Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: Bashkim dhe ndarje

BASHKIM DHE NDARJE

Fjalë në Akademinë Mirënjohëse, me rastin e 40-vjetorit të bashkimit politik të organizatave patriotike-krijimi i LPK-së 1982-2022

 

Vushtrri, më 20 shtator 2022

Të nderuar pjesëmarrës në këtë veprimtari

Zonja dhe zotërinj!

Dua fillimisht t’u shpreh mirënjohjen time organizatorëve të kësaj veprimtarie dhe të tjerave që po mbahen anekënd Kosovës, në shënim të dyzetvjetorit të bashkimit të organizatave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare më 1982.

Përvjetori i bashkimit të organizatave çlirimtare, në Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, (më vonë Lëvizja Popullore e Kosovës), në maj të vitit 1982 nuk është tashmë vetëm histori, por në radhë të parë porosi që ka përshkuar këto dyzet vjet, me aktualitetin e saj.

Ora e historisë më 1981 binte për bashkim. Njëra nga parullat qendrore të kryengritjes së atij viti, thërriste për bashkim, sepse siç thotë fjala e urtë shqiptare, bashkimi bën fuqinë. Madje, demonstruesit i stigmatizonin si tradhtarë ata që nuk u bashkoheshin. Jehona e kësaj thirrjeje shkoi derë më derë në Kosovë dhe vazhdoi fuqishëm përgjatë viteve në vijim. Kryengritja historike e viti 1981 i bashkoi studentët, intelektualët dhe fshatarët, punëtorët, nxënësit dhe burrat e gratë, Prishtinën, Preshevën dhe Tetovën, Prizrenin, Ulqinin dhe Bujanovcin, por jo edhe ata që lëpinin çanakët e huaj.  Nga perspektiva e sotme mund të përfytyrojmë ç’rëndësi historike do të kishte  bashkimi më 1981, jo vetëm i qytetarëve dhe i organizatave klandestine, por edhe i zyrtarëve shqiptarë të pushtetit, ashtu siç kishte ndodhur në Kroaci me Maspok-un më 1971, ose me të ashtuquajturën Lëvizje Liberale Serbe, një vit më vonë.

Më 1981 në skenën politike hynë masat, e “Kur në arenën politike hyjnë masat, – thoshte Cvajg,- guximi është emëruesi vendimtar në të gjitha llogaritjet”. Parulla për bashkim lindi në rrugët e Kosovës, atje ku po demonstrohej me sakrifica supreme dhe nuk ka bashkim më të mirë e të qëndrueshëm se ai në veprim. Meqë po flasim në Vushtrri, dua të rikonfirmoj se gjysma e dëshmorëve të kryengritjes së vitit 1981 ishin me origjinë nga kjo komunë: Naser Hajrizi (Strofc), Ruzhdi Hyseni (Kollë), Salih Abazi (Bukosh) dhe Salih Zeka (Ceceli).

Veprimtarë dhe luftëtarë të shumtë të trevave të Vushtrrisë u përkushtuan  me gjithë vlerat dhe virtytet që kishin, për bashkimin e potencialit luftarak shqiptar, për frymëzimin dhe organizimin patriotik, për luftën finale kundër shtypjes e shfrytëzimit, për lirinë e bashkimin e kombit tonë. Të dedikuar me mish dhe me shpirt ata i kontribuuan, jo ndarjeve, por bashkimit në të gjitha kuptimet e mira të kësaj fjale. Ata meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë të thellë.

Duke pasur parasysh rëndësinë e bashkimit, strategu Gjergj Kastrioti me t’u kthyer në Shqipëri fillimisht u mor me këtë çështje, duke arritur t’i bashkonte principatat shqiptare rreth flamurit të lirisë, që u bë garanci e fitoreve mbi pushtuesit për një çerek shekulli.

Historia shqiptare njeh bashkime të tilla edhe më vonë, nëpërmjet të kuvendeve  e besëlidhjeve të bashkimit e të unitetit. Nuk do të ishte e tepërt që kombi ynë ta ketë një ditë në vit që shënon bashkimin dhe i kushtohet atij.

