KUR BEOGRADI KËRCËNON TOKËN E SHQIPËRISË (TIRANA ZYRTARE DUHET T’I PËRGJIGJET FLAKË PËR FLAKË)
Kosova tokë e Shqipërisë, si çdo pëllëmbë e tokës shqiptare, gjatë gjithë ekzistencës së saj, që nga lashtësia, ishte pjesë e përpjekjeve, e luftërave dhe e sakrificave për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha krahinave të Shqipërisë në një shtet. Kosova (jo vetëm në kufijtë aktual!) ka qenë e banuar dhe është nga shqiptarët. Propaganda e furishme dhe e koncentruar shoviniste serbe Kosovën e Shqipërisë në pjesën më të madhe e shpopulloi me dhunë, terror e gjenocit dhe e populloi (kolonizoi) me serbë, e sllavizoi, kurse pjesën e mbetur e trajtonte dhe e prezantonte para botës si “djepin e Serbisë”!? Për qëllimet e tyre ekspansioniste dhe terroriste ndaj tokave të Shqipërisë dhe popullit shqiptar Serbia dhe Mali Zi patën “miratimin” e Perandorisë Otomane dhe përkrahjen financiare, ushtarake, politike e diplomatike të Rusisë dhe Fuqive tjera evropiane… Nuk është pa përgjegjësi e faj edhe ajo pjesë e popullit shqiptar që për grada e privilegje otomane mohuan komb e fe, mohuan flamur e Atdhe dhe u bënë dyshek i pushtuesve otomanë e më vonë grekë e sllavë!!…
Lufta e armatosur Çlirimtare, e organizuar nga LPK – ja dhe krijimi i UÇK – së e ndërgjegjësoi botën Perëndimore për çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe për Kosovën (me vise) si zemra e Shqipërisë dhe SHQIPTARISË. Lufta çlirimtare antipushtuese e LPK – UÇK-së ishte leksion për botën e civilizuar dhe për pjesën e bastarduar të popullit tonë… Kjo ishte lufta më e organizuar dhe më e suksesshme e Shqipërisë së pushtuar nga Jugoserbia. Megjithatë, nuk u mbrri çlirimi i plotë i Kosovës, që përfshinte të gjitha tokat e pushtuara shqiptare nga Jugoserbia… Kosova e Shqipërisë, në kufijtë e saj të “trashëguar” nga pushtuesit jugoserbë nuk u lejua t’i bashkohet shtetit të saj, Republikës së Shqipërisë, por iu imponua një “zgjidhje” suigeneris (shtet pa sovranitet!). Lufta Çlirimtare u bë me Flamurin kuqezi dhe me Betimin për t’u bashkuar me shtetin tonë, por ndërhyrjet, presionet dhe shantazhet e Fuqive të Mëdha imponuan “kompromisin e dhimbshëm”: Kosova (pa vise) të mos i bashkohet shtetit të saj, kurse viset e saja të mbeten nën Maqedoni, Mal të Zi e Serbi, siç i kishte copëtuar Jugoserbia e diktatorit dhe satrapi Tito – Rankoviç. Kjo gjendje e një Shqipërie dhe e një kombi copë – copë i ka mbajtur të gjalla dhe po i ushqen ëndërrat dhe orekset e shovinizmit serb dhe të shovinizmave tjerë antishqiptar në Iliri (Ballkan).
Prodhim i këtyre ëndërrave, orekseve dhe politikave ekspansioniste janë edhe tendencat dhe kërcënimet permanente për agresion nga Serbia neofashiste. Ngritja në shkallë gatishmërie e ushtrisë serbe dhe kërcënimet për intervenim sa herë që Republika e Kosovës kërkon të vedosë sundimin e ligjit dhe të kontrollit në tërë territorin e saj është prova më e sigurt se Serbia po pret “ditën” e saj për aneksimin e Veriut të Kosovës shqiptare… Prandaj, shqiptarët nuk duhet të “flejnë dath”, siç porosisinë çdo ditë e çdo natë mediat, politikanët dhe kalemxhinjtë kosmopolitë e kolaboracionistë… Bota po zien nga konfliktet dhe luftërat shkatërrimtare! Sidomos Tirana zyrtare do të duhejë t’u përgjigjejë flakë për flakë kërcënimeve për agresion dhe propagadës shoviniste për “Kosovën serbe”… Tirana zyrtare, mediat dhe inteligjencia shqiptare duhet t’ia thonë shkoqur dhe prerë Serbisë dhe botës se Kosova është tokë e Shqipërisë dhe populli i saj pjesë e pandashme e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar…