Komenti

Xh. Gjini: Ribashkimi i Mitrovicës (komente ditore)

RIBASHKIMI I MITROVICËS
Ribashkimi i Mitrovicës do të kontribuonte shumë për tejkalimin e hendekut që ka imponuar Serbia dhe padituria e “grupit negociator” të Kosovës… Ribashkimi i qytetit të Mitrovicës do të ishte hapi i parë vendimtar për një Republikë unitare, siç është definuar shprehimisht edhe në kushtetutën e Kosovës… Ribashkimi i qytetit të Mitrovicës do ta ndihmonte Serbinë shoviniste që ta harrojë aneksimin e veriut të Kosovës… Mitrovica e bashkuar do ta unifikonte Kosovën dhe do të ishte garanci për paqe, stabilitet dhe siguri për të gjithë qytetarët… Është përshtypje e përgjithshme se edhe pakica serbe (qytetarêt e zakonshëm) janë të stërlodhur nga kjo ndarje për qëllime tensionuese dhe konfliktuoze për hesape të Beogradit dhe profiterëve të kriminalizuar… Ndarja e Mitrovicës dhe krijimi i komunave mbi baza etnike ishte dhe është në kundërshtim me parimet themelore të BE-së, demokracisë dhe të vlerave civilizuese… Për korrigjimin e këtij faji ndaj Mitrovicës dhe Kosovës duhet të ndihmojnë edhe miqtë tanë, të cilët bënë gabime kur besuan se do ta ngopnin Serbinë duke i bërë lëshime (koncesione) në dëm të Kosovës shqiptare… Prandaj, institucionet shtetërore duhet ta marrin në shqyrtim këtë mundësi, ta shqyrtojnë dhe studiojnë këtë mundësi me efekt (impakt) vendimtar për paqe dhe stabilitet afatgjatë…
IKËN…
Ikën, nuk i përzuri kush, ikën me dëshirë ! Ikën me urdhër të Beogradit! “Mos u kthefshin më”, tha një i gjakut tyre! Qeveria dhe institucionet tjera shtetërore duhet me mençuri, pjekuri dhe vendosmëri ta vendosin sundimin e ligjit e të rendit në çdo cep të vendit… Republika e Kosovës nuk guxon të zmbrapset a të tërhiqet para kërcënimeve dhe para agresionit të Serbisë! Tërheqja nga Veriu i Kosovës shqiptare do të përbënte tradhti kombëtare, do të rrezikonte paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale… Miqtë e Kosovës nuk mund t’i miratojnë ndërhyrjet, presionet, kërcënimet dhe agresionin e Serbisë shoviniste e luftënxitëse! Bota demokratike dhe miqtë e Kosovës shqiptare duhet t’i dënojnë pa ekuivoke pretendimet territoriale dhe agresionin e Serbisë…