ENVER HOXHA DITARI I KUJTIMEVE
TEFTA TASHKO
Tefta Tashkoja ishte një nga këngëtaret më të mira të asaj kohe të errët e prapanike, siç ishte regjimi i Zogut. Artistët nuk përfilleshin fare. Zyrtarët anadollakë jo vetëm i përbuznin artin dhe kulturën, por i denigronin, i diskreditonin dhe i luftonin me të gjitha mjetet ata të paktë
artistë, të cilët, me përpjekjet e veta dhe të familjeve të tyre, arrinin të mbaronin jashtë ndonjë shkollë pikture, skulpture ose shkollë kantoje. Tefta kishte një zë të bukur, melodioz, ishte një soprano e mrekullueshme, këngëtare me një zë të përpunuar me mjeshtëri. Ajo i interpretonte me një aftësi të rrallë operat
dhe ariet më të famshme të kompozitorëve më të dëgjuar francezë, italianë dhe të vendeve të tjera. Ishte një këngëtare e pasionuar, e çmonte fort zanatin e saj dhe kishte jo vetëm kulturë muzikore, por edhe kulturë të përgjithshme. Ishte e ngritur politikisht dhe qe një patriote e
flaktë. Ajo kishte një dashuri të madhe veçanërisht për këngët popullore, të cilat i interpretonte me ndjenjë të thellë.
Megjithëse e shkurtër nga trupi, kishte një pamje të hijshme, me fytyrë rrumbullake, sy të zinj, të ndritshëm dhe të qeshur. Ajo se si i krihte e i rregullonte flokët dhe krijonte me ta një si kurorë rreth kokës. Ishte shumë serioze
dhe me moral të pastër. Një ditë Tefta do të jepte koncert në një nga kinematë e pakta të qytetit. E takova në rrugë, i dhashë dorën dhe më tha:
– Enver, sonte do të jap koncert, do të gëzohem po të vish të më dëgjosh.
– Si të mos vij!? Me kënaqësi të madhe, – iu përgjigja.
– Atëherë, – më tha Tefta, – merru vesh me Lekon* *( Aleko Tashko, vëllai i Teftës.) per çdo gjë. E shtrenjta Tefta Tashko, ajo e dinte gjendjen time të mjeruar financiare prandaj më tha: «Merru vesh me Lekon». Në fakt Lekoja më takoi dhe më dha biletën e hyrjes në koncert. Ishte koncert i mrekullueshëm. Tefta këndoi arie të njohura klasike, këndoi këngë popullore, ndërmjet të cilave këngën «Kroi i fshatít tonë». U duartrokit shumë. Ajo ishte e kënaqur, por edhe miqtë e shokët e saj ndienin kënaqësi per shoqen e tyre të talentuar.
Pas disa ditësh vajta i bëra një vizitë në shtëpi, per ta uruar. Lekoja qe martuar dhe Tefta rrinte me nënën. Shtëpia e saj ishte nga «Shallvaret». Tani janë bërë kaq ndërtime, sa e kam vështirë ta përcaktoj tamam ku ishte dhe nuk e di nëse është akoma. Ishte një shtëpi dykatëshe, mjaft e re, e mobiluar me shumë gusto dhe Tefta e mbante shumë pastër. Ajo kishte një porte të madhe, që nuk binte në «Shallvaret», por nga mbrapa, në qoftë se nuk gabohem, me drejtim nga baraka e Nushajve, diku andej. Përpara shtëpisë kishte një kopsht të vogël. Tefta, vëllezërit dhe miqtë e afërt të saj nuk hynin nga porta e madhe, por nga një porte e vogël. Pikërisht nga pas, derë më derë, kopshtije më kopshtije, pas nja 200-300 metrash, mund të dilje në «Shallvaret», krejt
nga ana e kundërt e portës së madhe. Tefta më priti me bujari, e përgëzova nxehtësisht dhe me gjithë zemër, per koncertin e bukur.
– Më thuaj përshtypjet si shok, – më tha Tefta.
– Teftë, – i them, – une muzikën nuk e kuptoj si ju, mundësi s’kam pasur të vete në opera, por disqe të këngëtareve të shquara kam dëgjuar. Jo se je jona, dhe une nuk e kam zakon të bëj komplimente të kota, por ti këndon si Gali Kurçi* *( Këngëtare, soprane e njohur italiane e
paraluftës.), edhe më mire se ajo.
Tefta qeshi me gjithë shpirt dhe më tha:
– Ky është kompliment, Enver !
