Kulturë\Letërsi

Ditmir Bushati: Migjeni dhe Dritëroi

Migjeni dhe Dritëroi, dy shkrimtarë me sytë nga e ardhmja, janë të lidhur rastësisht nga fati me të njëjtën datë lindje dhe padyshim në përjetësi, falë kontributit të tyre kolosal në letrat dhe mendimin shqip.
Migjeni dhe Dritëroi donin një letërsi të re, përparimtare, të një shekulli të ri dhe e realizuan atë.
Përballë euforisë që po i merrte frymën mendimit shqiptar, Migjeni parashtroi një vizion krejt të ri. Vështrimin me një sens vetkritik të kapërcimit të sfidave të kohës. Për Migjenin, “mali që s’bëzan” kishte të bënte me mendësinë e vjetër, mitet, idhujtarinë e rrejshme, komplekset e paragjykimet të shtresuara ndër shekuj, të cilat duheshin tejkaluar.
Ndërsa Dritëroi u bë shpejt protagonist i ndryshimit të rrjedhës dhe të fatit të letërsisë shqipe. Shkrimtar emancipues, intelektual publik, para gjashtë dekadash do të shkruante: “traditë po, por jo shtampë”, duke i qëndruar besnik kësaj teze deri në fund.
Duke kujtuar ditën e lindjes të Migjenit dhe Dritëroit, përulemi ndaj veprës dhe trashëgimisë së tyre.