GANI SYLA JETOI DHE VEPROI ME ZELLIN E RILINDËSVE TANË
(Në trevjetorin e vdekjes së veprimtarit atdhetar Gani Syla)
Si njëri ndër shokët e tij të shumtë të burgjeve, Ganiun e atyre muajve të nxehtë të verës 1982, në Burgun e Qarkut në Prishtinë, dhoma nr. 15, e kujtoj me mall të pashuar dhe për të ruaj kujtime të paharruara. Ishin ato ditë dhe net të gjata burgu, diku rreth tre muaj, të cilat, unë, së bashku me Arban Hoxhën, asokohe nxënës i shkollës së mesme, me Ganiun jo vetëm se e ndamë dhomën tejet të ngushtë, ajrin e pakët, dhembjet e shumta, këshillat, literaturën, por edhe bisedat e gjata për letërsinë, për muzikën, për historinë, për filozofinë, për politikën. Analizat dhe komentet e tij për veprat e lexuara, për ngjarjet ditore dhe ato për zhvillimet politike në perspektivë të mahnitnin.
Ganiu kishte horizonte të gjera të diturisë, kishte guximin, çiltërinë, ngrohtësinë, njerëzinë, dashurinë për shokun dhe virtytin e natyrshëm për përfitimin e bashkëbiseduesit. I rritur dhe i formuar në djepin e njërës nga trevat më kryengritëse shqiptare, bir i një familjeje të varfër fshati, i edukuar me parimet e thjeshta të drejtësisë dhe të atdhedashurisë, mësues me profesion, idealist në mision, Ganiu jetonte dhe vepronte me zellin e Rilindësve tanë për ta mbjellë farën e lirisë dhe vetëdijen flakëruese kombëtare te nxënësit, te rinia, te punëtoret dhe te populli me synim të fundit që masat e gjëra t’i ngritë në shkallën më të larte të gatishmërisë për aksione konkrete. Ganiu lexonte me përkushtim. Dinte përmendsh poezi të tëra të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare e deri te poemat “Garda krutane”, “Heronjtë e Vigut” të Kolë Jakovës dhe këngë të plota nga “Lahuta e Malësisë” e Fishtës. Për vlerat artistike dhe për porositë e mëdha i çmonte shumë romanet “Lumi i Vdekur” (J. Xoxa), “Para agimit” (Sh. Musaraj), “Tri ngjyra të kohës” (A. Abdihoxha), “Dimri i madh” (I. Kadare), Vdekja më vjen prej syve të tillë” (R. Qosja), filmat “Udha e shkronjave”, “Nëntori i dytë”, Lulëkuqet mbi mure”, ndërsa për bibël mbante veprat “Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës”(A. Haxhiu.), “Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë” dhe “Imperializmi dhe revolucioni”(E. Hoxha). Intelektualin, shkrimtarin dhe ideologun Adem Demaçi e konsideronte hero të gjallë dhe shembull qëndrese e flijimi për lirinë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nënë. Shokun e tij të ngushtë, të idealit dhe të organizatës, dëshmorin Kadri Zeka, e nderonte dhe e çmonte mbi të gjithë veprimtarët e kohës. Mendim të njëjtë mbante edhe për udhëheqësin dhe veprimtarin e organizatës së LNÇKVSHJ-së, dëshmorin Jusuf Gërvalla, për të cilin interesohej të dinte sa më shumë. Ganiu këndonte bukur, këngët që i pëlqenin, “Ah, Kosovë, mos thuej mbarova”, “Shqiponjat partizane”, “Këngën e tre heronjve të Shkodrës”, “Në Dardani po bien tupanët”, “Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola” etj., me zë të ultë, nën hundët e rojeve, ne të tre i këndonim së bashku.
Me këtë rast, në vijim, po i përkujtoj dy ngjarje, të cilat flasin shumë për karakterin dhe për qëndrimin e Ganiut në burg.
