Portreti/intervista

Organizata Dëshmorëve: Fatmira Hysaj – fisnikja që mbetet mes nesh

FATMIRA HYSAJ FISNIKJA QË MBETET MES NESH
Njerëzit me vlera të mirëfillta njerëzore, mbeten gjithnjë mes nesh. Ata e jetojnë jetën me detyrimin e plotë ndaj çdo elementi të saj, me të gjithë fisnikërinë gjenetike, dhe përkushtimin ndaj familjes, miqve dhe shoqërisë, e bëjnë këtë me të gjithë forcën e karakterit, duke e përcjellë edhe tek trashëgimtarët e tyre.
Më 1 nëntor 2022, nga familja, nga organozata jonë dhe nga Elbasani, u largua fizikisht Fatmira Hysaj, gruaja e nderuar dhe e pak-fjalë.
E lindur më 1 shkurt 1939 në Leminot të krahinës së Gorës të Qarkut Korçë, Fatmira përthithi dhe kultivoi gjatë jetës, të gjitha cilësitë dhe vlerat e larta të derës ku u lind dhe u rrit.
Virtytet e vatrës së saj të fëmijësrisë, si familje mbështetëse e zhvillimive pozitive për vendin, si në arsim, në përpjekjet për pavarsi, dhe në vitet e pushtimit nazi-fashist, kjo familje u lidh dhe u bë mbështetëse e rëndësishme e LANÇ, ku prindërit e saj, Saime dhe Demir Gjolla, sakrifikuan dhe mbajtën derën hapur për luftëtarët e lirisë…
Vitet kaluan, dhe Fatmira lidhi jetën me njeriun e nderuar Haxhi Hysaj, ish partizan në Brigadën XXV Sulmuese, i cili luftoi me këtë brigadë edhe përtej kufijve shtetëror të Shqipërisë, në viset shqiptare për çlirimin e Kosovës. Simbioza e karaktereve dhe ndjenja e fortë, lidhën përjetësisht Haxhiun të lindur në Tropojë, në vatrën atdhetare të trungut të tij, dhe Fatmirën, vajzën nga trevat e Gorës, duke sfiduar largësitë gjeografike me ndërtimin e një familje me tradita veçse të forta shqiptare.
Edhe pas daljes në pension, Haxhiu nuk pushoi së punuari si veteran i nderuar dhe i përkushtuar me shumë përgjegjshëmëri. Prej shumë vitesh ai drejtoi Komitetin e Veteranëve të Njësisë 5 në Elbasan.
Bashkëshortët Fatmira dhe Haxhi Hysaj linden tre fëmijë, Fatbardhën, Ilirin dhe Silvanën. Të tre fëmijët, me edukimin nga prindërit e urtë, morën vlerat më të mira të tyre, duke veçuar se, atdhetarizmi është një nga pjesët më të rëndësishme të edukimit dhe kulturës së tyre.
Vajza e madhe Fatbardha, është anëtare e kryesisë së OKDA Elbasan, duke e nisur anëtarësimin e saj, që në ditën e themelimit të OKDA sonë.
Fatmira e urtë dhe fisnike, kudo punoi, la mbresat e njeriut me zemër të madhe, të njeriut të përkushtuar per punën, me moton: Çdo punë me djersë të ndershme, është veçse nder!
Në çdo veprimtari të OKDA Elbasan, prania e saj ishte e përhershme. Brenda saj, si vajzë e lindur dhe e rritur me sakrifica për jetën, ajo e ndjente domosdoshmëri nderimin që meritojnë të gjithë Dëshmorët e Atheut.
Mungesa fizike e Fatmirës, nuk është vetëm për fëmijët dhe familjarët e saj, por Fatmira është një vend i pazëvendësueshëm për organizatën tonë, është një vend që gjithmonë do të mbaj emrin e saj.
Emër ndritur do të mbetesh mes nesh, mikja jonë e rrallë Fatmira Hysaj!
Kujtimi dhe nderimi për mirësinë dhe urtësinë tënde, janë vlera që ia shtove organizatës sonë, dhe ne e kemi detyrim të të nderojmë, sepse vetë ti na e dhe mundësinë që të jesh për herë e nderuar! Ti je fisnikja që do të mbetesh për herë mes nesh!
Faleminderit që të patëm Fatmira jonë!