“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (4)
Akuzat e Titos për udhëheqësit e Kosovës Kur është fjala për kuadrot shqiptare të Kosovës, Tito edhe pse i shfrytëzonte të gjithë, kishte mendim negativ për pjesën dërrmuese të tyre. Mendimi më denoncues i Titos, është për Mahmut Bakallin, po edhe për Fadil Hoxhën: “Kam të dhënën që informatorë dhe oficerë të lartë të ‘Sigurimit’, ligjërojnë marksizmin në Universitetin e Prishtinës, ndërsa kam marrë të dhëna që disa si Bakalli e Hoxha dhe të tjerë, kanë shërbimin e vet ‘privat’, jo vetëm në territorin e Serbisë, po edhe në republikat e tjera, e veçmas për shkak të kontrabandës me drogë nëpër limanet shqiptare. Në fakt, është e fshehtë publike që në marinën shqiptare ekziston një sektor i veçantë për kontrabandën e drogës”. Kështu ka thënë Titoja në takimin me kreun e armatës jugosllave në Karagjorgjevë, më 29 dhjetor 1979, për udhëheqësit e lartë shqiptarë, njëri prej të cilëve, Fadil Hoxha, një kohë ka qenë nënkryetar i tij, ndërsa Mahmut Bakalli në atë kohë kur Titoja e denonconte si kontrabandist droge, ka qenë kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Natyrisht se realitetin e ka ditur Titoja, se edhe sikur të kenë dashur të veprojnë ashtu udhëheqësit e Kosovës, siç pretendon Titoja, këtë nuk do të mund ta bënin pa u marrë vesh nga pushteti i tij, por, Tito në këtë drejtim nuk ka zgjedhë mjete për ta çuar deri në fund antishqiptarizmin e tij edhe përmes deklarimeve komprometuese për udhëheqësit shqiptarë, për t’ia bërë me dije opinionit se, përderisa udhëheqësit edhe nën Jugosllavi kanë kësi mendimesh e pretendimesh, merreni me mend se çka do të bënin shqiptarët tjerë po t’u krijohej mundësia dhe t’u jepej liria. Cilat ishin raportet e Titos me Rankoviqin? Më tej në dokumentin e cituar, Tito e vajton rënien e Rankoviqit duke u betuar se ka qenë kundër dënimit të tij. Dënimi i Rankoviqit, sipas Titos, erdhi nga komploti i Edvard Kardelit. Ndërsa, ndër shqiptarët e Kosovës ka vepruar miti sipas të cilit, Titoja e pat rrëzuar Rankoviqin “për shkak të zullumit ndaj shqiptarëve”. Kjo aspak nuk është e vërtetë (në stenogramet e Plenumit të IV të Brioneve, të botuara në mediet serbe, askund nuk përmendet zullumi ndaj shqiptarëve dhe as që përmenden fare shqiptarët.). Prandaj, miti për rolin gjoja proshqiptar të Titos në Plenumin e IV të Brioneve, është vetëm një gënjeshtër e kulluar. Si duket kjo mendësi në formë miti ka qenë e prodhuar nga shërbimet sekrete ushtarake, për ta glorifikuar figurën e Titos ndër shqiptarët e painformuar, i cili mendim fatkeqësisht ka pasur shumë sukses, duke menduar se vërtet Titoja e ka hequr Rankoviqin për shkak të zullumit të tij ndaj shqiptarëve. Paralajmërimi i provokimit të kryengritjes shqiptare në Kosovë Gjithashtu, në një pjesë të fjalës së tij para ushtarakëve në Karagjorgjevë, Titoja thotë se në Kosovë po ndërtohen objekte luksoze me “pullaze nga argjendi” dhe, kërkon të hapen hetime për këtë gjë. Natyrisht as ky pretendim nuk ishte i vërtetë, por me këto konstruksione të Titos, dëshmohet se edhe përkundër faktit që Kosova ishte vendi më i pazhvilluar ekonomik në Jugosllavi, ai nuk brengoset fare