Histori

Rizah Çelaj: 78 – vjetori i Brigadës XXV Sulmuese që luftoi edhe për çlirimin e Kosovës së pushtuar

78 vjet
Brigada XXV Sulmuese që luftoi për çlirimin e Kosovës
-Në Aste të Tropojës ngrihet një lapidar përkujtimor, ku janë skalitur emrat e 40 partizanëve të rënë dëshmorë –
78 vite më parë, me 6 nëntor 1944, në Aste të Tropojës u bë krijimi i Brigadës XXV sulmuese. Krijimi i kësaj brigade shënoi kulmin e pjesëmarrjes së popullit të Tropojës ne LANÇ. Në Tropojë u mblodhën bijë e bija nga Tropoja e Hasi. Në zemrat e tyre ziente dashuria për atdheun dhe urrejtja për armikun. U mblodhën në atë nëntor në Aste të Tropojës, aty ku sot ngrihet një lapidar përkujtimor, ku janë skalitur emrat e 40 partizanëve të rënë dëshmorë. Aty çdo vit pranë këtij lapidari mblidhen veteranë, pasardhës të tyre, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, banorë të fshatrave përreth e drejtues të pushtetit lokal. Si çdo formacion luftarak i UNÇ edhe brigada e XXV sulmuese ka historinë e saj luftarake. Në Tropojën e sapo çliruar brigada numëronte 900 partizanë, 700 ishin nga Tropoja dhe 200 ishin nga Hasi. Komandant i brigadës XXV u caktua Veli Doçi, zëvendëskomandant Çelo Arreza, komisar Nuri Arapi, zëvendës komisar Spiro Pano, përgjegjës rinie Jovan Antoni, itendent Maxhun Nimani. Në katër batalione u caktuan këta komandantë: batalioni i parë komandant Idriz Mulosmani, batalioni i dytë komandant Ali Brahimi, batalioni i tretë komandant Mehmet Mulosmani dhe batalioni i katërt komandant Ismail Poga. Kishte kohë që në Tropojë vepronin njësi e çeta partizane e më vonë batalione. Faktet flasin qartë se një pjesë e tyre ishin kalitur në luftimet e ashpra që kishin zhvilluar në shumë zona të Tropojës. Veprimet luftarake në këto njësi datojnë që në vitin 1941. Është i njohur fakti për njësitë guerile të Bytyçit, ndër të parët në rrethin e Tropojës që zhvilloi disa aksione me rëndësi. Me aksionet e zhvilluara si në vrasjen e spiunëve të fashizmit, në prerjen e linjave telefonike në zonën që përfshihen nga fshati Luzhë e deri në qafë Luzhë. Në vazhdën e aksioneve çeta e Gashit u shqua në aksionin e Shumrisë, i cili kishte si qëllim prerjen e rrugës Kukës – Pukë të një autokolone italiane e shumë e shumë aksione të tjera të gjitha me sukses e fitore.