Megjithatë historia, pra edhe realiteti do të dukeshin ndryshe, po të bashkoheshin kryengritësit shqiptarë në vitet para shpalljes së  pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

LNÇ e shqiptarëve do të ishte më me fat po të mos kishte armiqësi në Shqipëri midis partizanëve në një anë dhe  ballistëve, legalitetit etj., në anën tjetër, apo në Kosovë midis partizanëve dhe kryengritjeve në Drenicë e Anamoravë,  kryezinjtë etj.

Në përgjigje të nevojës imediate për bashkim të gjerë, OMLK gjatë zhvillimit të kryengritjes së vitit 1981 hodhi në diskusion  përpara Lëvizjes Kombëtare Shqiptare idenë e bashkimit të të gjitha organizatave klandestine çlirimtare, nëpërmjet të dokumentit “Teza rreth Frontit për Republikën e Kosovës”.

Në vitin 1982 u arrit bashkimi historik që në substancë  u ruajt deri në luftën finale çlirimtare të Kosovës.

Historia e përçarjes dhe e bashkimit nuk përfundon këtu, por vazhdon, sikur midis tyre të futej tinëzisht një dorë e zezë, që natën e shemb bashkimin e ditës.

Në skenën politike e kombëtare në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë ka vazhduar thellimi i krizës së brendshme, duke ndikuar keq në dinamikën e angazhimit ndërkombëtar për çështjen shqiptare. Fuqitë botërore arrinin disi të merreshin vesh për ne, por jo përfaqësuesit e subjekteve politike të Kosovës. Bajraktarë të klaneve të ndryshme primitive politike komunikonin me të huajt me shpifje ndër më të ulëtat dhe me propagandë diskualifikuese e eliminuese politike për kolegët e taborit tjetër.

As në luftën e armatosur çlirimtare, forcat rivale nuk gjetën gjuhë të përbashkët.

Sindromi i përçarjes duket që shqiptarëve u ka ardhur dhe u vjen nga brenda si një xanxë apo mallkim, por më shumë nga jashtë. Kujto thëniet sa të mençura aq të mbrapshta të latinëve “Divide et impera” dhe “Divide ut regnes”.  Një fjalë thotë “Hajde dreq e na ndreq”, por nganjëherë vetë dreqi e prish bashkimin dhe unitetin.

Ky sindrom ka arritur ta ruajë aktualitetin deri në ditët tona, madje pikërisht në momentumin historik kur përcaktohet sërish fati i së ardhmes së kombit në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti.

Në funksion të interesave meskine, grupore e partiake, disa liderë tanë nuk dallojnë çështjet madhore kombëtare e të palicitueshme nga ato efemere elektorale, duke rrezikuar të mundshmen në kontekstin e sotëm historik.

Viti 1982 kur u arrit bashkimi i organizatave, ndonëse me dallime të dukshme, përbën mësimin historik për ndërgjegjësimin tonë për ndërtimin e përbashkët të politikave, qëndrimeve e strategjive gjithëkombëtare, të cilat duhet trajtuar si mbipartiake dhe përtej rivaliteteve e konkurrencës për pushtet, por në interes të sotëm e të ardhshëm të kombit.

Çështja e unitetit dhe konsensusit pa kakofoni politike për temat e mëdha kombëtare imponohet aktualisht me tërë peshën e saj para kombit shqiptar në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë në Kosovë, e cila ndodhet para sprovave të vështira historike.

Historia, mësuesja jonë e mirë na sjell shumë shembuj se kur i kemi bashkuar forcat dhe potencialin luftarak çlirimtar, vullnetin dhe veprimtarinë, kemi dalë gjithmonë fitues, por në të kundërtën, kemi humbur betejat, ose shanset historike.

Të dashur motra dhe vëllezër

Fola për bashkimin që na bashkoi sot për të shprehur bashkë mirënjohjen tonë për bijat e bijtë, motrat e vëllezërit tanë veprimtarë dhe luftëtarë të lirisë e të bashkimit kombëtar.

Le të jemi krenarë me ta!