Pas dy dekadash do të mund të dihet zyrtarisht për numrin e shqiptarëve të regjistruar në Serbi.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në këtë vend ka nisur më 1 tetor dhe do të përfundojë më 31 të këtij muaji.
Shqiptarët e kanë bojkotuar regjistrimin e vitit 2011, për shkak të, siç është thënë atëbotë, obligimeve të paplotësuara të shtetit serb ndaj tyre dhe kushteve diskriminuese.
Por, kësaj radhe, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, që jetojnë kryesisht në Kosovën Lindore të pushtuar nga Serbia, u kanë bërë thirrje atyre që të regjistrohen.
Shqiptarët e Luginës marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Serbi
Mehmeti, edhe pse ka mbi 20 vjet që jeton në Prishtinë, planifikon të shkojë dhe të regjistrohet në Siarinë të Komunës së Medvegjës, aty edhe ku ka lindur.
“Jemi shtatë [anëtarë për t’u regjistruar], sepse fëmijët që kanë lindur këtu [në Prishtinë] nuk mund t’i regjistroj”, thotë ai.
Të vetmin shqetësim ai e ka për procedurat teknike.
“Ata [personat kompetentë për regjistrim] dalin shtëpi më shtëpi. Se në cilën ditë dalin, këtë nuk e di askush. Kjo është keq, sepse nëse nuk qëllon askush në shtëpi, ata na shlyejnë…”, shprehet Mehmeti, identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it.
Ai, po ashtu, thotë se ka informacione që adresa e tij në Siarinë është pasivizuar dhe druan se kjo mund t’i paraqesë problem në regjistrim.
Zyrtarët, megjithatë, sigurojnë se nuk ka pengesa të tilla.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se të drejtën për regjistrim e kanë të gjithë qytetarët që jetojnë në Serbi, si dhe ata që kanë lindur atje, por që tashmë jetojnë në Kosovë ose në diasporë.
“Mjafton numri personal dhe nuk kanë nevojë të vijnë vetë [të gjithë]. Do të ishte e dëshirueshme, por ata që nuk kanë mundësi të vijnë, mund të regjistrohen përmes një familjari. Shënimet i jep një familjar, i cili deklarohet se në emër të asaj familjeje, e merr përgjegjësinë për t’i dhënë shënimet e sakta”, thotë Kamberi, duke shpjeguar procedurat e regjistrimit.
Sipas tij, as pasivizimi i adresave nuk është problem, sepse “pasivizimi nuk do të thotë shlyerje nga nënshtetësia”.
“Ai qytetar, të cilit i është pasivizuar një adresë, ka gjithmonë mundësi ligjore që të hapë një adresë tjetër”, thotë Kamberi.