Blushi i ish rrethit të Kolonjës ka nxjerrë figura të shquara, që kanë pas dhënë kontribute të çmuara atdhetare në shumë fusha.
Njëri prej tyre, emri dhe vepra e të cilit e kanë nderuar këtë fshat dhe shumë më gjerë, është edhe i ndjeri Dhosi Jano.
Po cili është Dhosi Jano?
I lindur më 11 janar të vitit 1931, Dhosi ishte shumë i vogël, fëmijë, kur i ati do të shkonte emigrant ekonomik në Amerikë. Së bashku edhe me tre vëllezërit e tjerë, i ati u përfshi në gjirin e Federatës Atdhetare “Vatra”.
Gjatë LANÇ shtëpia e Dhosit u bë bazë e fuqishme e Lëvizjes Antifashiste. Vëllaj i madh, Vasili, luftoi kundër nazisto – ballistëve dhe ra Dëshmor i Atdheut më 29 nëntor 1943.
Pasi mbaroi Normalen e Elbasanit në vitin 1953, Dhosi vazhdoi fakultetin gjuhë – letërsi, të cilin e mbaroi më 1957. Tashmë gjatë dy vjetve shërbeu si shef i edukimit të Pionierëve në Tiranë. Gjatë dy viteve në vazhdim do të ishte mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “29 Nëntori” të Shkodrës.
Në gusht të vitit 1960, kur ishte vetëm njëzetë e nëntë vjeç, emërohet përgjegjës i seksionit të Arsimit e Kulturës në rrethin e Lushnjës.
I martuar me mësuesen Liri Toçi nga Elbasani, bashkëshortët Jano do të lindnin tre fëmijë: Vason (mjerisht ndarë nga jeta), Arianën dhe Florianin.
Nga Blushi, Elbasani, Tirana e Shkodra, në gusht të vitit 1960 Dhosi zbret përfundimisht në Lushnje për t’u bërë tashmë një “myzeqar” i nderuar nga të tërë ata që patën rast ta njihnin.
1.
Një letër anonime qe bërë objekt diskutimi në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Lushnjës.
– Ta lëvizim nga shkolla tetëvjeçare “Skënder Libohova” mësuesen Athina Kice dhe ta kalojmë në ndonjë fshat diku afër qytetit, – sugjeroi dikush nga anëtarët e Komitetit.
– Po përse u dashka të veprojmë kështu?! – pat pyetur një tjetër me një farë habie.
– Të veprojmë kështu, sepse kemi mjaft mësuese të tjera të lidhura fort me Luftën, që kanë vite që vazhdojnë të punojnë nëpër fshatra.
– Cili është mendimi juaj, shoku Dhosi, si përgjegjës i seksionit të Arsimit e Kulturës? – i qe drejtuar kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, Mark Ndou.
I qetë prej natyre, ashtu pa u ngutur, Dhosi kishte vazhduar të sqaronte të pranishmit në mbledhje:
Mësuesja Athina Kice vërtet ka diçka në biografinë e vet për shkak të të atit, por ama nga e ëma është e lidhur fort me Partinë. Xhaxhallarët e saj kanë qenë baza të Lëvizjes. Vëllaj i saj, Pandi Muço dhe bashkëshorti i vet, Rakoja, besoj se i njihni, kanë qenë pjesëmarrës në Brigadën XVI Sulmuese Partizane…
Kishte qëndruar një hop dhe pat vazhduar:
Kur i kishte mbushur apo nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, Athinaja u emërua mësuese dhe shërbeu me përkushtim fshatrave të zonës së Fier – Sheganit… Dhe në ç’kohë?! Që në vitet pesëdhjetë, kur, si i thonë, të hante morri…
Po sot? – pat vazhduar Dhosi. – Sot ajo është një mësuese e vlerësuar nga shumë prindër. Janë mjaft kuadro nga radhët tona, që fëmijët e tyre dëshirojnë t’i dërgojnë nxënës pikërisht te kjo mësuese…
– Kështu qenka?! Atëherë, shoku Dhosi, kjo mësuese të mos lëvizë nga vendi. – Nuk ka shkak të arsyeshëm që të qarkullojë.
Dhosi Jano dinte çfarë bënte.
2.
Një ditë janari të vitit 1980 një grup banorësh të Kamçishtit me në krye kryetarin e këshillit popullor të këtij fshati i kishin zënë derën përgjegjësit të seksionit të Arsimit e Kulturës, Dhosi Jano.
