Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXCIII) – KLLOPÇISHTI – FSHATI KUFITAR I BRAKTISUR NGA PUSHTETI DHE NGA BANORËT

Shtegtime nëpër Atdhe (CXCIII)
KLLOPÇISHTI – FSHATI KUFITAR I BRAKTISUR NGA PUSHTETI DHE NGA BANORËT
Sapo kaluam pikën kufitare të Bllatës, hyjmë në një rrugë të drejtë e të ngushtë nëpër ara, që shpiente në një fshat kah mali. Në fshat bie në sy shkolla dhe, në oborrin e saj shohim të rinj duke luajtur. Edhe rrugicave të paasfaltuara të fshatit, në të cilat përshkojnë kanale uji që zbresin nga mali, takojmë të rinj. Ishim tashmë në fshatin kufitar Kllopçisht apo Kllobçisht i njësisë administrative Maqellarë dhe i bashkisë Dibër.
Fshati Kllopçisht i krahinës së Dibrës, me rreth 1000 banorë, ndodhet fare pranë kufirit shtetëror Republika e Shqipërisë – Republika e Maqedonisë Veriore, rrëzë malit Deshat dhe në anën e djathtë të luginës së lumit Drin i Zi. Kllopçishti kufizohet nga veriu me fshatin Kërçisht, nga lindja me fshatin Bllatë e Epërme, nga jugu me fshatin Banjisht (Republika MV). Ndodhet 9 km nga Dibra (RMV), 5 km nga Maqellara, 3.5 km nga pika kufitare e Bllatës dhe 20 km nga Peshkopia. Piramida e kufirit është vetëm 100 m. larg, kurse Banjishti i banjave të njohura dibrane në vijë ajrore është larg rreth 500 metra e në vijë rrugore – 8500 m.
Fshati Kllopçisht njihet si vendlindja e tribunit popullor, Ilaz Qoku, i njohur si Ilaz Pashë Dibra. Ilaz Pashë Dibra ishte ushtarak në Perandorinë Osmane, por, në vitin 1835 mori pjesë në një kryengritje kundër Tanzimatit. Ishte bërë i njohur, në vitin 1844, si udhëheqës i kryengritjes në fushën e Gjoricës kundër hordhive osmane, të komanduara nga Hajredin Pasha, i cili kërkonte të zbatoheshin reformat e Tanzimatit. Në vitin 1861 udhëhoqi vullnetarët dibranë për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtimi malazez. Njihet edhe si njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, pasi më 10 qershor 1878 e kryesoi Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes, duke u zgjedhur edhe kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes. Ilaz Pasha kryesoi dy kuvendet dibrane (1 nëntor 1878 dhe 20 tetor 1880), ku u paraqitën kërkesat për autonomi, për të drejtat kombëtare dhe për formim të një vilajeti shqiptar.
Banorët e fshatit Kllopçisht gjithmonë janë marrë me bujqësi e blegtori, pemtari e bletari. Fshati ka reliev fushor, kodrinor e malor, ka tokë pjellore dhe është i pasur me ara e livadhe, me pemë të gështenjës e lajthisë, me pyje të ahut. Tokat e Kllopçishtit kanë ujë për ujitje të tokës së punës, por uji që vjen nga Banja e Banjishtit përmban sasi të lartë të squfurit që ndikon negativisht në rritjen e kulturave bujqësore.
Kllopçishti ia ka parë shumë sherrin kufirit shtetëror Shqipëri – Jugosllavi (Maqedoni V). Problemet kufitare ndonjëherë kanë shkaktuar edhe konflikte mes shteteve. Kalimet ilegale, veçanërisht ato të shqiptarëve të ndjekur nga regjimi jugosllav e maqedonas, por edhe i qytetarëve nga të dy anët e Dibrës, kanë qenë të shpeshta dhe të rrezikshme. Ndaj, këto kalime ndonjëherë janë paguar edhe me çmimin e jetës. Banorët tregojnë se fshati ka pak tokë të bukës, kurse rreth 400 hektarë tokë e tyre ka mbetur, qysh nga viti 1913, në anën jugosllave. Mirëpo, me leje të posaçme banorët e Kllopçishtit kanë mundur ta punojnë tokën e tyre në anën tjetër të kufirit deri në vitin 1948. Prandaj, thuhet: Fshati në Shqipëri, toka në Maqedoni. Tash e 30 vjet asnjë përpjekje apo marrëveshje nuk është bërë për t’ua mundësuar banorëve të Kllopçishtit t’i punojnë tokat përtej kufirit. Kufiri ka paraqitur probleme për Kllopçishtin edhe gjatë kullotjes së bagëtive. Katër barinj të fshatit janë vrarë dhe qindra bagëti, që e kanë kaluar vijën kufitare gjatë kullotjes, janë rrëmbyer nga forcat jugosllave – maqedonase gjatë 30 viteve të fundit. Çdo kafshë, që e ka kaluar kufirin, është rrëmbyer nga autoritetet maqedonase dhe nuk kthyer prapa.
Banorët e fshatit kufitar të Kllopçishtit ndihen të braktisur nga shteti, pasi shteti i ka harruar, duke mos investuar pothuaj asgjë në fshat. Nuk janë ndërtuar rrugët dhe as ujësjellësi e kanalizimi, si dhe nuk funksionon qendra shëndetësore. I vetmi institucion shtetëror në fshat është shkolla 9-vjeçare. Rrugët brenda fshatit në një masë janë rregulluar me kontribut vullnetar.
Mungesa e investimeve, problemet me kufirin dhe pamundësia për sigurimin e jetesës kanë bërë që banorët ta braktisin në masë të madhe fshatin e tyre, po edhe shtetin. Duhet bërë çka që trendi i braktisjes së fshatit të Kllopçishtit të ndërpritet. Para së gjithash, për të investuar në këtë fshat shumë të bukur.