NË VEND TË HOMAZHIT PËR SHOKUN CENË ALIÇKAJ ME RASTIN E NDARJES NGA JETA
Marrë nga libri „Këtu jam për t’i luftuar armiqët – Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj“ –
Kishin rënë shumë ushtarë në fushë të nderit. Shumë të tjerë ishin plagosur. Të gjitha njësitet ishin në detyrë. Secila e kryente detyrën në nivelin e duhur. Asnjëri nga ushtarët nuk i frikësohej vdekjes. Për ta „për me vdekë për atdhe asht’ njësoj si me le!“ dhe vërtetë, a kishte vdekje më të mirë se vdekja për atdhe, por në rend të parë ata ishin këtu për të luftuar për atdhe, për t’i luftuar armiqtë që ua kishin marrë lirinë e pushtuar atdheun! „Për t’i luftuar armiqtë“, këtu ishte edhe Xhemajl Fetahaj.
Kompania e parë dhe kompania e dytë, që komandoheshin nga Xhemajl Fetahaj dhe Cenë Aliçkaj, vazhdonin ta mbanin pikën strategjike dominante në front Ujezë – Gomure, ku ishin pozicionuar qysh në fillim të betejës. Kompanitë e ndërronin njëra-tjetrën pa e lënë për asnjë moment pozicionin. Ishin ushtarë të zgjedhur!
Në të gjitha pozicionet, përgjatë gjithë vijës së frontit, qëndronin edhe ushtarët e njësiteve të tjera. Luftimet zhvilloheshin herë me intensitet më të dobët e herë me intensitet më të madh. Ishin luftime të përditshme. Secila qafë, secila grykë dhe secila majë kishte rëndësi të madhe strategjike për të dyja palët. Ushtarët armiq përpiqeshin t’i mbanin, se për ta donte të thoshte jetë, ndërkaq ushtarët e UÇK-së t’i merrnin, sepse për ta ishte jetë e më shumë se jetë. Ishte liri!
E tillë ishte edhe Maja e Zezë. Atje ishin të pozicionuara forcat serbe. Paraditen e 31 majit Xhemajli, duke e vështruar këtë majë, thotë: “Ata
duhet larguar nga atje.” Këtë e kishte thënë edhe herë tjera. Asnjëherë nuk e kishte hequr nga mendja se ajo pikë strategjike duhej marrë, ngase ata nga atje e vëzhgonin terrenin dhe i granatonin pozitat e UÇK-së. Vendimi i Xhemajlit për t’u ngjitur në Ujezë ishte i prerë! C1-shi duhet të sulmohet! „Cenë, unë po i zgjedhë disa ushtarë dhe po shkoj. Ti rri me ushtarët e mi dhe me ushtarët tu! Kujdesu për ta dhe… A po ma jep snajperin tënd?”
“Jo, nuk mund ta jap snajperin, Xhemajl, se, të kam shok. Edhe unë do të vij me ty!”, – i thotë Cena. “Edhe unë… Edhe unë… Edhe unë…” lajmërohen njëri pas tjetrit Florim Mataj, Milazim Shala, Senad Ramaj, të gjithë ushtarë të përgatitur për të gjitha situatat. „Duhet t’i marrim pikat, në veçanti pikën C1, -më tha Xhemajli“, kujton Halit Shabani dhe shton:- „Patjetër, – i thashë unë. – Si të thoni Ju! Ne jemi gati!“
„Rreth orës 10:00, Xhema i mblodhi tri skuadrat dhe i ndau detyrat. Mua më tha: – ‘Ti, Halit, do të rrish në pozicion këtu, e ne përmes radiolidhjeve do të themi çfarë duhet të bësh!’ Unë nuk desha ta pranoja këtë, por, meqë isha i ngarkuar me një mitraloz të rëndë 12.7, ndërhyri Milazimi duke më thënë: – ‘Është më mirë të na ndihmosh me mitraloz kur ne të kemi nevojë, se të vish me ne!’ -prandaj edhe mbeta në këtë pozicion“.
Xhema i zgjodhi ushtarët që duhej të ngjiteshin drejt pikës C1. Ishin Milazimi, Cena, Florimi dhe Senadi.