për parullën aq shumë të proklamuar të bashkim-vëllazërimit e të barazisë mes kombeve e të kombësive. Duke e ditur realitetin e pabarazisë praktike të shqiptarëve në Jugosllavi, Tito në këtë fjalim paralajmëron edhe për rrezikun e kryengritjes shqiptare. Prandaj, thekson: “Ne dimë pak për aktivitetet e emigracionit shqiptar, por shikoni shokë, ai emigracion po mbledh ‘taksë’ për shkollimin e shqiptarëve, që do të komandojnë atë që paralajmërohet shpesh: ‘kryengritjen popullore’ në Kosovë”. Kjo dëshmon se Tito, para së gjithash ishte vetëm një kukull në duart e lobit serb të armatës jugosllave të dirigjuar nga Nikolla Lubiqiqi, i cili më vonë do të luante rol shumë të fuqishëm edhe në ngritjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet. Për antishqiptarizmin e Titos, dëshmojnë edhe vetë bisedat e Titos që kishte me Josip Kopiniqin, ku pohon madje se në një rast i kishte kërkuar Rankoviqit që ta likuidonte fizikisht Edvard Kardelin, por se ky i fundit – Rankoviqi, kishte refuzuar ta likuidonte. Shumë historianë dhe albanologë në Kosovë, gjatë asaj kohe kanë shkruar himne e ode për Titon, qoftë pa u thelluar shumë në realitetin ekzistues, qoftë me porosi të instrumenteve shtetërore, apo edhe nga vetmjaftueshmëria e tyre, duke qenë të privilegjuar në shoqërinë shqiptare brenda shtetit jugosllav. Por historianët e ri nuk do të shkojnë gjurmëve të disa pleqve, të cilët shërbenin si instrumente dekoruese gjatë Jugosllavisë moniste. Ata nuk kanë as nevojë e as arsye ta varrosin e as ta instrumentalizojnë karrierën e tyre shkencore për interesa të askujt, e aq më pak për interesa të përfitimeve të disa pleqve të Kosovës. Ngjarjet e vitit ‘81 dhe vazhdimësia e mohimit Ngjarjet e vitit 1981, përpos që ishin vazhdimësi e rezistencës shqiptare, ato paraqitën në mënyrë më të artikuar kërkesat e shqiptarëve për liri e barazi, duke e vënë në pah si para opinionit vendor ashtu edhe para atij ndërkombëtar, pabarazinë e shqiptarëve në Kosovë. Që nga koha kur ndodhen ngjarjet, ato u mohuan, u mistifikuan, e u dënuan në të gjitha format e mundshme. Vazhdimësia e logjikës së mohimit të këtyre ngjarjeve vazhdoi madje edhe pas rënies së monizmit më të fortë në Ballkan – titizmit. Kësaj radhe, do t’i paraqesim disa nga akterët e mohimit të këtyre ngjarjeve, logjikën e mohimit dhe mënyrën e veprimit. Tashmë dihet se si nga pushteti jugosllav, po ashtu edhe nga klika titiste e atëhershme kosovare, ngjarjet e vitit 1981, cilësoheshin si “nacionaliste, iridentiste, kundërrevolucionare, për minimin e pushtetit politik të klasës punëtore, të sistemit socialist vetqeverisës jugosllav, për prishjen e bashkim-vëllazërimit e minimit të pushtetit politik të klasës punëtore”. Për kë ishin të panevojshme ngjarjet e vitit 1981 Pas rënies së komunizmit dhe pas largimit të oligarkisë politike të Kosovës nga skena politike, madje edhe pas burgosjes së ndonjërit prej tyre, këta edhe më tej, nuk e ndërruan qëndrimin për ngjarjet e vitit 1981, por i ndërruan arsyetimet e qëndrimeve të tyre. Kështu, derisa ishin në pushtet, ngjarjet e ’81-shit për ta, doemos se ishin “kundërrevolucionare e armiqësore…”, kurse pas rënies nga pushteti, ato ngjarje për ta, na ishin të panevojshme, sepse vetë ata, me politikën e tyre, e paskan pasur mendjen që ta realizojnë çeshtjen e republikës! Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe politikanët e Kosovës Kurse sa i përket asaj që mund t’i ketë organizuar ndonjë shërbim i huaj (siç pretendohet nga Buxhovi, në Sigurimin e Shqipërisë) apo të jetë involvuar në to, Mustafë Sefedini, ish-Ministër i Sekretariatit për Punë të Brendshme të Kosovës, që ishte pikërisht atë kohë në këtë detyrë, thotë se, “as Shqipëria dhe as ndonjë shërbim tjetër informativ nuk kanë pasur dorë në këto ngjarje. Revista “KOHA”, nr. 99, 13 mars 1996, f .9. Ndërkaq, dihen qëndrimet e Azem Vllasit për demostratat e vitit 1981, gjatë kohës sa ishte në pushtet. Por edhe pas rënjes së komunizmit, madje edhe pas burgosjes që i bëri Millosheviqi, në një shkrim të tij me titull: “’81-shi shumëdimensional”, Azem Vllasi e jep edhe këtë gjykim: “Konkretisht, për demostratat e vitit ’81, udhëheqja politike e Kosovës (shqiptarët) dhe tërë politika zyrtare, ishte unike në mendimin se ato, as si mënyrë e veprimit e as sipas rrethanave politike të atëhershme dhe kohës kur ndodhen, nuk ishin fare të qëlluara…”. Revista “KOHA” nr. 102, 3 prill 1996, f. 22. A nuk e kishte thënë të njëjtën gjë edhe Mihallo Markoviq madje në vitin 1995 po në revistën “KOHA”? Po në këtë vazhdë është edhe teoria e supozimeve të Mahmut Bakallit…, i cili në Kosovë ndonëse njihej si më i afti në hierarkinë politike komuniste, (ndër përfaqësuesit shqiptarë) megjithatë nuk arriti të jap as arsyetmin më të vogël për pozitën e shqiptarëve në sferën e arsimit në kohën e Millosheviqit, (me rastin e dëshmisë së tij në gjyq kundër Millosheviqit). Atëherë, përderisa njeriu kyç i asaj kohe, në pozitën kyçe, (Mustafa Sefedini), thotë se nuk ka pasur informacione çfarë tash i mbllaqit Buxhovi, rrjedhimisht shtrohet pyetja: kush ka pasur informacione më shumë atëbotë: ata që kanë qenë në pozitat kyçe apo analistët e sotëm? Nëse ndonjë analist apo edhe historian sklerotik ka informacione tjera: atëherë lind pyetja nga i siguruan ato informacione, përpos nëse këta njerëz, e kanë pasur benificionin e të qenit në laboratorin e prodhimit të informatave të tilla, përderisa ata të “laboratorit” të grumbullimit të informatave, thonë qartë, se nuk kanë pasur informata të tilla. Prandaj, logjikës së tillë, do t’ua rikujtonim, se vërtet vezët e qyqeve mund t’i lëshojë edhe ndonjë shpend tjetër, por assesi nuk i lëshon shqiponja. (Vazhdon…)
“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (5)
Kush është Jusuf Buxhovi? Emri i Jusuf Buxhovit në sferën e gazetarisë është i njohur si korrespondent i gazetës “Rilindja” gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta në Bon, pra në Republikën Federale të Gjermanisë. Ndërkaq në sferën politike është i njohur si njëri ndër bashkëthemeluesit e LDK-së. Në lëminë e letërsisë ka shkruar disa libra, ashtu si edhe në histori, për të cilën gjë do të bëjmë fjalë një herë tjetër. Gjithashtu, vlen të përmendet se emri i tij është përfolur shumë rreth koketimit të tij me UDB-në jugosllave. Pra, me Shërbimin e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Libri