HASAN DUMANI
Pinjoll i një familjeje atdhedashëse, bujare, fisnike dhe të ndershme e punëtore, Hasan Dumani lindi më 14 tetor 1932 dhe u nda nga jeta më 17 prill 2022. Të parët e tij ishin përndjekur dhe dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre në Zhitnipotok të Toplicës gjatë fushatës së egër e gjenocidare për pastrimin etnik të trevave shqiptare të Sanxhakut të Nishit etj., me ç’rast kishin përjetuar golgotën e tmerrshme mbi 700 vendbanime autoktone shqiptare me rreth 200.000 banorë. Pas disa ndjekjeve dhe shpërnguljeve edhe në Kosovë, kjo familje muhaxhire përfundimisht u vendos në Miradi (Dobrevë) të Poshtme të Fushë-Kosovës.
Hasani i ri, në kushte të rënda varfërie dhe robërie kombëtare, në saje të babait të tij arsimdashës, Fejzullah (Lah) Dumani, arriti me shumë peripeci të mbaronte shkollimin e lartë dhe të formohej si intelektual i mirëfilltë. Ai punoi gjatë për edukimin e brezave të rinj nën regjimin obskurantist serb e jugosllav, për dijën e shkollimin dhe për ta dashur Atdheun e tyre deri në vetëmohim e sakrificë supreme.
Në vitin 1960, kur satrapi Aleksandër Rankoviq ishte në kulmin e lulëzuar të veprimtarisë së tij shtetërore antishqiptare, Hasan Dumani 28 vjeçar aderon në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, përkatësisht në organizatën e kësaj Lëvizjeje, “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, themeluar nga veprimtarët e shquar Kadri Halimi, Ali Aliu, Ramadan Hoxha etj.
Udhëheqja e organizatës kishte vendosur që radhët e saj të shtriheshin në të gjitha shtresat atdhedashëse të shoqërisë dhe në të gjitha trevat shqiptare të aneksuara nga Serbia e republikat tjera të Federatës jugosllave. Ky zgjerim i organizatës do të arrihej nëpërmjet të komiteteve organizative që do të formoheshin në një varg rrethesh në Kosovë, por edhe në Shkup, Kumanovë, Preshevë etj.
Për përkushtimin e tij në organizatë, aftësitë organizative dhe për formimin intelektual, Hasan Dumani u ngarkua ta formonte dhe udhëhiqte Komitetin e rrethit të Prishtinës. Duke qenë organizim në kryeqytet, ky komitet do të kishte rëndësi të veçantë në gjithë strukturën organizative të organizatës. Drejtuesi i organizatës, Kadri Halimi, në librin e tij “Shkëndijë e lirisë”, për veprimtarin Hasan Dumani ka shkruar: “Në një takim të nismëtarëve të organizatës, të cilët i mbanim shpesh, Ramadani propozoi që në Komitetin e Përkohshëm për rajonin e rrethit të Vushtrrisë, të merret aktivisti Zenel Hajrizi, për rrethin e Prishtinës Hasan Dumani.”
Pas një veprimtarie të dendur dhe përgatitjeve edhe për kryengritje të armatosur, organizata “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, në janar të vitit 1961 zbulohet nga rrjeti policor i UDB-së dhe shumë anëtarë e drejtues të saj, midis të cilëve edhe Hasan Dumani, arrestohen dhe dënohen me burgim të gjatë e të rëndë. Hasan Dumani mbajti plot pesë vite burgimi nëpër kazamatet serbe e jugosllave.
Hasan Dumani, i qëndresës stoike në hetime dhe mbajtje të burgut, u qëndroi tërë jetën e tij besnik parimeve dhe bindjeve atdhetare.
Në moshë të thyer, gati 90 vjeç, veprimtari Hasan Dumani u nda nga jeta, në paqe me ndërgjegjen e vet dhe me Atdheun e tij që aq shumë e deshi. Hasan Dumani mbase ishte veprimtari i fundit gjallë i Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
add a comment