Pos armëve të krahut, Xhemajli dhe Milazimi kishin edhe nga një pistoletë me vete. Xhema, duke e treguar TT-në që e kishte marrë dhuratë në Shtutgart dhe duke qeshur thotë: “Kam për t’i djegur me këtë!” Po ashtu edhe Milazimi, duke i përsëritur të njëjtat fjalë sikur Xhemajli dhe duke qeshur, e nxjerr dhe e tregon një të veten të kalibrit 7.65 mm.
Pas orës dhjetë fillon lëvizjen “Çeta e vogël me pesë vetë” në drejtim të C1- shit në Majën së Zezë. Kujdesi i Xhemës dhe Milazimit për treshen ishte i madh. Pos pozita e Xhemës prej komandanti, kujdesin ua impononte edhe mosha. Ishin më të vjetër dhe të rinjtë duket se ishin rrëmbyer pak më shumë se ç’duhej.
Derisa ngjiteshin bjeshkës e takojnë Xhevdet Matajn në njërin nga pozicionet e UÇK-së dhe e marrin me vete, ndërkaq Senadit i thonë: -„Ti kthehu dhe shko te Haliti! Është i ftohur dhe i sëmurë e ndoshta mund t’i duhet ndihmë për mitraloz!“ „Senadi kthehet tek unë në istikam dhe më tregon se çka e kishte porositur Xhema. Unë komunikoja me Xhemën përmes radiolidhjes. I pyeta se pse e ka dërguar Senadin tek unë, por ai ma ktheu: ‘Ani, ani, po unë e di këtë!’“ – thotë Haliti.
Diku, në një vend, ndalen për të pushuar pak. Cena provon nga telefoni satelitor, të cilin e kishin me vete, ta thërrasë Besën, bashkëshorten e Xhemajlit. Nuk vonon dhe nga ana tjetër dëgjohet zëri i Besës: “Alo, urdhëroni!” Pas bisedës së zakonshme, Cena duke qeshur i thotë: “E kemi punën ngushtë edhe nja dy sahat dhe pastaj, e patën!“ Ajo me shaka iu thotë: “Hajt bre se send nuk u gjan!“
Grupi përsëri vazhdon rrugën, gjithnjë e më me shumë kujdes. Gjatë gjithë rrugës Xhema komunikon përmes radiolidhjes me komandantin Rrustem Berisha dhe me shefin e Shtabit, Anton Çunin, por edhe me Halit Shabanin, të cilin e kishte lënë në pozicion me mitralozin e rëndë në pritje të urdhrit për veprim. Treguesit e orës i afroheshin ngadalë 15- shit. Edhe grupi ishte afruar shumë afër pozitave serbe pa u vërejtur. Tani më nuk mund të flitej për distancë. Ajo nuk ekzistonte!
Pesëshja e luftëtarëve u hodh si rrufeja në llogoret serbe! Edhe ata ishin 4-5 veta. Filloi një përleshje trup më trup. Grupi i ushtarëve serbë u likuidua. U hap rruga për te bunkeri tjetër, i cili ishte rreth dhjetë metra më lart. Pesëshja e luftëtarëve shqiptarë në krye me Xhemajl Fetahajn vazhdoi tutje. Cena ishte në krahun e djathtë, kurse Xhevdeti në të majtin. Arritën të depërtojnë edhe në bunkerin e dytë. Aty ishin 20-30 veta. Përleshja ishte akoma me e rreptë. Të dyja palët shtinin. Milazim Shala e kap bombën, ia heq siguresën dhe e hedh në bunkerin përbri, por… edhe vetë mbeti i vrarë. Përleshjet vazhdonin. Ishin përleshje për jetë a vdekje. U vranë të tjerë ushtarë serbë, mes të cilëve edhe mercenarë rusë, të cilët në frontin e Koshares nuk ishin të pakët. Katër luftëtarët shqiptarë ua rrëmbyen armët nga duart disa ushtarëve armiq dhe filluan të shtinin me to. Armiqtë pësuan edhe një humbje të rëndë, por ishin të shumtë në numër. Xhema përmes radiolidhjes, pak pas orës 15:00, kërkon ndihmë nga njësitet tjera. Kërkon që të futeshin në veprim armët e rënda, si minahedhësit e armët tjera, madje edhe „arusha“ siç e quante ai topin e madh 122 milimetërsh, i pozicionuar në Rrasë të Koshares, por, për çudi armët e rënda heshtin. Luftëtarët shqiptarë pas rreth një ore luftimesh, gati u gjendën të rrethuar, prandaj edhe u detyruan të tërhiqen. Prapa tyre lanë shumë serbë të shtrirë në pellgje gjaku.