– Jo, – i them, – por kur e dredh atë zërin melodioz, mendoj se edhe bilbili nuk e ben dot ashtu. Ah, Teftë, kur të vijë dita që populli të marre fuqinë, kur të kemi teatrot dhe operat tona, atëherë do të tingëllojë si duhet zëri yt dhe do të çojë peshë sa e sa vajza të reja, që do të të ndjekin në rrugën tënde. Kur dëgjoj këngë popullore, që ti i këndon, Teftë, atdheu ynë, qielli, yjet, toka, fshati, bëhen një mijë herë më të dashur, më të bukur.
– Enver, – më thotë Tefta, – ti je dhe poet.
– Desha të jem, po s’jam, por në zemrën time kam zjarr per këtë tokë e per këtë popull.
Mbaj mend, në një takim tjetër, Tefta më thotë:
– Enver, do të të jap një lajm, që do të të gëzojë: u fejova dhe së shpejti do të martohem.
E përqafova i gëzuar, e urova dhe e pyeta me kë ishte fejuar.
– Me Kristaq Koçon, artist, këngëtar edhe ai si une, djalë shumë i mire.
– E kam pare me ty në bulevard dhe më është dukur me të vërtetë djalë i mire. Unë nga karakteri nuk e njoh, se s’kam pasur rastin, por ti nuk gabon, vetëm po të them atë që kam
dëgjuar dhe që kam pare nga jashtë: është një artist, këngëtar me talent dhe me perspektivë, djalë i mire dhe i thjeshtë, siç më kanë thënë, shtatin të gjatë si selvi dhe nga leshrat biond. Çifti është i zgjedhur.
– Enver, – më thotë Tefta, – të ftoj që tash të më vish kur të martohem.
– Medoemos, – i them, – si të mos vij kur të martohet motra ime?
Dhe, kur u martua Tefta me Kristaqin, shkova në dasmën e tyre, e cila qe shumë e thjeshtë e pa ceremoni të kota.
Kur vendi u pushtua nga italianët e filloi Lufta guerile dhe ajo Nacionalçlirimtare, une hyra në ilegalitet. Një dite në rrugë, i maskuar me mustaqe dhe me syze, takova Teftën.
Iu afrova dhe i dhashë dorën. Ajo nuk më njohu menjëherë, por shpejt dhe me forcë ma shtrëngoi dorën dhe më tha:
– Enver, si je, më ka marrë malli. Pyes Koçon për ty, por edhe atë e shoh rrallë.
– Teftë, – i them, – lufta zien dhe ne do të fitojmë, ashtu siç kemi biseduar shpeshherë.
– Enver, – më thotë Tefta, – mos na kurseni, se edhe ne duam të luftojmë. Ti e di shtëpinë tonë, ajo është e Partisë, kurdoherë që të duash, kurdoherë që të jesh në rrezik, hyr te
ne. Kalo nga «Shallvaret» se gjitonët i kemi njerëz të mirë, të popullit. Ruhu, ne do të fitojmë.
– Do të fitojmë, – i them, – dhe u ndava me Teftën.
Kaluan ca kohë. Tirana ishte ndezur zjarr: goditeshim nëpër rrugë, terrori ishte i madh. Dhashë urdhër që një pjesë e shokëve të ekspozuar, të sëmurë e të plagosur të dilnin në
Pezë. Vetë, me -gjithë terrorin e madh, qëndrova brenda, u largova nga bazat e qytetit dhe shkova në Tiranën e Re. Por atje, në atë kohë, nuk kishte ndërtime, ishte fushë, livadhe e
tek-tuk kishte disa shtëpi. Në fund të Tiranës së Re, rrëzë kodrës, ndodhej një shtëpi me dy kate, mjaft e madhe, e lyer me bojë bari. N’ë atë shtëpi banonte një shok komunist, berber, emrin e të cilit e kam harruar. Më duket se ishte nga Kosova. Atje shkuam dhe u strehuam bashkë me një shok që ndenji me mua.
Vendi ishte i mirë, mund ta shikoje nga larg rrezikun dhe të merrje masa.. Por atje s’qëndruam shumë. Informacioni ynë na lajmëroi se duhej të largoheshim sa më parë, mbasi shtëpia kishte rënë në sy dhe mund të kontrollohej. Në mbrëmje, sa u err pak, dolëm që të dy me shokun. Po ku të futnim kokën? Baza afër nuk kishim. Ç’të bënim! Ishim në rrezik, shtrëngonim nagantet dhe bombat në xhepat e palltos. Menjëherë më vjen ndër mend shtëpia e Tefta Tashkos.
– Hajde, – i them shokut, – se tash e gjeta vendin ku do të futim kokën.
Dhe me të shpejtë, drejt e nga porta e madhe, u futëm në oborr dhe trokitëm te dera e brendshme e shtëpisë së Teftës.