me titullin “Dosja B”, për të cilin do të bëjmë fjalë, paraqitet si roman nga vetë autori, i cili që në fillim paralajmëron se “ngjashmëritë e mundshme të personazheve me realitetin janë të rastësishme”. Por në fakt libri është shkruar pikërisht për “ngjashmëritë”. Ky libër p.sh. duke e krahasuar me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, edhe lexuesi më i thjeshtë e kishte ta besonte se këta dy libra i ka shkruar i njëjti person. Në këtë libër pra, në “Dosja B” kemi të bëjmë me konglomerat fjalësh e shprehjesh kryekëput të zhargonit publicistik. Madje edhe përkundër faktit se “Qëllimi arsyeton mjetin”, në këtë rast, sado që në mënyrë mjeshtërore mundohet t’i rendis një “grumbull të dhënash” sipas tij, ato kanë një qëllim. Dhe ky qëllim është shndërruar në hakmarrje, në urrejtje, ironizim, tallje, ofendim dhe assesi me dhënien e ndonjë mesazhi me rëndësi kombëtare. Në fakt, këtu në emër të kombëtares luftohet pikërisht kombëtarja, ku në emër të ideologjisë, përkatësisht luftimit të ideologjisë komuniste, ky mohon çdo gjë të rezistencës kombëtare dhe atë që nga Lufta e Dytë Botërore, të cilën luftë, Buxhovi mundohet ta paraqes si luftë vëllavrasëse, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Më pastaj, si titist i rryer që ishte vetë, bën lavdërimin e periudhës së titizmit, duke e arsyetuar pothuaj çdo gjë, për ta hyjnizuar gazetën “Rilindja”, si gazetë të kësaj kohe, ku edhe vetë ishte punëtor, për të dalë si partizan kundër komunizmit e deri te lufta e UÇK-së të cilën e krahason me luftën vëllavrasëse të shqiptarëve kundër nazifashizmit. Për të gjitha këto bën konstruksione të ndryshme, duke u thirrur në hetues ndërkombëtar (në këtë rast një gjerman), duke u thirrur në shërbimin gjerman BND, të UNMIK-ut, të EULEX-it, për të kaluar pastaj në shpalimin e rrëfimeve të Vrasësit të Penduar, pastaj në njëfarë ditari të një rojtari dhe sërish kështu për t’ju rikthyer “shënimeve” të këtyre “burimeve”, me qëllim për të realizuar misionin e tij përmes këtij libri – pamflet, e që ky e quan “roman”. Kështu brenda 400 faqeve gjërat përsëriten, stërpërsëriten, duke u mbllaqitur disa here, që bëhet aq shumë monoton, sa që edhe lexuesi mesatar e kupton qëllimin e autorit, sapo të nis ta lexojë fjalinë vijuese. Shumë nga këto gjëra që përmenden në këtë roman janë thënë me qindra herë në mediumin e quajtur “Bota Sot”, apo edhe në rastin e fushatës elektorale të partisë të cilës i përket dhe bashkëthemelues i të cilës ka qenë vetë Jusuf Buxhovi. Pra mund të thuhet se, Jusuf Buxhovi, si autor i këtij libri që e quan roman, ka arritur t’i sintetizojë në një masë të konsiderueshme shumë nga sulmet që u janë bërë personaliteteve të caktuara në gazetën “Bota Sot”, në periudhën e pasluftës. Por sado që zhdërvjelltësia e kompilacioneve nuk i mungon, për vetë faktin se ka një qëllim të vetëm, dhe ky është mohimi i rezistencës së armatosur kundër pushtuesit, nuk ka se si të mos merret vesh qëllimi. Prandaj edhe në shumë raste e tradhëton edhe aftësia për të kompiluar, sa që në shumë raste del jo vetëm kompilator i dobët, por edhe qesharak. Jusuf Buxhovi në këtë libër sillet sikur