Rasti i parë:
Një njërën nga seancat e netëve të dhunës në hetuesitë e Sigurimit të Punëve të Brendshme, pas torturave të ushtruara mbi trupin e Ganiut, njëri nga argatët e Serbisë, udbash shqipfolës, me dhelpëri të shtirur dashamirësie i afrohet Ganiut të dërmuar dhe me ironi fillon t’ia qajë hallin: “Po na dhimbseni, Gani, po e merrni vetën dhe rininë në qafë, po flijoheni kot. Besoj se jeni aq të mençur sa ta kuptoni se Jugosllavia është fuqi botërore dhe se përpjekjet tuaja për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk do të lejojmë t’i realizoni edhe njëmijë vjet!” Ganiu, i qetë dhe i kthjelltë, pa hezitim i përgjigjet: “Megjithatë, ti po e pranon se me veprimin tonë Kosova dhe Shqipëria një ditë do të bashkohen, qoftë edhe pas njëmijë vjetëve. Prandaj, ne bijat dhe bijtë më të mirë të popullit po punojmë pa u lëkundur që ta përshpejtojmë ardhjen e asaj dite. Dhe, jemi shumë të sigurt se ajo ditë nuk do të jetë e largët!”
Rasti i dytë:
Gjykimi i anëtarëve të organizatës GML zgjati disa ditë me radhë. Gjatë ditëve të gjykimit, për çdo mëngjes, për në gjykatore, Ganiun e përcillnim me një këngë të kohës, të cilën Arbani, e kishte përshtatur bukur duke e zëvendësuar togfjalëshin: nëna Parti me emrin e Ganiut, sa secila strofë përfundonte natyrshëm me refrenin: “Lum e lum për ne/ që të kemi ty/ o shoku Gani, o hej!”. Një mëngjes të atyre ditëve, i çuditur me sjelljen tonë gazmore, serbi me emrin Jovo, edhe ai i pandehur që akuzohej për kriminalitet ekonomik, po e pyet Ganiun:
-A e di, përafërsisht, sa vjet mund te të dënojë gjykata?
-Pesëmbëdhjetë vjet, pasi me ligj nuk parashihet më shumë! – duke qeshur, iu përgjigj Ganiu
-Po, a mendon se mund t’i mbash dhe të dalësh nga burgu shëndosh e me mend në kokë?!
-Ky shtet nuk ka vite sa mund të mbajmë ne, ia ktheu Ganiu dhe vazhdoi, mbaje në mend, Jovo, në burg nuk jemi vetëm ne, në burg jeni edhe ju që po mendoni se jeni të lirë. Kjo Jugosllavi nuk ka jetë as 15 vjet, ky shtet do të shkatërrohet me themel edhe më përpara se sa po mendojmë ne!
I solla këta dy shembuj nga qindra sish për të dëshmuar qetësinë, vendosmërinë, guximin dhe mendimin largpamës të Ganiut për zhvillimet e sakta të ngjarjeve politike të kohës, shembuj që simbolikisht mund të jenë vetëm një pikë uji nga deti i madh i shembujve të qëndresës mbinjerëzore të qindra e mijëra të burgosurve politikë që vuajtën shekuj të tërë në burgjet fashiste të Serbisë.
Prandaj, brezat e sotme dhe ato qe vijnë nga këto libra do të mësojnë shumë për jetën, për vuajtjet, për qëndresën, për veprimtarinë, për flijimin e të burgosurve politikë. Do të mësojnë se në këtë luftë të gjatë kundër kolonializmit serb arma e vetme e brezave të tërë ishin gjokset e hapura, grushtet e shtrënguara, krenaria e të qenit shqiptar dhe dashuria e madhe për atdheun dhe, më mirë se askund tjetër, nga këto rrëfime do ta kuptojnë se asgjë nuk ka pikur nga qielli, se as bombat e NATO-s pa ato përpjekje të mëdha te asaj kohe nuk do të zbrazeshin mbi caqet e armikut tonë shekullor.
I lavdishëm qoftë emri dhe vepra e atdhetarit, Gani Syla!
(Pjesë nga një shkrim më i gjatë)
add a comment