duke thënë se lufta nuk është vetëm një krizë evropiane por një sfidë për sigurinë dhe stabilitetin global.
Pjesëmarrjen e liderëve të Japonisë, Australisë, Zelandës së Re dhe Koresë së Jugut në Samitin e NATO-s të mbajtur në Madrid në qershor 2022, Stoltenberg e a cilësuar si një “testament i lidhjeve tona në rritje”. “Siguria jonë është globale, jo rajonale. Mes nesh mund të ketë oqeane. Por, ndajmë të njëjtat vlera, interesa dhe shqetësime që janë të lidhura ngushtë me sigurinë tonë”, tha ai.