historia të kish filluar prej momentit kur ky ka filluar të mendojë “shqip” (ndonëse dyshojmë edhe sot që e di se cila është forma e të menduarit shqip). Prandaj për këtë si fazë e ndritur në histori janë (dhe kjo nuk përmendet pa hile): periudha e autonomisë së Kosovës, ku sipas tij nuk ka pasur nevojë që të ndodhnin demonstratat e viteve 68 e sidomos 81; pastaj periudhë e ndritur për të është ekzistimi i shtetit paralel të Kosovës, nga LDK-ja. Pra nuk ka pasur nevojë për luftë të armatosur, sepse shteti po funksiononte, kështu që sipas tij përkatësisht konceptit të tij, liria do të vinte vetëvetiu dhe s’paskësh pasë nevojë për gjakderdhje. Natyrisht pa harruar të përmend këtu edhe gazetën “Rilindja” të cilës i thurë elozhe, ndërkohë dihet se “Rilindja” ishte organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Kosovës (LSPP) dhe zëdhënëse e politikës së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (LKJ). Në vijim do të sjellim disa nga “xhevahirët” e Jusuf Buxhovit lidhur me këto që u përmendën më lart. Lëvizja ilegale në Kosovë dhe petku ideologjik i kësaj lëvizjeje Buxhovi, përmend emrat e disa organizatave ilegale, si Froni i Kuq popullor, Lëvizja Socialiste të Kosovës (LRSPK), LPRK, etj., për t’i ritheksuar se pos që e kanë pasur orientimin e majtë, si të Shqipërisë pra, ato angazhoheshin për një Republikë në kuadër të federatës së atëhershmë Jugosllave. Dhe pastaj, menjëherë potencon se me rastin e formimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si lëvizje e gjithmbarshme, shumë nga këta pjesëtarë të organizatave të majta u kyçen në lëvizjen paqësore. Pra siç shihet, Buxhovi, edhe pse e mban veten historian, bën akrobacione historike në kohë. Së pari, lëvizjen majtiste që e përmend me emra të disa grupeve, nuk e thotë qëllimshëm se kur është formuar. Pra është formuar në kohën kur monizëm ishte edhe në Jugosllavi. Dhe përderisa titizmi udhëhiqte në ish-Jugosllavi, ku Kosova nuk ishte Republikë, është vepruar në kuadër të rrethanave të kohës së atëhershme për avancimin e Kosovës në nivel Republike, e që kjo nuk do të thoshte se në rrethana të favorshme ishte hequr dorë nga bashkimi kombëtar. Në atë kohë, edhe Buxhovi, por edhe të gjithë udhëheqësit e LDK-së, ishin pjesëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Pra, edhe LKJ ishte e majtë apo jo? Prandaj, me rastin e rënies së komunizmit gjithkund në Evropë, është e drejtë e secilit që t’i ndërrojë bindjet politike, siç është e drejtë edhe Bill Clintoni, Tony Blair, Nicolas Sarkozy, Gerhard Schroder, Lamberto Dini, Madeleine Albright, etj., të kenë ide të majta. Por, për logjikën e Buxhovit kjo nuk vlenë, sepse si shihet, ai gjërat i vlerëson vetëm nga momenti kur janë larguar nga anëtarësia e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë… Për të edhe historia e ‘shtetndërtimit’ (por jo edhe e çlirimit) fillon nga ky moment. Së dyti, Buxhovi ua sheh për të madhe shteteve evropiane si Gjermanisë, Zvicrës, etj., që kanë pranuar t’i strehonin grupacionet politike shqiptare, pra të Kosovës, si të majta që ishin, dhe në të njëjtën kohë e përmend, që po në këto vende gjetën strehë dhe pjesëtarë të Qeverisë së