Botë

Rritet numri i të vdekurve gjatë trazirave në Iran

Një anëtar i një grupi paraushtarak vullnetar iranian vdiq të dielën pasi u përlesh me ato që media shtetërore i quajti “rebelë dhe banditë” në protestat që kanë ndezur vendin pas vdekjes së Mahsa Aminit. Sakaq, Kryetari i vendit Ebrahim Raisi paralajmëroi se protestuesit do të trajtoheshin “në mënyrë përfundimtare” pas disa ditë trazirash.

Personi vdiq nga plagët e marra të enjten në qytetin Urmia, tha agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA. Anëtarë të tjerë të Basij, një organizatë paraushtarake e lidhur me Korpusin e fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike janë vrarë në Qazvin, Tabriz, Mashhad dhe Qouchan. Protestat janë nxitur nga vdekja e Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane 22-vjeçare e arrestuar nga policia e moralit më 13 shtator dhe e akuzuar për shkelje të kodit konservator të veshjes së vendit.

Që nga e premtja, janë zhvilluar demonstrata në të paktën 40 qytete në mbarë vendin, duke përfshirë kryeqytetin Teheran, me protestues që kërkojnë t’i jepet fund dhunës dhe diskriminimit ndaj grave, si dhe t’i jepet fund veshjes së detyrueshme të hixhabit. Të paktën 35 persona kanë vdekur në Iran në protestat e fundit për vdekjen e Amini, tha media shtetërore iraniane.