– Fëmijët tanë vazhdojnë mësimet në një godinë që më shumë i ngjan një hangari, se sa një shkolle. Me dyer të shqyera e me dritare të shkatërruara, fëmijët e kanë shumë të vështirë të ndjekin mësimet, ca më shumë gjatë dimrit.
– E njohim gjendjen, por… është çështje fondesh! Hëpërhë jemi duke ndërtuar godinat e disa shkollave të tjera, – u drejtohet Dhosi. – Me radhë punët.
– Vetëm godina e shkollës sonë nuk pret radhë! Kemi besim tek ju.
Me siguri që atyre çasteve përgjegjësi i seksionit të Arsimit e të Kulturës jetonte me hallin e madh të atyre që kishte përpara në zyrë.
– Do t’ju jap përgjigje të plotë mbas dy javësh. Dakord?
Të ardhurit nga Kamçishti nuk e zgjatën më tutje dhe, duke besuar se diçka do të mund të bëhej, u larguan.
Të nesërmen Dhosi kishte shkuar në Ministri dhe kishte kërkuar fonde.
– Fonde?! Jua kemi dërguar në rreth, sipas planit, – i thanë.
– Këtë fond nuk po jua kërkojmë, por po jua lypim, ashtu, jashtë planit tuaj…
Kishte buzëqeshur ministrja Tefta Cami. Kur dëgjoi tonin lutës të të ardhurit nga Lushnja, i drejtohet:
– Dakord, po jua dërgojmë fondin, por ama se mos na e digjni, siç po shohim të na digjen në disa rrethe!
– Më 15 gusht, shoqja ministre, jeni e ftuar në Kamçisht, për të prerë shiritin e përurimit të godinës shkollore. Ju presim.
Dhosi u kthye në Lushnje, fondet erdhën dhe në Kamçisht u fillua nga puna.
Dhe vërtet, jo më 15 gusht, por më 22 tetor 1980 minisrja Cami ishte vet në Kamçisht, ku së bashku me shoqen Lenka Çuko prenë shiritin e përurimit të godinës së re shkollore.
– Faleminderit shumë, shoku Dhosi! – qe urimi i ngrohtë i një grupi banorësh të Kamçishtit. – E mbajtët fjalën.
3.
Mes arsimtarëve gjatë muajit korrik të atyre viteve të para nëntëdhjetës dëgjohej një shprehje disi e shpeshtë: “a doli kuadri?” Në këtë “a doli kuadri?” nënkuptoheshin emërimet, transferimet apo shkarkimet e mundshme nga përgjegjësitë.
Autorin e këtij shkrimi e caktojnë drejtor të shkollës tetëvjeçare të Kosovës së Vogël në ish rrethin e Lushnjës. E vërteta ishte, se emrin e këtij fshati e kishim dëgjuar si emër toponimik, por as që e dinim se ku binte!
Gjithsesi, i hipi biçikletës dhe, nga fshati Pirrë, nisem drejt Lushnjës; te ish Uzina e Plastmasit kthej në rrugën që të çon në Berat. Në fshatin Kashtëbardhë kthej majtas dhe, me të pyetur, duke kaluar faqe kodrash, arrij në shkollë. Kjo ishte një godinë e re, por e papërfunduar plotësisht. Njihem me kolegët e mi shumë të nderuar, Violeta Çapuni (Prifti), Petrit Osmani, Petro Daka, Sokrat dhe Afërdita Tashi e të tjerë.
Pasdite, sërish një orë e gjysmë rrugë mbi biçikletë, kthehem në shtëpi.
Të nesërmen mendova të bëja një takim me shokun Dhosi dhe t’i kërkoja një vend pune më afër familjes. Shkova. Para zyrës së tij – shumë arsimtarë: ankesa e kërkesa gjithfarësh.
Më në fund më erdhi radha edhe mua ta takoja.
– Sikur të më çoni më afër shtëpisë, shoku shef…
– Pse, gjykoni se jeni larg?!
– Larg jam, shoku shef! Shtëpinë e kam afër kufirit me Fierin, ndërsa shkollën – afër kufirit me Elbasanin…
– Në autobiografinë që keni plotësuar në përfundim të shkollës jeni shprehur, se do të shërbej kudo që e kërkon interesi i Partisë dhe nevoja e Atdheut. Çfarë e keni këtë deklarim; ndërgjegje apo mashtrim?!