E shtymë, por nuk hapej. Dëgjuam ca të ecura të shpejta, pastaj heshtja ra përsëri. I ramë prapë dhe më në fund u dëgjua zëri i ëmbël dhe aspak i emocionuar i Teftës:
– Kush është?
– Hape Teftë, – i them, – jemi miq.
Dera u hap.
– Mirë se erdhët Enver, – tha ajo, – më gëzove.
E prezantova me shokun dhe na çoi sipër në sallon. Dritaret ishin errësuar me perde.
– Keni ngrënë? – na pyeti Tefta.
– Kemi ngrënë, – i thashë, por ajo nuk u gënjye dhe shkoi në kuzhinë.
U hap një derë tjetër dhe na hyri Koço Tashkoja, me fytyrë të vrenjtur e të verdhë. As na përshëndeti, por na tha :
– Edhe këtu erdhët, ta komprometoni dhe Teftën? Do të bëni që edhe këtë ta arrestojnë!
Me këtë frikaman isha zënë keq dhe e kisha sikterisur pikërisht si frikaman. Koço Tashkoja qe strukur në shtëpinë e së motrës dhe s’lëvizte andej, kur të tjerët luftonin e binin nëpër rrugë për atdheun. Nuk e kisha menduar se do ta gjenim këtu Koço Tashkon. Me inat, por me zë të ulët, që të , mos na dëgjonte Tefta, i thashë:
– Koço Tashko, s’kam ardhur tek ti, por te patriotja Tefta Koço. Ajo më ka thënë vetë të vij kur ta shoh pisk e unë erdha tok me shokun dhe Tefta na priti si trimëreshë. Ne nuk do ta komprometojmë atë, ti qan hallin tënd e jo të asaj. Hyri Tefta dhe e lamë këtë muhabet. Ajo shtroi tryezën. Si zakonisht thjesht: çaj, pak djathë, pak reçel, pak gjalpë dhe bukë.
– Me këto më gjetët, por zemra dhe shtëpia është juaja, – na tha.
E falënderuam e i kërkuam ndjesë. Na erdhi shumë mirë që një shoqe jo komuniste i jepte një mësim të mirë një pseudokomunisti si Koço Tashkoja. Biseduam shtruar, folëm gjatë për luftën e madhe që bëhej kudo kundër nazifashistëve, për luftën e popullit tonë, për të
ardhmen e vendit tonë. Teftës i ndritnin sytë, ajo mori pjesë gjallërisht në bisedë dhe kërkoi me insistim që ta aktivizonim sa më shumë se «Edhe ajo donte të jepte gjithçka për atdheun e popullin». Unë i thashë se ajo, me këngët e saj, me zërin e saj, ndizte më tepër flakën e patriotizmit në zemrat e popullit dhe kjo ishte pjesëmarrje në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
– Secili, – i thashë, – lufton me armët e veta; dikush me pushkë, dikush me bomba, të tjerë me penë e fjalë të zjarrta, ti me këngë e me zërin tënd të bukur. Pastaj, – i thashë, – ja, ç’po bën ti sonte? Po të na gjejnë ne këtu, me revole e bomba, jo vetëm që këto do të pëlcasin dhe s’dihet se si mbarojmë të gjithë, por të paktën ti do të mbarosh në burg. – Lëri këto, Enver, – tha Tefta me të qeshur, – nuk trembem unë, por a nuk hapim pak radion se unë nuk rroj dot pa muzikë.
– Edhe ajo na duhet, – tha frikamani, – që të mos dëgjojmë gjë, në qoftë se na gjen ndonjë rrezik nga jashtë. Ndenjëm vonë dhe Tefta na e hoqi mërzinë e brendshme.
– Do të vete t’ju shtroj. Ku do të flini? – tha Tefta. – Më mirë poshtë, Enver.
– Të ramë në qafë, – i thamë, – por u ndodhëm ngushtë.
– Uh, ç’është ajo që thua, – tha Tefta, – po më ofendon, ju mund të rrini këtu sa të doni.
Nga mesi i natës shkuam e ramë të flinim në jatakët e shtruar përdhe e me çarçafë të bardhë. Në mëngjes herët u ngritëm. U çua edhe Tef ta dhe na bëri kafe, pastaj na shtroi
mëngjesin me çaj e ca feta buke. Shoku hapi radion që të dëgjonte lajmet e mëngjesit dhe mbajti shënime. Në atë kohë hyri Tefta dhe kur na gjeti në këmbë, që ishim bërë gati të largoheshim, na tha :
– Keni vend ku të veni? Në mos, rrini këtu.
– Kemi, – i thashë. – Shumë, shumë të falënderojmë, nuk do të ta harrojmë kurrë këtë dashuri që tregoni për ne, për Partinë e luftën e popullit, – dhe i dhamë dorën e dolëm.
add a comment