Ekonomi

Dr. Izet Ibrhimi: Nga po na shpie kjo mungesë dritash

KU PO NA SHPIE KJO MUNGESË DRITASH?

Edhe përkundër faktit se flejmë mbi rezerva të mëdha të linjitit, në verën e këtij viti Kosovën e ka kapluar terri dhe po përballet me sfida të ndërlidhura me sigurimin e kapaciteteve të nevojshme për të mbuluar kërkesën ditore me energji. Megjithatë, kjo gjendje po kalon disi në heshtje, meqë elita dhe militantët politik janë të zënë me tema të “mëdha”, si ajo për targat dhe dokumetet e udhëtimit, grevat e sindikatave, vetingu në drejtësi. Në anën tjetër profesinistët dhe votuesit e zakonshëm po shfrytëzojnë këtë mungesë dritash për ta rikthyer besimin në “ndryshimin e madh”. E mua, derisa po prisja dritat, më erdhi në mendje konstatimi brilant i Martin Luter King, i cili këtu e shumë vite më parë thoshte; “… gjenerata jonë nuk do të turprohet nga të këqijat e njerëzve të këqij, sa nga heshtja trishtuese e njerëzve të mirë”. Kështu që për të prishur sado pak këtë heshtje të frikshme, po ju risjellë në mendje disa nga shkaqet që e sollën terrin në këtë verë të fillim shekullit XXI:
Moszhvillimi i kapaciteteve të reja gjeneruese nga linjiti dhe niveli i ulët i zhvillimit të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtritshme. Që nga kriza energjetike dhe agresioni rus në Ukrainë, BE dhe aleanca e shteteve të
industrializuara po insiston që planet e tregut të energjisë elektrike mos t’i mbajë të bazuara në një opsion të vetëm të gjenerimit të energjisë, por po u kërkon shteve aleate që paralelisht me BRE-të, t’i shfrytëzojnë plotësisht burimet e energjisë fosile si thëngjillin dhe gazin shist argjilor.
Në këtë kontekst, BE ka nënshkruar një marrëveshje me Kinën për të bashkëpunuar për teknologjinë e gjenerimit të energjisë nga thëngjilli. Në Japoni po ndërtohen 30 termocentrale të reja me djegije thëngjilli. Vendet e Evropës Juglindore, me përjashtim të Kosovës kanë instaluar ose janë në fazën e ndërtimit të kapaciteve prej 6 GW, ku vetëm Serbia dhe Republika Serbska, po planifikojnë të shtojnë edhe 4950 MW energji nga thëngjilli. E në këtë tablo resursesh, Kosova ka vite që ka filluar të aktroj sikur po përfshihet në procesin e “shpëtimit të planetit tokë nga ndryshimet klimatike” edhe pse potencialet tona ekonomike dhe kontributi ynë në ndotjen globale është tepër i vogël. Kështu që, si pasojë e; (i) moszhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga linjiti dhe nivelit të ulët të zhvillimit të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtrishme, (ii) keqmenaxhimit dhe degradimit që po i bëhet kapaciteve aktuale të gjenerimit të energjisë në KEK, (iii) bllokimit të projekteve të reja nga energjia e ripertritshme, (iv) refuzimit për t’u lidhur me Terminalin LNG Alexandroupolis dhe (v) mungesës së gatishmërisë për të qenë
pjesë e projekteve mbi zgjerimin e tubacionit TAP, Kosova ka zgjedhur kahjen e kundërt me integrimet në tregjet rajonale të energjisë dhe gazit dhe me një dinamikë marramendëse po i rikthehet imazheve të zymta të prespektivës ekonomike.

Prishja e sigurisë së furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.
Diku dhjetë vite më parë, kreatorët e idesë së privatizimit para shthurjës dhe risktrukturimit të aseteve të N.P. “Shpërndarja” dhe N.P, “Furnizimi” të KEK Sh.A. pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe znj. Kusari-Lila, ndër objektivat kyçe të shitjes së këtyre aseteve, numëronin; (1) eleminimin e monopolit në tregun e brendshëm të energjisë, (i cili deri atëherë dominohej nga KEK-Sh.A.), (2) thonin se; kontratat për liferim me shumicë të energjisë duhet të reflektojnë çmimet konkurruese të tregut dhe nuk duhet të favorizojnë asnjë furnizues të energjisë në tregun
me pakicë, (3) premtonin uljen e humbjeve teknike dhe komerciale, etj.