Ora ishte 15:20. Përmes të shtënave të shumta Xhema përpiqet ta tërheqë trupin e pajetë të Milazim Shalës. Komunikimi përmes radiolidhjes ndërpritet. Nuk dëgjohet më zëri i Xhemës. Ai ishte goditur për vdekje, vetëm tri ditë pasi i kishte mbushur 35 vjetë.
Zjarri serb ishte shumë i ashpër. Shtihej me të gjitha armët. Dy kishin rënë dhe tre tjerëve goditja mund t‘u vinte nga çasti në çast, prandaj duhej tërhequr vetë bashkë me dy trupat e shokëve të rënë. Për Cenën dhe Xhevdetin ishte ky mision i pamundur. Ndërkohë plagoset edhe Florim Mataj. Me dhimbje e pikëllim të madh, nga zjarri i dendur i forcave armike, u detyruan të tërhiqen. E tërhoqën edhe Florimin e plagosur!
Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala mbetën në Majën e Zezë si roje të përhershme, për të mos lejuar kurrë më vënie gurësh kufiri në mes të tokave shqiptare!
Lufta vazhdonte tutje. Si në Koshare edhe në gjithë Kosovën. Luftëtarët shqiptarë, bashkëluftëtarë të Xhemajl Fetahajt dhe Milazim Shalës nuk mund të pajtoheshin me rënien e tyre. Nuk mund të pajtoheshin me mungesën e tyre në njësit, prandaj përpjekjet për tërheqjen e trupave të tyre nuk pushuan. Të gjithë ushtarët e Xhemajl Fetahajt ishin të gatshëm që të sakrifikoheshin vetë, për tërheqjen e trupit të komandant Xhemës dhe bashkëluftëtarit të tyre, Milazim Shalës, nga Maja e Zezë. Në përpjekje për tërheqje u plagosën luft ëtarët Hysni Rama – „Raketa“ dhe ushtari boshnjak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bajram Sulejmanoviq, të cilët gjatë vëzhgimit të terrenit kishin rënë në mina.
Vetëm më 14 qershor bashkëluftëtarët arritën te trupat e Xhemajl Fetahajt dhe Milazim Shalës.
Me të arritur te trupi i Xhemajlit, Cena i goditur rëndë për humbjen e shokut të tij të vjetër dhe bashkëluftëtarit Xhemajl Fetahaj, me armë në dorë, duke harruar se në ç‘mision ishte, niset drejt pozicioneve të grupeve mercenare serbe, të njohura si „plaçenici“ (mercenarë), të cilat, edhe pse lufta zyrtarisht kishte përfunduar, vazhdonin rezistencën nëpër bjeshkët e Koshares. Ai donte që të hakmerrej për Xhemën dhe të gjithë shokët e rënë, por, vetëm pas pak hapash bie në minë. Mina eksplodon dhe i shkakton plagë të rëndë në këmbë, por nuk mbetet vetëm me këtë. Shpërthen edhe mina tjetër afër dhe i shkakton plagë akoma më të rënda në shpinë. Nga mina plagoset edhe luftëtari Shadan Dulaj. Grupi i ushtarëve që kishte shkuar t’i tërhiqte të dy bashkëluftëtarët, zbret nga Maja e Zezë me trupin e Xhemajl Fetahajt në krah. Në krahët e ushtarëve, duke luftuar për jetë ishin edhe Cenë Aliçkaj i plagosur në trup e në shpirt dhe Shadan Dulaj. Një ditë më vonë bashkëluftëtarët e tërhoqën edhe trupin e Milazim Shalës.
add a comment