Kosovës, qoftë nga ata që e kishin shpallë 7 Shtatorin, qoftë nga Qeveria Bukoshi, e që të gjitha këto të fundit nuk ishin të majta. Por harron ta përmend faktin pse shkuan këta pjesëtarë të shtetit paralel në perëndim: sepse Serbia do t’i burgoste apo jo? Dmth, funksionimi i shtetit nuk paska qenë siç thotë Buxhovi, ngase ky ‘shtet’, duhet të çlirohej. Logjika e Buxhovit do të dëshironte që pjesëtarët e grupeve të mjata, apo më qartë të ilegales, të mos kyçeshin në sfidën e luftës që do të vinte pashmangshëm në Kosovë, sepse “shteti po funksiononte”, dhe sipas tij (Buxhovit) liria do të pikte nga qielli. Përderisa Buxhovi me bashkëmendimtarë të tij (jo të gjithë LDK) mendonin se nga qielli mund të binte kokrra gruri, këta të majtët (apo enveristët si do të kishte qejf ti quante Buxhovi), mendonin se nga qielli nuk bie kokrra gruri, por bie shi, borë e breshër. Kurse për t’u bërë gruri, duhet me u bërë disa punë paraprakisht. Koha tregoi se “të majtët” që Buxhovi i urren patologjikisht, kishin të drejtë. Po Buxhovi vetë, pse ishte i majtë gjatë kohës së titizmit? Buxhovin e kanë penguar materialet që janë shpërndarë nga këto grupe majtiste ndër shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të zi, e të Luginës së Preshevës. Dhe sërish Buxhovi kapet për ideologji. Buxhovit nuk i bën përshtypje situata e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ai i din këto pamflete si i quan ai artikujt e Zërit të popullit, e libra të ndryshëm. Sepse si duket ka qenë pjesë aktive e përndjekjes së kësaj literature, vetëm e vetëm që mos të indokrinohen shqiptarët në ish-Jugosllavi me “enverizëm e stalinizëm”, vetëm e vetëm që të ruhet jugosllavizmi përkatësisht titizmi nga shqiptarët. Dhe njëri ndër pararojat e kësaj ideologjie, padyshim se ishte edhe vetë Buxhovi. Rreth fondeve të “tre përqindëshit” e sidomos të atij “Vendlindja thërret”, shkruan vetëm “për manipulime të shumta me kontrata fiktive të blerjes së armëve, pastaj bartjes së fondeve të caktuara në duart e komandantëve të shpifur dhe të grupeve tjera mafioze të instaluara nëpër hotelet luksoze të Tiranës dhe nëpër disa qytete tjera perëndimore”… Natyrisht se nuk përjashtohet mundësia e keqpërdorimit nga ndonjë individ i caktuar, dhe për këto adresa është prokuroria dhe jo libri para se të lajmërohet në organe kompetente. Pra për këto fonde flitet vetëm keq. Asnjë fjalë e mirë. Thua se asnjë ndihmesë nuk e paskan bërë për financimin e luftës për çlirimin e Kosovës! Po kështu e ka qejf që të kishte qenë Buxhovi. Dhe meqë nuk ka qenë kështu, atëherë shkruan kështu, që të krijojë mjegull e hallakamë. Po të ishte vërtet kështu, jo vetëm Buxhovi, më së pari do të lajmëroheshin në organet kompetente. Përse nuk ka bërë asnjë denoncim Buxhovi? Por nuk është vonë as tani që t’i deponojë secili të gjitha të dhënat që ka, sepse kështu i ndihmohet Kosovës, kështu pastrohen edhe luftëtarët e vërtetë nga keqbërësit eventual që hipotetikisht kanë mundur të hyjnë në radhët e UÇK-së për t’u pasuruar. Ndoshta është e tepërt ta pyesnim Buxhovin, meqë kaq shumë bën zhurmë në këtë çështje, sa para ka dhënë vetë Buxhovi, dhe në cilin fond? (Vazhdon…)
add a comment