Shqipëria/Aktualitet

Shqipëri-Kosovë, drejt funksionalizimit Dhoma e përbashkët Ekonomike

Shembull që duhet të ndiqet nga dy akademitë e shkencave, nga institutet albanologjike, nga institutet e historisë, nga bashkësitë islamike shqiptare dhe nga të gjiha fushat tjera… Këtyre “integrimeve” duhet t’u bashkohen edhe institutet e Maqedonisë shqiptare… Kombi shqiptar dhe Shqipëria duhet të “integrohen”… (GL)

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Shqipëria dhe Kosova do të bëjnë funksionale Dhomën e përbashkët Ekonomike për të cilën u arrit marrëveshja që në 2018-ën.

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u takuan gjatë kësaj jave në Tiranë.

Kryetarja Muçostepa u shpreh se UCCIAL do të përkrahë këtë projekt dhe forcimin e bashkëpunimit në mënyrë që ekonomitë e të dy vendeve të jenë plotësuese, sidomos në këtë krizë globale ku gjendemi.

Kryetari Rafuna u shpreh se në thelb të këtij projekti është bashkëpunimi në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të dy vendeve.

“Me realizimin e këtij projekti do të nxisim bashkëpunimin dhe shkëmbimin ekonomik në mes dy vendeve”, u shpreh Kryetari Rafuna.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Pejë, synimi i dhomës së përbashkët Shqipëri – Kosovë do të jetë përkrahja e bashkëpunimit të bizneseve të dy vendeve, nxitjen e investimeve të përbashkëta si dhe përmirësimin e legjislacionit, në të mirë të bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova. /j.p/