Shqipëria/Aktualitet

Fatos Tarifa: Letër e hapur Kryeministrit Edi Rama

Letër e hapur pas një deklarate që e quan “diçka mëse të natyrshme” pushtimin e Shqipërisë nga një ushtri fashiste.

I nderuar zoti Kryeministër!
Ju dëgjova në sallën e Kuvendit të Shqipërisë dy ditë më parë kur përshëndetët Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me rastin e pesëdhjetëvjetorit të themelimit të saj. Më erdhi mirë që në fjalën tuaj përmendët me respektin që meritojnë “etërit themelues” të kësaj akademie, Aleks Budën dhe Eqerem Çabejn, të cilët me të drejtë i cilësuat si “kolosë” të shkencës shqiptare.
Jam tërësisht i një mendimi me ju se, në vitet 1990 e këtej, politika ka ndërhyrë brutalisht në veprimtarinë e Akademisë së Shkencave duke i shpërbërë strukturat e saj dhe duke e braktisur atë rezervuar burimesh njerëzore që, siç shpreheni ju, ka qenë “mbase pjesa më e çmuar e trashëgimisë së të shkuarës”.
Po kështu, ndaj të njëjtin mendim me ju se, nëse s’do të kishin qenë Çabej dhe Buda, ne shqiptarët do të ishim “të paarmatosur” në debatin që zhvillohet sot për prejardhjen, gjuhën dhe historinë tonë kombëtare dhe se historianë si Xhufi dhe Milo do e kishin shumë më të vështirë sot të shkruanin për historinë e kombit tonë.
Me të gjitha këto jam tërësisht dakord. Për më tepër, ndaj me ju edhe pikëpamjen, që në fjalën tuaj atë ditë e artikuluat mjaft qartë, se “historia e shqiptarëve është e kërcënuar nga një injorancë dhe një arrogancë e pashembullt, që për shumë vite e ka kthyer mënjanësinë e Akademisë së Shkencave në një territor anësisht politik dhe në një arenë ekstremizmash”.
invazioni_italian_ne_shqiperi_01
Me kohë kam shprehur dhe argumentuar mendimin—dhe këtë e kam bërë publikisht të njohur edhe në një letër të hapur për ju—se politika nuk duhet të përzihet në studimin e historisë. Historia u duhet lënë historianëve, juristëve dhe sociologëve që ta studiojnë, ta shkruajnë dhe ta vlerësojnë e rivlerësojnë mbi bazën e dokumenteve të reja që mund të dalin në dritë nga koha në kohë.
Vetëm ata historianë dhe ata studiues, që integritetin e tyre shkencor e moral nuk i shkëmbejnë me privilegje e ofiqe, mundet që t’i zbulojnë dhe shpjegojnë të vërtetat hitorike. Këtë nuk mund ta bëjnë pseudohistorianët, as ata historianë që u shërbejnë interesave të ditës dhe politikës së stinës. Këta të fundit (dhe të tillë, fatkeqësisht, ka shumë), i ndërrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre, shumë herë duke fshehur ose duke shtrembëruar faktet historike, me ndryshimin e stinëve në politikë, me ndryshimin e partive në pushtet.
Po kaq të paaftë për të studiuar dhe interpretuar historinë janë politikanët dhe qeveritë. Me keqardhje vë re, i nderuar zoti Kryeministër, se edhe ju vazhdoni të shprehni e të mbroni konsiderata historike që bien ndesh me të vërtetat historike, me logjikën historike dhe me sentimentet e pjesës më të madhe të shqiptarëve.
Në përshëndetjen tuaj në jubileun e artë të Akademisë së Shkencave, ju me të drejtë kritikuat “arrogancën e pashembullt” me të cilën politika ka ndërhyrë në interpretimin e historisë sonë kombëtare deri më sot. Por, edhe së fundmi, nga pozita e kreut të qeverisë së këtij vendi, ju vetë jeni shprehur dhe keni mbajtur qëndrime po aq arrogante mbi çështje historike që nuk ju përkasin juve, që s’kanë të bëjnë aspak me ekspertizën tuaj dhe që, për më tepër, e kompromentojnë staturën tuaj si politikan i rangut më të lartë.
Po atë ditë që përshëndetët Akademinë e Shkencave, lexova një intervistë tuajën dhënë televizionit italian SkyTG24. Ndërsa, ashtu si ju, unë besoj se orientimi politik ekstremisht i djathtë i kryeministres së re të Italisë, Giorgia Meloni, nuk do të ketë asnjë ndikim të ndieshëm negativ në marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore mes Italisë (një partner strategjik për ne) dhe vendit tonë, më bëri shumë përshtypje vlerësimi juaj në atë intervistë për pushtimin e Shqipërisë nga ushtria fashiste e Musolinit. Nëse fjalët tuaja në atë intervistë janë përkthyer saktë në mediat tona, ato fjalë thoshin, as më shumë as më pak, se “pushtimi fashist [i Shqipërisë] të themi ka qenë një pushtim sikur të ishte diçka mëse e natyrshme, sepse Shqipëria i përkiste kësaj perandorie” (!!).
