Kulturë\Letërsi

Mustafë Xhemaili: E ke emrin e lashtë ilir (poezi)

E KE EMRIN E LASHTË ILIR
(Gresës* nga Prishtina,
e cila ende s’i ka mbushur dy vjet
shkruar në ilegalitet)
E ke emrin e lashtë ilir,
Ke sy të kaltër si deti,
Flokë bjonde. Hajt buzëqesh,
Të do xhaxhi yt Poeti.
Ti më buzëqesh si kokonë
Posa të gudulisë nën gushë.
Unë të përfytyroj gjithmonë
Të lirë kah loz nëpër Fushë.
E ke emrin e lashtë ilir,
Jeton nën qiellin e Kosovës me re.
Gresë! Emër i bukur shqip,
Jeton ndershëm mbi këtë dhé.
Ty nuk të duhen shumë përralla.
Kohëra më të mëdha po vijnë.
Shekulli XXI — ja në prag,
I vrërët e me luftëra do të gëdhijë!
E ke emrin e lashtë ilir
S’i ke mbushur ende dy vjet.
Do ta lavdërosh dhe gjykosh ashpër
Këtë tonin — Shekullin Njëzet.
Gjenerata jote do të ndërtojë shumë
Po mbi të gjitha krijoni Njerinë!
Natyrisht, neve s’do të na harroni kurrë
Sepse luftojmë ta fitojmë lirinë.
E ke emrin e lashtë ilir
Ke sy të kaltër si deti,
Flokë bjonde. Hajt buzëqesh tashi,
Të do xhaxhi yt Poeti.
(Prishtinë, janar 1984)
(Nga libri “Banon ëndrra në syrin tim”
-përralla, rrëfenja, vjersha dhe recital për fëmijë-
Botoi ZGJIMI, Ferizaj, 2002)
***
*) Gjatë dimrit (janar-shkurt-mars) të vitit 1984, i ndjekur nga regjimi i atëhershëm, kam qëndruar ilegal edhe në banesën e regjisorit Nezir Sefaj dhe gruas së tij Florina Duli në Prishtinë.
Vajza e tyre Gresa, një fëmijë i mrekullueshëm me emër të jashtëzakonshëm, u bë frymëzim për këtë poezi. Për të parën herë, kjo poezi, u botua pa emrin e autorit, në “Zërin e Kosovës”, (Zvicër), nr.12 dhjetor, 1987.