– Natyrisht, që ndërgjegje e kam, shoku shef.
– Në qoftë se vërtet e keni të tillë, shkoni atje ku ju kanë emëruar; punoni mirë, pa transferimet do t’ju shoqërojnë tërë jetën. Po të punoni mirë dhe të arrini rezultate të larta, rruga juaj në jetë do të jetë vetëm e përpjetë.
Ishte e kotë ta vazhdoja bisedën më tej. Më kishte kapur mat.
Dhosi ishte zemërngrohtë me të gjithë.
4.
Aty nga gushti i vitit 1978 qe mbledhur një grup intelektualësh për të shfaqur sugjerime për tematikën e grupit folklorik me të cilin do të paraqitej Lushnja në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës.
Kishin ardhur nga Tirana disa specialistë të këngës e të muzikës popullore.
Folën me radhë, duke sugjeruar një tematikë të atillë, që, si të thuash, të binte “era” Lushnje.
– Në grup të përfshihet edhe Qifoja (Aqif Kiptiu) për një kaba myzeqare, – kishte propozuar përgjegjësi i seksionit të Arsimit dhe Kulturës.
– Qifoja?! Ai klarinetisti i dasmave?! – qe habitur dikush.
– Po, po; pikërisht për atë e kam fjalën, – kishte ngulur këmbë Dhosi.
– Po ç’mund të bëjë ai para Laver Bariut të Përmetit?! Para klarinetistëve të njohur të Skraparit, Kolonjës, Korçës?!…
– Ta dërgojmë Qifon jo për të sfiduar ndokënd, – shpjegoi Dhosi, – por për t’i treguar festivalit se edhe kabaja myzeqare është shumë melodioze, tepër tërheqëse dhe mjaft interesante.
Si me mëdyshje, por edhe Qifoja u mor në përbërje të grupit artistik të Lushnjës, që do të konkurronte në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës.
Para spektatorëve të shumtë në Kalanë e Gjirokastrës, mjaft prej të cilëve specialistë të fushës, Qifoja manifestoi talentin e tij të padiskutueshëm. Klarineta e tij lëshoi tinguj të magjishëm, herë në të qarë e herë në të qeshur, që i bëri spektatorët e shumtë të duartrokisnin stuhishëm.
Dhe, në fund, Juria Qendrore e Festivalit i akordoi Qifos një çmim special, shoqëruar me medaljen përkatëse.
– Bëmë shumë mirë që e morëm me vete Qifon, shoku shef, – i thotë dikush nga ata të grupit folklorik të Lushnjës.– Ai nderoi veten, na nderoi edhe ne si rreth.
– Po, po; ashtu është…
Dhe Dhosi nuk e zgjati më tej.
Ai ishte tepër i thjeshtë, shumë modest.
Bënte ditë që trajneri i ekipit “Traktori” të Lushnjes, Zihni Gjinali, një mjeshtër i vërtetë sporti, vazhdonte të kërkonte që përgjegjësi i seksionit të Arsimit e Kulturës të vinte për një bashkëbisedim shoqëror me futbollistët. Përse u dashka të vij para futbollistëve, kur ata kanë në krye një mjeshtër të madh, si Zihniu, – qe shprehur Dhosi.
Sidoqoftë, e gjeti kohën dhe, në një nga ditët e javës u gjend në mesin e futbollistëve.
– Jeni jo vetëm në vëmendjen e të gjithë popullit myzeqarë, por edhe në gojën e tij gjatë tërë ditëve të javës, – u qe drejtuar futbollistëve ai që u kishte ardhur përpara.
Dhe atyre çasteve pat nisur një bisedë, që do të zgjonte interes për të gjithë ata që ndodheshin në atë takim.
– Këtë të shtunë kemi ndeshje me ekipin e “Partizanit”, – e kishte filluar bisedën trajneri. – Çunat tanë do të kenë përballë Panon, Jasharin, Krajën, Merjen…
– E po, ç’të themi! Të mobilizohen djemtë tanë, – ishte përgjigjur Dhosi. – Në fund të fundit, përballë njëmbëdhjetë me njëmbëdhjetë do të jenë…
– Mirëpo ne jemi me gjysmë stërvitje, – u dëgjua të thoshte dikush me zë të ulët aty nga mesi i sportistëve.