Këto fjalë tuajat, që rastësisht i lexova po atë ditë që përshëndetët shkencëtarët shqiptarë në pesëdhjetëvjetorin e krijimit të Akademisë së tyre, më tingëlluan si një antitezë arrogante e asaj çfarë ju u thatë atyre atë ditë. Nuk mundem ta di se cili është kuptimi që ju i jepni fjalës pushtim si “diçka mëse e natyrshme” kur flisni për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, por fjalët tuaja më tingëlluan si një sakrilegj i madh. Pas atyre fjalëve apologjetike nuk mbetet veçse t’i shprehim mirënjohjen tonë si popull dhe si vend Italisë së Musolinit që na pushtoi më 1939.
Si mund ta quani “diçka mëse të natyrshme” pushtimin e Shqipërisë nga një ushtri fashiste që shkeli në tokën tonë me rreth 40,000 ushtarë, që erdhën nga përtej Adriatikut me 12 luftanije, me rreth 400 avionë, tanke dhe mjete të motorizuara?! Si mund të quhet “mëse i natyrshëm” një pushtim fashist që u mori jetën dhjetëra mijëra njerëzve, që shkatërroi ekonominë shumë të varfër të këtij vendi, qindra shkolla fillore, kisha dhe ndërtesa publike, si dhe mijëra shtëpi?!
Fjalë si ato, të dala nga goja e kryeministrit të Shqipërisë, dëshmojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha dëshmojnë oportunizëm politik dhe mungesë dinjiteti për kreun e qeverisë së një vendi, që në Luftën e Dytë Botërore u rreshtua përkrah Aleancës së Madhe antifashiste dhe doli nga ajo luftë në krahun e fitimtarëve të saj.
Fjalët tuaja në atë intervistë sugjerojnë, gjithashtu, një shpërfillje thuajse të plotë për rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit fashist italian dhe dëmeve të mëdha njerëzore e materiale që pësoi vendi ynë gjatë katër viteve e gjysmë të atij pushtimi.
Ato fjalë që ju thatë për një televizion italian mund të lexohen, gjithashtu, si një mesazh arrogant dhe imponues për studiuesit tanë të historisë, të cilëve u thoni se, pavarësisht fakteve dhe dokumenteve historike, pavarësisht vrasjeve dhe shkatërrimeve që bënë pushtuesit fashistë italianë në Shqipëri, pavarësisht rezistencës dhe luftës antifashiste nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër atij pushtimi, ai pushtim ishte “diçka e natyrshme”.
Fjalët tuaja janë të rënda për dinjitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar, që i rezistoi me armë dhe heroizëm pushtimit fashist, si dhe për kujtimin e atyre dhjetëra mijëra shqiptarëve të vrarë gjatë kohës së atij pushtimi. Ju thoni se “Shqipëria i përkiste kësaj perandorie” (!)—cilës perandori? kur? si? pse?—dhe prandaj pushtimi i saj prej Italisë fashiste ishte “diçka mëse e natyrshme”. Ky “argument” është nën dinjitetin e kreut të një qeverie të zgjedhur nga vota e një populli, që është shquar dhe shquhet për vlerat antifashiste të tij.
Përfytyroni për një çast sikur presidenti i Ukrainës Volodymyr Zeneskyy t’u thoshte sot popullit ukrainas dhe historianëve të atij vendi se pushtimi rus i territoreve të vendit të tyre është “diçka mëse e natyrshme”, pasi Rusia dhe Ukraina kanë qenë për një kohë të gjatë pjesë e së njëjtës perandori—perandorisë cariste dhe asaj sovjetike.
Përfytyroni për një çast sikur drejtuesit e sotëm të Republikës Çeke dhe të Hungarisë t’u thonin çekëve dhe hungarezëve se tanket sovjetike në Budapest më 1956 dhe pushtimi rus i Pragës më 1968 ishin “diçka mëse e natyrshme”, pasi këta dy vende ishin në atë kohë pjesë e perandorisë komuniste dhe e Traktatit të Varshavës që sundohej nga Moska.
A do e konsideronit ju, zoti Kryeministër, një gjë po kaq “të natyrshme” pushtimin dhe aneksimin eventual të Taivanit nga Kina ngaqë ky ishull, sot një republikë sovrane, ka qenë ndër shekuj pjesë e perandorisë kineze?
I nderuar zoti Kryeministër!
Ju kërkoj ndjesë nëse këto radhë mund t’ju tingëllojë didaktike, por habia dhe indinjata që shkaktuan tek unë fjalët tuaja mbi natyrën e pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste më përforcojnë edhe më shumë bindjen se politika dhe politikanët duhet t’i qëndrojnë larg historisë dhe të mos trazohen në çështje që s’kanë të bëjnë aspak me politikat aktuale dhe ato perspektive për zhvillimin e vendit.
Ajo çka do të duhej të bënte më shumë dhe më mirë qeveria që ju drejtoni do të ishte të investonte më shumë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe të shkencës në vendit tonë, përfshirë edhe studimet në fushën e historisë dhe të traditës sonë kombëtare. Ky do të ishte shërbimi më i vyer që kjo qeveri dhe çdo qeveri tjetër do i bënin zhvillimit të shkencës në Shqipëri dhe ruajtjes së trashëgimisë më të mirë kombëtare të popullit tonë.
Me respekt,
Fatos Tarifa
13 TETOR 2022 (E botuar edhe në gazetën “DITA”)