Marrë nga libri:“Veteranët tregojnë”
Lexo dhe mbaj shënim: shkruajnë veteranët
T’u themi brezave të vërtetat dhe vetëm të vërtetat historike
Nga APOSTOL KOTANI
Historian
Dihet që Konferenca e Pezës ishte e para mbledhje pluraliste që hodhi themelet e bashkimit të popullit shqiptar në Frontin Antifashist Nacionaliçlirimtar pa dallim feje, krahine dhe ideje për luftën kundër pushtuesit fashist, në kryesinë e të cilit u zgjodhën 4 nacionalistë dhe 3 komunistë.
Por, pa u shpërndarë ende mirë delegatët e kësaj konference, më 19 shtator, pra, vetëm 3 ditë më pas, si reaksion kundër këtij bashkimi u krijua Balli Kombëtar (!), në programin e të cilit, veç demagogjisë, nuk kishte asnjë fjalë për luftën kundër pushtuesit. (Gazeta “I mërguari”, Nr.4, datë 15 korrik 1952), organ i diasporës në SHBA).
Qëndrimet antikombëtare të Ballit Kombëtar i gjejmë të pasqyruara në shumë dokumente të kohës. Po citojmë disa prej tyre:
Me aktin Nr.129, datë 15 janar 1943, Komanda e Milicisë Fashiste konfirmon, se:”Krerët e Ballit Kombëtar sigurojnë autoritetet italiane, se gjithë veprimet e tyre do të drejtohen kundër komunistëve dhe, veçanërisht, kundër çetave… për t’i shkatërruar ato dhe për të vendosur qetësinë në mbretëri”! (Fondi i M. F. AQSH)
Më 5 shkurt 1943, në njoftimin Nr.305/13-B Korça informonte Komandën e Përgjithshme të Forcave të Armatosura, se “Çeta e Safet Butkës ka marrë direktiva nga qeveria dhe zhvillon propagandë kundër Luftës Nacionalçlirimtare për të bindur popullin që të heqë dorë nga kjo lëvizje. “Fondi Comando Superiore FF AA Albania në AQSH).
Kurse më 14 qershor 1943 Komanda e Gjindarmërisë në Korçë me shkresën nr.5/1 i drejtohej Prefekturës së Korçës, se “Në një mbledhje që kemi bërë me 100 nacionalistë, Safet Butka ka vendosur t’iu bjerë në shpinë komunistëve nëse këta tentojnë të mësyjnë qendrën e Ersekës. “Fondi: Prefektura e Korçës, AQSH).
Më 17 shkurt 1943 në kazermat e Fierit u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet krerëve të Ballit Kombëtar, Bektash Cakrani, Eqerem Peshkëpia, Qazim Selfo etj., dhe kolonelit italian Enrico Cualini dhe kapitenit Pietro Pepa, marrëveshje prej 8 pikash për të mos goditur njeri – tjetrin!!!
(Fondi 254, dosja 170,1-a AQSH).
Më 15 mars 1943 dy krerët kryesorë të Ballit Kombëtar në Jug, Ali bej Këlcyra dhe Nuredin Bej Vlora nënshkruan një akt tjetër tradhëtie në shkallë kombëtare: Protokollin Dalmazzo – Këlcyra, me anën e të cilit merrej zotim dhe siguroheshin pushtuesit, se kundër tyre nuk do hidhej asnjë pushkë.” (Fondi 1056, dosja 3 fl.20 AQSH). Dhe këtë akt tradhëtie autorët e tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar, jo pa qëllim, e kanë lënë pa përmendur!
Gjashtë ditë pas nënshkrimit të këtij protokolli, Ali bej Këlcyra, më 21 mars 1943 në mbledhjen e Goricës me fshatarët e Dëshnicës së Përmetit u shpreh hapur kundër bashkëpunimit me Lëvizjen NÇL, duke deklaruar, se: “Më mirë sopatat e Duçes, se sa yllin e Timoshenkos” (Fondi 270, raporti i celulës së Përmetit, datë 25.41943 AQ i PPSH).