Por, çfarë ndodhi në fakt?
Transferimi i monopoleve pasi që asetet e “shpërndarjes” dhe “furnizimit” i’u transferuan “Çalık&Limak”, KEDS
fillimisht ishte përgjegjës për operacionet e shpërndarjes dhe furnizimit, e më pas KESCO. Kështu që një monopol publik vetëm u transferua në monopol privat dhe që nga atëhere, tregu i energjisë elektrike në Kosovë, vazhdon të funksionojë efektivisht si një “model me blerës te vetëm”, ku KEDS/KESCO sipas konceptit operacional ka ngjashmëri të theksuara me “Gazpromin” rus.
Komiteti i Privatizimit përmes ZRRE-s, (e cila në vend që të jetë rregullator i pavarur i tregut të energjisë, ka kohë që është kthyer në zyrë sekserësh dhe tregtarësh të energjisë), pas këtij transferi, i obligon KEK-ut që të gjithë energjinë e prodhuar t’ia shes KEDS-it me çmime të rregulluara (dhe atë nën çmimet e kostos së prodhimit) dhe kështu për më shumë se një dekadë, po pengohet rivitalizimi dhe zhvillimi i kapciteteve në KEK, si dhe futja e kapitalit privat në
sektorin e energjisë.

Kriza e çmimeve
Çmimet e energjisë gjatë fund gushtit të vitit 2022, shënuan rekord të ri në bursa, me mbi 600 €/MWh, ndërsa pritet të arrijnë deri 747 €/MWh. Në Kosovë elita menaxheriale në sektorin e energjisë dhe KEK, për menxhimin e kësaj krize çmimesh, do të duhej të kenin parasysh; (a) procesin e optimizimit të resurseve minerare, (b) planifikimet më të mira afatshkurta, të ndërlidhura me; ndarjen e rezervave të kapacitetit dhe energjisë (së paku në mes KEK-ut dhe
KESH-it) dhe shumëllojshmërisë së ngarkesës dhe (c) përmes mekanizmave të veçantë financues ndërkombëtar të zhvillonin projekte specifike, ashtu siç po sygjeron BE. Ata në vend të kësaj, “gjendjen emergjente” po e shfrytëzojnë për ngritjen e çmimit të energjisë dhe përmes subvencioneve e nënsubvencionimit selektiv, përveç që kanë prishur sigurinë e furnizimit me energji elektrike, në të njëjtën kohë duke shlyer borxhet dhe duke mos përfshirë në tarifat e reja të energjisë serbet e veriut, vetëm sa po thellojnë diskriminimin dhe ndarjen e Kosovës në veri
dhe jug.
Edhe përkundër këtij degradimi enorm të kapaciteve gjeneruese nc KEK, keqmenaxhimi po justifikohet me krizën energjetike në nivel global. Pa asnjë hezitim po miratohen kërkesat e KESCO-s për ngritje çmimesh, për blerje të paligjshme të energjisë përmes KEK-ut për KESCO- n, ndërsa me rrënimin finaciar të KEK-ut po arsyetohet edhe orari i reduktimeve me energji. Rritja e çmimeve, si pasojë e krizës energjetike, përveç për KEDS/KESCO, (tek të cilët kriza energjetike ka ndikuar fare pak në kosotot e operimit dhe shërbimeve), do të duhej të vlente edhe
për KEK-un, ngase kriza energjetike më se shumti e ka prekur atë, dhe sidomos tek kostot e lidhura me operimin, mirëmbajtjen, paisjet, pjesët rezervë dhe furnizimi më naftë, mazut e resurse tjera teknologjike. Çmimet me të cilat KEK-u, i’a shet energjinë KEDS/KESCO, kanë mbetur në nivelin prej 28.90€/MWh, (për shërbimin universal të furnizimit (USS)-KESCO) dhe 35.40 €/MWh, (si energji për mbulimin e humbjeve), që nga shqyrtimi i ZRRE-së së vitit 2018. Ato janë diku 20 herë më të ulta se sa çmimi i tregut dhe 3-4 herë më të ulta se sa çmimet më të
cilat KESCO i faturon konsumatorët në jug të Kosovës.

Humbjet teknike në rrjetin e energjisë elektrike
Edhe pse “Limak&Çalik”, ka obligim kontraktual investimin prej 300 milion eurosh për t’i minimizuar humbjet teknike, ato ende kanë mbetur në nivelin 19%, e të cilat ZRRE po i’a rimburson KESCO-s, paligjshëm përmes faturave të energjisë së konsumatorëve në jug të Kosovës. Pra, varësia e Kosovës nga energjia e importit dhe rikthimi i territ, mbi të gjitha është rezultat i rënjes së prodhimit vendor, mirëmbatjes së monopoleve, mungesës së tregut likid, subvencionimit dhe çmimeve të favorizuara për furnizuesin KESCO, mjedisit të pafavorshëm për integrimin në tregun rajonal të energjisë, mungesës së tregut dhe infrastrukturës së gazit natyror, nivelit të lartë të humbjeve teknike dhe krijimit të pengesave artificiale dhe potencialisht cenuese për sigurinë e furnizimit të qëndrueshëm energjetik.