Botë

SHBA – Blinken: Kina sfida më e madhe afatgjatë për rendin ndërkombëtar

UASHINGTON, 26 maj /ATSH-DPA/- Pavarësisht pushtimit aktual rus të Ukrainës, qeveria amerikane e ka konsideruar Kinën si sfidën më të madhe për rendin ndërkombëtar në planin afatgjatë, deklaroi sot në Uashington sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

“Edhe pse lufta e presidentit Vladimir Putin vazhdon, ne do të mbetemi të fokusuar në sfidën më serioze afatgjatë ndaj rendit ndërkombëtar. Dhe kjo është paraqitur nga Republika Popullore e Kinës”, tha Blinken.

Ai shtoi se Kina është i vetmi vend me synimin për të riformuar rendin ndërkombëtar.

Blinken tha se qeveria e presidentit amerikan Joe Biden ka mbajtur një qëndrim të vendosur me Kinën që në fillim, dhe ka pranuar se Kina zë një vend të veçantë në politikën e jashtme të SHBA-së, si konkurrentja më e madhe e SHBA-së.

Kina dhe SHBA-ja janë dy ekonomitë më të mëdha të botës.

Blinken theksoi se Kina luan një rol vendimtar në ekonominë botërore dhe në zgjidhjen e problemeve të tilla si, ndryshimet klimatike apo pandemia e Covid-19.

“Kjo do të thotë se SHBA-ja dhe Kina nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të merren me njëra-tjetrën, duke e bërë atë një nga marrëdhëniet më komplekse dhe më të rëndësishme në botë”, shtoi ai. //a.i/