Komenti

Xh. Gjini: Parti të miqve apo parti të Kosovës shqiptare

PARTI TË MIQVE APO PARTI TË KOSOVËS SHQIPTARE

Kur i lexon prononcimet dhe deklaratat e partive politike të krijohet bindja që këto parti politike shqiptare janë krijuar dhe funksionojnë për t’u shërbyer miqve e jo Kosovës! Parti të këtilla e kanë krijuar opinionin publik (bashkë me mediet dhe segmentët tjerë të nëntokës mercenariste e kolaboracioniste!) që Kosova shqiptare dhe kjo pak liri e shtetësi e saj është “dhuratë” e miqve tanë e jo “dhuratë” e përpjekjeve, mundit, dijes dhe sakrificës gati një shekullore dhe e përpjekjeve edhe më të herëshme… Për lirinë e Kosovës është investuar jeta, mundi dhe pasuria e një populli në breza dhe e krejtë kombit shqiptar, është investim dhe rezultat sidomos i shtetit tonë kombëtar…

Këto parti dhe mediat tona të instrumentalizuara, të korruptuara dhe mercenarizuara edhe këto ditë po reflektojnë servilizëm, defetizëm, hipokrizi, përulësi dhe kapitullim pa kushte para shantazhit dhe agresionit në rritje të Serbisë ndaj lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Pajtohem me të gjitha kritikat për sjellje, veprime, politika dhe vendime shpeshherë adoleshente të Qeverisë aktuale të Kosovës… pajtohem që vendi nuk qeveriset me praktikantë, me njëfarë krenarie dhe arrogance boshe të segmenteve të caktuara të kësaj Qeverie në marrëdhënie me shtetin tonë AMË, të asaj kryetares që tund me naivitet flamurin e partisë në presidencë, etj. Pajtohem që për përballje të kësaj shkalle me Serbinë agresore ishte dhe mbetet i domosdoshëm bashkërendimi me Tiranën zyrtare, me Shkupin shqiptar dhe me partitë politike, sepse kështu do të fitohejë edhe përkrahja e miqve… Mirëpo, në momentin që ka filluar agresioni serb dhe në kohën që po zhvillohet ky agresion në rritje kërkohet unitet politik dhe mbështetje për Qeverinë, sepse marrëdhëniet – përballjen me Serbinë dhe agresionin e saj konstant nuk duhet parë dhe shpjeguar nga pozita dhe interesa partiake… Përballë Serbisë duhet uniteti dhe kohezioni politik, patriotik dhe shpirtëror kombëtar. Miqtë tanë dhe miqësinë me ta nuk mund t’i ruajmë duke ndërtuar raporte servilizmi, hipokrizie e vetëpërulësie… Kjo qasje dhe sjellje i ka irituar dhe i iriton miqtë tanë. Ata kanë kërkuar dhe kërkojnë partnerë seriozë në Kosovë dhe rajon e jo servilë, hipokritë e matrapazë që “miqësinë” me miqtë e kanë përdorur dhe e përdorin për përfitime dhe interesa personale, familjare e klanore! Kjo mendësi dhe “filozofi” e tyre u manifestua edhe gjatë këtyre dy ditëve. Ato (partitë politike, bosët e tyre) nuk po dënojnë dhe denoncojnë agresionin dhe pretendimet e pafshehura territoriale të Serbisë  shoviniste, por po dënojnë e denoncojnë vendimin legal dhe legjitim të Qeverisë së tyre për zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në territorin e Republikës!! Po t’i lexosh deklaratat, intervistat dhe prononcimet e partive politike dhe të miqve të tyre (mediat po se po!) të krijohet përshtypja që fajtore është Kosova për gjendjen në veri dhe jo Serbia me pretendimet territoriale dhe provokimet e saj agresive !! Një parti politike e Kosovës shqiptare do t’i jepte mbështetje të plotë Qeverisë së vendit në përballje me kërcënimet dhe pretendimet territoriale të Serbisë. Partitë politike (pozitë dhe opozitë) me unitetin e tyre politik për këtë çështje të një rëndësie të veçantë (pse jo jetike) do t’i ndihmonin edhe miqtë tanë që të qëndronin tē paluhatur përkrah të drejtës së Kosovës dhe kundër ndërhyrjeve të Serbisë në çështjet ekskluzivisht të Kosovës… Partitë që nuk e mbështesin Qeverinë e tyre (abstrahohen emrat personalë, janë të parëndësishëm…) në përpjekjet legale dhe legjitime për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial mund të jenë mirë me miqtë e tyre (servis i tyre), por nuk ke si i kërkon në anën e Kosovës shqiptare… Partitë e mirëfillta politike, serioze dhe shqiptare që nuk i bëjnë presion (me mënyra dhe mjete politike e demokratike) Qeverisë që të qëndrojë dhe të mos tërhiqet para agresionit dhe provokimeve të Serbisë konsiderojë që janë në anën e gabuar… Konstituimi i “zajednicës” (minishtetit serb) me kushtet e diktuara nga Serbia dhe të pranuara nga “përfaqësuesit” sharlatanë të Kosovës (marrëveshja e turpshme-kapitulluese e 19 prillit 2013…) do të jetë kancer për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës… Qeveria që do të pranonte t’ia ngulte këtë thikë Kosovës shqiptare meriton pështymën e kombit shqiptar, përbuzjen dhe përzënien (dëbimin) nga ky truall shqiptar… Paqja dhe siguria në rajon nuk mund të sigurohen më në kurriz të tokave të Shqipërisë dhe kombit tonë!