ULUR ME MIKUN….
ME KUJTIMET E KËNGËS
…” E mbani mend Festivalin e Parë të Këngës në RTSH…..???!!!”
……Kur isha para disa ditësh në Lushnjë, i ftuar nga miku im Adriatik Gega në festivalin e parë “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela”, para hyrjes në sallë ndalova hapat dhe një foto të madhes Vaçe Zela ashtu me kitarën qe nuk pushojë së nxjerrë tinguj aq të ëmbël shoqëruar nga zëri brilant i paharritshëm i “Mbretëreshës së Këngës Shqiptare” të paharruarës Vaçe Zela.
Kur u ktheva në Tiranë në mbërmje duke pirë një kafe me një mikun tim, muzikant i hershëm, në lokalin e veçuar, i tregova për “Mikrofonin e Artë “Vaçe Zela” Buzëqeshi, heshti dhe biseda erdhi rrjedhshëm aty në kohët e arta të fillimit të rrugëtimit të Festivaleve të Para në RTSH.
Për çudinë time ai më tha diçka të veçantë, që më befasoi:
-Kam një fletore të çmuar ku kam shënuar festivalet e RTSH nga Festivali i parë.
Shumë kurioz i kërkova, që të nesërmen të ma sillte atë fletore “thesar” dhe të shfletonim ato kujtime.
Dhe e nesermja erdhi. Në mëngjes, pas kthimit nga shëtitja e zakonshme buzë Liqenit të Tiranës, me Dolen, shijova edhe mëngjezin e përgatitur nga “përmetarja ” Dola, u vesha dhe dola.
Miku im ishte bërë gati dhe dolëm. Në një gazetë kishte të mbështjellë atë “Thesarin” e tij.
U ulëm në lokal dhe porositëm kafenë e zakonshme. Në lokal volumi i muzikës ishte tepër i lartë.
Për një moment miku im rrudhi sytë, kafshoi buzën dhe belbëzoi:
-A thua quhet kjo muzikë dhe kjo këngë…??
E pashë në sy dhe duke dhënë një shkak u ngrita nga tavolina dhe u drejtova në banak.
-Ju lutemi mund të ulni në minimum volumin e këngës. Vetëm ne të dy jemi në lokal dhe duam të bisedojmë.
U ktheva në tavolinë.
E ngacmova unë muzikantin e vjetër:
-Më tregoni pak për Festivalet e RTSh ndër vite. Mundësisht atë të Parin. Une kam qënë i vogel, por di që u zhvillua në 1962.
Heshti muzikanti më pa thellë në sy. Mbylli pak sytë e lodhur dhe me gishtrinjtë, që nuk i komandonte plotësisht mbase pak nga mosha, por më shumë nga emocionet, hapi dhe gjeti faqen ku kishte shënimet përkatëse dhe filloi të ligjërojë me zë të ulët:
-Kam qënë i ri, i apasionuar pas muzikës. E pritëm si një lajm të jashtëzakonshëm zhvillimin e Festivalit të Parë në RTSH.
U zhvillua në datat 21, 22, 23, 24 Dhjetor 1962, kurse nata finale më 26 Dhjetor 1962.
Një kuriozitet nuk u dha asnjë çmim i parë. Por pas disa vitesh RTSh çmimin e parë ja akordoi këngës “Fëmija i parë” kënduar nga e madhja dhe e paharrueshmja Vaçe Zela, atëherë një këngëtare e re plot dinamizëm.
-Cmimi i dytë për këngët : “Këndoj” Muzika Avni Mula, me teks të Ismail Kadaresë, kënduar nga dueti Avni Mula dhe Meliha Doda, këngës ” Lule të bukura sjell pranvera”, muzika Mark Kaftalli, teks të Çesk Ndrekos, po kështu kënduar nga dueti Florida e Ndrek Gjergji, po këtë këngë e kënduan dhe dueti Violeta Simoni dhe Xhavit Xhepa dhe këngës “Vashëzo” me muzikë të Koço Uçit që është njëkohësisht dhe autori i teksit, kënduar nga dueti Qemal Kërtusha dhe Meliha Doda.
-Cmimi i trete ju dha këngëve:
“Mos më qorto”, muzika Vath Cungu, teksi Dionis Bubani, kënduar nga këngëtarët Violeta Simoni dhe Qemal Kërtusha.
“Fëmija i parë”, muzika Abdulla Grimci, teksi Dionis Bubani, kënduar nga Vaçe Zela dhe Qemal Kërtusha.
E pashë me admirim të paparë. Çfarë thesari është sot kjo fletore e zhubravitur nga vitet.
-Por kam shenuar edhe diçka të veçantë, çmimet për këngëtarë:
Çmimi i pare për këngëtaren Vaçe Zela.
Çmimi i dytë Avni Mula, Qemal Kërtusha.
Çmimi i trete Meliha Doda,Florinda Gjergji dhe Violeta Simoni.
Nuk e ngacmova më. Ndjeva sa emocione i zgjuan këto rrjeshta. Duke ju dridhur duart e mbylli me kujdes atë fletore aq “të vyer” me këto kujtime brilante.
Pastaj biseduam për temat e përditshme të jetës…..
…..U ngritëm dhe e përcolla deri tek kuadrati tjetër i pallateve ku banonte muzikanti i nderuar. Mora premtimin e tij për të pirë disa ditë më vonë kafen tjetër dhe një tjetër kujtim për Festivalet ruajtur në faqet e zverdhura të fletores së tij aq të çmuar…..
Pirro Minella Millona
Tiranë, më 26 Tetor 2022.
add a comment