Në lajmin e ditës së 29 majit 1943 thuhej: “Veprimtaria propagandistike antikomuniste e Ali Këlcyrës ka dhënë prej kohësh përfundime të çmuara, qoftë në luftën kundër komunizmit, qoftë në luftën për fuqizimin e formacioneve të armatosura të nacionalistëve. “Fondi 260, dosja 53 fl.125 AQSH).
Kurse më 15 prill 1943 autoritetet italiane i shfaqnin mirënjohje Ali bej Këlcyrës për punën sabotuese që i bëri qëndresës popullore në Kurvelesh gjatë operacionit fashist. (Fondi 1056 dosja 3 fl.12 AQSH)
Kur forcat partizane të qarqeve Korçë, Gjirokastër e Berat, gjithsej 1250 vetë, sulmuan bashkërisht garnizonet fashiste të Përmetit dhe të Kuqarit nga 1 – 5 korrik 1943, Ali Bej Këlcyra me forcat e tij të armatosura ndaloi Çetën Partizane “Musa Fratari” të Përmetit të hidhej në vinçin e Mbrezhanit për të zbatuar detyrën luftarake në Grykën e Këlcyrës. Po kështu, më 2 korrik udhëhoqi 100 ushtarë italianë për në pozicionet e partizanëve në Kuqar. (Fondi 270. Informacion i celulës së Përmetit, korrik 1943 AQ i PPSH).
Në lajmin e ditës të 22 majit 1943 të Komandës së Përgjithshme të Forcave të Armatosura thuhej, se: “Abaz Ermenji ka zhvilluar një veprimtari të madhe antikomuniste në zonën e Gramshit me çetën e tij filoitaliane.”(Fondi 260 dosja 53 fl.155 AQSH)
Në buletinin e 29 majit 1943 thuhej, se:”Myftar Kaloshi i deklaroi gjeneral Parianit, se jemi zotue që në qarkun e Dibrës dhe gjithkund ku shtrihet ndikimi ynë, nuk do të goditet asnjë ushtar italian”.
Më 28 gusht 1943 në Kuvendin e 40 krerëve të Maleve, në Lurë, ku morën pjesë gjithë krerët e reaksionit, ballistë, zogistë, bajraktarë e pari nga Jugu e nga Veriu, në tre pikat kryesore të vendimeve ishte: “Të luftohet Fronti Nacionalçlirimtar”. (Dosja Kuvendi i Lurës, fl.556. AQSH).
Pas kësaj Abaz Kupi erdhi në Mat dhe i serviri 7 fshatrave të Klosit një vendim me këtë përmbajtje:”Ne jemi të vegjël, Italinë nuk e qesim dot; ajo na djeg, na vret se asht e fortë, prandaj ne do t’i nënshtrohemi. Komunistët nuk do t’i lejojmë me ba aksione. Për të ruajtur qetësinë e rrugëve dhe me ndalue partizanët, do të krijojmë një forcë të armatosur. (Fondi 41, dosja 13. AQ i PPSH)
Më 7 tetor 1943 Mit’hat Bej Frashëri me qarkoren Nr.7 udhëzonte: “Të sulmohen forcat partizane dhe të propagandohet kundër partisë nacionalçlirimtare. (Fondi 270, dosja 11. AQ i PPSH)
Eshtë e pamundur të radhitësh në një shkrim gazete sa fakte e dokumente kanë arkivat tona që hedhin poshtë vendosmërisht pretendimet dhe pohimet e pinjollëve të Ballit Kombëtar e të Legalitetit mbi luftën, që gjoja paskan bërë kundër pushtuesve fashistë, që hedhin dritë, gjithashtu, se këto forca dhe jo Fronti Nacionalçlirimtar deshën ta futnin vendin në një luftë civile, vëllavrasëse.
add a comment