Një pjesë e partizanëve të Brigadës XXV sulmuese vinin nga batalioni “Bajram Curri”, “Rinia” e ai “Territorial”. Nga luftimet e zhvilluara ato tashmë kishin krijuar një përvojë të mirë. Shumë nga partizanët e kësaj brigade ishin të rinj, por me një dëshirë të madhe për të luftuar. Kjo bëri që radhët e Brigadës XXV të mbusheshin shpejt. Aktivitetet e saja luftarake dhe jashtë territorit shqiptar në territorin e ish Jugosllavisë. 23 ditë luftime e beteja të pa ndërprera në territorin shqiptar kundër forcave gjermane dhe atyre reaksionare të përqendruara në Nikaj – Mërtur dhe në Dukagjin ja shtuan vlerat e këtij formacioni të ri luftarak. Në këto luftime bie edhe dëshmori i parë i brigadës Ahmet Elez Ulaj nga Vuthajt e Plavës. Që ditën e parë të formimit nisën aksionet luftarake të batalionit të parë e të dytë për çlirimin e Plavës e Gucisë e më vonë të Pejës. Me 18 nëntor 1944 brigada do të bëhej pjesë e divizionit të pestë sulmues. Aksionet do të ndiqnin njëri-tjetrin. Këtë herë radhën e kishte Gjakova. Pas luftimeve të ashpra me 28 nëntor u çlirua Gjakova. Bashkë, popull e partizanë festuan fitoren. Jehona e luftës çlirimtare ishte përhapur kudo në Kosovë. Kjo bëri që brigada XXV sulmuese t’i shtoheshin edhe 350 kosovarë. Numri i partizanëve u rrit. Më 28-29 nëntor 1944 brigada bëri 80 km rrugë nga Gjakova në Ferizaj, duke ndihmuar brigadën e dytë jugosllave të Kosmetit, e cila ishte e rrethuar nga gjermanët. Luftimet vazhduan gjatë. Pas çlirimit të Ferizajt, së bashku me brigadat e tjera të Divizionit pestë marshuan drejt Sanxhakut të Bosnjes. Brigada që shkoi në Ferizaj me 3 dhjetor 1944 u gjend përpara një fatkeqësie të pashoqe. Një natë më parë nazistet gjermanë kishin vrarë 360 veta të pa fajshëm, 50 prej të cilëve në xhaminë e qytetit. Bashkë me brigadën V Sulmuese u çlirua edhe Priepolja. Kjo brigadë kreu me nder detyrat e sajë luftarake duke dhënë ndihmesën e sajë në çlirimin e Kosovës. Bijtë e bijat e sajë derdhën gjakun për liri. Luftuan edhe jashtë Shqipërie, në tokat shqiptare dhe jugosllave, duke dhënë një shembull të shkëlqyer si internacionalist. Kishte raste kur nga një familje u rreshtuan më shumë se një partizan. Një shembull tipik malësor e shqiptarë është i 4 vëllezërve nga Gashi që ju bashkuan kësaj brigade. Ata janë Sylë Kanxhi, Rexhep Kanxhi, Idriz Kanxhi dhe Avdy Kanxhi. Avdyl Kanxhi ra dëshmor krahas 40 dëshmorëve të tjerë të brigadës. Luftohej ne frontin e luftës, por në kohen e lirë bëhej punë bindëse e edukative e cila ishte në lartësinë e duhur shpesh herë për tu admiruar edhe sot. Ndonëse zhvillohej luftë në acar, borë, ngrica, gjetën kohën e vendin që të nxirrnin dy gazeta xhepi. Në marsin e vitit 1945 kur brigada ndodhej në periferi të Mitrovicës, batalioni i dytë botonte gazetën e xhepit të titulluar “Agimi“, ndërsa batalioni i tretë partizan gazetën e xhepit “Flaka“. Në këto gazeta shkruhej për fitoret e vazhdueshme të formacioneve luftarake për gadishmërinë, për sakrificat e panumërta që bënin, por krahas këtyre në faqet e gazetave pasqyrohej edhe veprimtaria sportive. Vend të veçantë në gazeta zinte shfaqet teatrale që bënin në kohën e lirë. Dokumentat flasin me hollësi për pasqyrimin e këtyre veprimtarive. Forma të tilla pune shtonin vullnetin e besimin në fitoret e ardhme të brigadës. Interesant është fakti se nga efektivi prej 900 partizanësh të brigadës XXV sulmuese jetojnë vetëm 7 prej tyre, 6 janë në Tropojë e një në Has. Në Tropojë jetojnë Man Miftari, Abaz Dollapi, Sejde Hasani, Rrustem Logu, Musli Rama dhe Avdyl Meta e në Has jeton Sadik Nezir Qarri. Këta partizanë nderohen e respektohen nga pasardhës e veteranë. Shpesh grupe-grupe në Has e Tropojë u bëjnë vizita, bisedojnë me ta. Mbi supe u rëndojnë vitet gati shekullore por me mall kujtojnë vitet e luftës për liri. Ndaj sa herë vjen data 6 nëntor, dita e krijimit të Brigadës XXV Sulmuese Tropoja e Hasi dërgojnë në Aste përfaqësuesit e vet për të kujtuar e nderuar atë luftë mbushur me sakrifica e fitore, atë luftë që na solli lirinë.
RIZA ÇELAJ