Komenti

Xh. Gjini: Asnjë lëshim tjetër Serbisë

ASNJË LËSHIM TJETËR SERBISË SHOVINISTE!

Kosova e Shqipërisë (përfaqësuesit e padenj të saj) ka bërë kompromisin – lëshimin më të madh të mundshëm dhe tepër të dhimbshëm me heqjen dorë nga viset e saj dhe nga e drejta fundamentale – jetike (qofte edhe përkohësisht) për t’u bashkuar me shtetin e saj, – Republikën e Shqipërisë!

Ka 23 vite që ndaj Kosovës shqiptare (në kufijtë e imponuar krahinor) po bëhen presione,  shantazhe, obstrukcione dhe po ushtrohet dhunë e terror sistematik psikologjik, diplomatik, politik, juridik, mediatik, ekonomik e policor me qëllim që ajo t’i nështrohet pretendimeve shoviniste të Serbisë!! Në thelbin e këtij angazhimi dhe të këtij projekti është një Kosovë e lidhur (varur) pas qerres së Serbisë shoviniste agresore!! Kush nuk e ka kuptuar se “dialogu” me Serbinë nuk po bëhet për një Kosovë të pavarur e sovrane nga Serbia, por për një Kosovë të lidhur me Serbinë e të mbetur peng i saj është kokërra e injorantit…

Gjatë gjithë “dialogut” 20 – vjeçar Kosova i është nënshtruar një presioni dhe shantazhi joparimor të “miqëve” dhe kundërshtarëve-armiqëve të pavarësisë dhe sovranitetit të saj!! Kësaj fushate të papresedan kundër pavarësisë së Kosovës po ia mban “iso-n” edhe komuniteti i langaraqëve vendor!!…

Në thelbin e “dialogut” me Serbinë agresore nuk është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore midis dy shteteve, por “akomodimi” i pranisë së Serbisë dhe të interesave të saj në Kosovë!!

Kryeministri i Republikës së Kosovës edhe sot është ftuar në Bruksel që t’i bëj lëshime të reja Serbisë!! Por populli shqiptar i Kosovës, për dallim nga komuniteti i sahanlëpirësve, kosmopolitëve dhe kolaboracionistëve të vjetër e të rinj, me të drejtë pret dhe kërkon që Kryeministri të qëndrojë në premtimet, përcaktimet dhe angazhimet që kishte para se të vinte në krye të Qeverisë. Me Serbinë mund dhe duhet të bisedohet (kur të jetë e gatshme edhe ajo!) vetëm për rregullimin dhe “mirëmbajtjen” e marrëdhënieve ndërshtetërore… Çështjet e rregullimit të brendshëm të Kosovës nuk është dashur dhe nuk duhet të “negociohen” me Serbinë. Krijimi i një entiteti serb në Kosovë (“Asociacion” me territor të definuar, me kompetenca dhe atribute ekzekutive-shtetërore, siç ishte nënshkruar!!) nuk duhet të pranohet nga Kryeministri dhe Qeveria e tij në asnjë rrethanë!! Kosova me një entitet të tillë brenda kurrë nuk do të jetë e pavarur nga Serbia dhe kurrë nuk do të ushtrojë sovranitet të plotë në territorin e saj. Madje, Kosova me një entitet të tillë serb brenda do të shndërrohet në një “poligon” tensionesh dhe konfliktesh me Serbinë! Në Kosovë nuk është problem pakica serbe (5%), por Serbia me pretendimet e saj territoriale… Prandaj, asnjë lëshim Serbisë. Kjo është zgjidhja e drejtë që do të garantonte paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon e më gjerë…