– Përse me gjysmë stërvitje?! – qe habitur Dhosi.
– Sepse disave prej nesh iu duhet të bëjnë pesë orë punë të rëndë fizike në ditë nëpër ndërmarrje… Dy punojnë në SMT, njëri në Zdrukthtari, tjetri në …
Kaq u desh dhe biseda vazhdoi e hapur.
– Në ndonjë rast më është dashur të mos e aktivizojë ndonjë futbollist, sepse e kam parë të lodhur fizikisht, – kishte ndërhyrë trajneri.
Ndërsa kishte dëgjuar të thuheshin këto, Dhosi e kishte marrë mesazhin: futbollistët duheshin sistemuar në punë të thjeshta, ku të mos harxhonin shumë energji fizike, sikundër që iu duheshin krijuar kushte që edhe të mos kishin bezdi psikologjike.
Tepër i ndjeshëm para kërkesave të arsyeshme, përmes disa masave që u morën në zbatim të një vendimi të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, futbollistëve iu krijuan rrethana më lehtësuese, që ndikuan jo pak në formën e tyre sportive.
Dhosi vepronte me shpirt praktik.
6.
Si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, Dhosi Jano dërgohej rregullisht nëpër kooperativa bujqësore për të organizuar punët bujqësore në kohë fushatash.
– Po ju këtu, në seksionin e Bujqësisë, shoku Dhosi?! – i drejtohemi me një farë habie teksa e gjejmë të bisedonte me përgjegjësin e këtij seksioni.
I drejtohemi kështu, sepse na u bë sikur po e merrte në intervistë tjetrin përballë.
Ashtu i ulur siç ishte në anë të tavolinës, la mënjanë bllokun e shënimeve dhe stilografin, buzëqeshi lehtë dhe na u kthye:
– Jam i deleguar në kooperativën bujqësore të Zgjanës për detyrat e fushatës, por, para se të shkoj atje, më duhet të njihem disi me kuadrot dhe specialistët e asaj ekonomie bujqësore, siç më duhet të mësoj planin e punimeve dhe të mbjelljeve, objektivat e treguesit që priten të arrihen, si dhe çështje të tjera të kësaj natyre që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e tërë aksionit të mbjelljeve…
Dhe nuk e prishi terezinë. Vazhdoi “intervistën” deri edhe me hollësi.
Të nesërmen kishte shkuar në Zgjanë, kishte mbledhur shtabin e punimeve e të mbjelljeve dhe ishte vënë vet në krye të punëve të stinës.
Atyre ditëve që kishte qëndruar në Zgjanë kishte vizituar edhe shkollën e këtij fshati, si dhe ato të fshatrave të tjerë të kësaj ekonomie bujqësore.
Siç na pat treguar vet Dhosi, ai e kishte metodë pune parapërgatitjen. Duhet të shkosh i përgatitur në bazë, që të mund të mësosh e të mobilizosh njerëzit, të thoshte ai.
– Merrni shembull nga përgjegjësi i seksionit të Arsimit e Kulturës për mënyrën se si vepron dhe se si e organizon punën atje ku shkon, – i mbetej të thoshte në mbledhjen e aparatit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit kryetari i këtij Komiteti,Gjergji Velo.
Dhosi e kishte të gjerë këndin e vështrimit.
* * *
Si përgjegjës i seksionit të Arsimit e të Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Lushnjës Dhosi Jano shërbeu në këtë detyrë afro një çerek shekulli, si rrallë tjetër në shkallë vendi.
Në periudha të shkurtra kohe ai ka qenë drejtor i shkollës së mesme “18 Tetori”, si dhe përgjegjës i Kabinetit Pedagogjik të rrethit.
Dhe kudo që ka punuar është shquar për vetëdije të lartë atdhetare dhe profesionalizëm.
Viteve gjashtëdhjetë – tetëdhjetë në ish rrethin e Lushnjës patën hapur dyert e tyre mbi 60 shkolla tetëvjeçare, disa shkolla të mesme të përgjithshme dhe disa të tjera bujqësore, sukses ky që nuk mund të mos flasë edhe për kontributin e këtij kuadri me aq shumë gjurmë në Myzeqenë e Lushnjës.
Shumë nga ata që e kanë pas njohur kanë të drejtë kur shprehen: Dhosi Jano ishte kolonjar, por shërbeu në Lushnje si të ishte myzeqar.