Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXVIII) – GJIROKASTRA – qyteti i gurtë i Gjin Bua Shpatës

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXVIII)
GJIROKASTRA – QYTETI I GURTË I GJIN BUA SHPATËS
Kur udhëton rrugës kombëtare drejt jugut të Shqipërisë, nga larg të shpaloset hijerëndë kështjella madhëshore e Argjiros dhe dalëngadalë merr pamje edhe qyteti “i çuditshëm” rrëzë kështjellës së lashtë. Të udhëtosh drejt jugut e të mos ndalesh në Gjirokastër, të mos e vizitosh kështjellën legjendare të Argjiros pothuaj është e pamundur. Sepse, ajo të magjeps, të bën për vete dhe të deh me bukurinë e saj.
Gjirokastra ndodhet në zemrën e jugut shqiptar, në shpatijet lindore të Malit të Gjerë dhe në anën e majtë të luginës së lumit Drino. Ajo është qytet i lashtë, qytet – muze (nga viti 1961) dhe qytet në UNESCO (nga viti 2005), është qendër administrative e prefekturës, e qarkut, e rrethit dhe e bashkisë, e kufizuar me fshatin Lazarat, nga jugu, me fshatin Mashkullorë, nga veriu dhe e ndodhur mes luginës së lumit Drino dhe Malit të Gjerë.
Gjirokastra është qytet i pjerrët, krejt i veçantë, qytet magjik me plot histori, “qytet i gurtë” i rrugëve dhe i shtëpive të gurëta, “qytet i 1000 shkallëve”, qytet universitar i mijëra studentëve, qytet i festivalit më të madh kombëtar. Dhe, është një qytet me mbi 550 objekte shekullore të trashëgimisë kulturore e historike (shumë prej tyre të pabanuara). Për Gjirokastrën janë shkruar shumë poezi, tregime, janë bërë shumë këngë, piktura e vepra tjera arti, ndërsa shkrimtari Kadare i ka kushtuar veprën “Kronikë në gur”. Si e tillë, Gjirokastra është e tëra monument kulturor, historik e natyror.
Si qendër banimi Gjirokastra është shumë e vjetër. Tit Livi, në vitin 169 p.e.r., Gjirokastrën e ka quajtur Pirrocastra (Kampi i Pirros). Kështjellën e ka përmendur për herë të parë kronisti bizantin, Johan Kantakuzeni, në vitin 1336, me emrin Argyrokastron e në dokumente të vjetra del me emrin Argjirini, kurse osmanët e kanë quajtur Ergiri. Thuhet se qytetin e themeloi Gjin Bua Shpata, i cili ia dha emrin e vet – Gjinokastër. Por një shpjegim tjetër për prejardhjen e emrit lidhet me legjendën e princeshës Argjiro, e cila në shek. XV, për të mos rënë në duart e pushtuesve osmanë, bashkë me djalin e vogël, u hodh nga muri – shkëmb i kështjellës. Shpjegim tjetër për prejardhjen e emrit lidhet me fjalën greke argyro – argyrokastrum (qyteti i argjent), si dhe me emrin e fisit ilir të argjirëve, që jetonte afër Gjirokastrës.
Në shek. XIII qyteti ishte nën Despotatin e Epirit, respektivisht nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Zenebishët u bënë vasalë të Perandorisë Osmane në shek. XIV, kurse në vitin 1417, kur kishte 163 shtëpi, Gjirokastra ka rënë nën sundimin osman. Gjatë shekujve XVI dhe XVII ishte qendër e Sanxhakut, kur qyteti është zhvilluar dhe zgjeruar edhe jashtë kështjellës. Para 400 vjetëve Gjirokastra kishte 2200 shtëpi, nga të cilat 200 ishin brenda kështjellës, të banuara nga eprorët e garnizonit dhe personalitete të rëndësishme të asaj kohe. Në vitin 1811 qyteti ka rënë nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, ndërsa qendër e rëndësishme administrative ishte bërë në shek. XIX, kur u ndërtuan shtëpitë – kulla të fortifikuara. Në vitet e pavarësisë qyteti dhe rrethina e tij ndodheshin nën “Republikën Autonome të Epirit” të gjeneralit famëkeq, Zografi dhe, deri në vitin 1921, kur grekët u detyruan të tërhiqeshin, statusi i saj ishte i papërcaktuar.
Gjirokastra nuk do të ishte Gjirokastër pa kështjellën madhështore të Argjiros, që ka 500 m. gjatësi dhe 50 – 100 m. gjerësi. Është edhe Qyteti i Vjetër, Qafa e Pazarit, Sheshi i Çerçizit, lagjet e pjerrëta karakteristike të ndërtuara nëpër kodra e të ndara nga njëra-tjetra me përrenj që zbresin nga mali. Ajo ka reliev të thyer dhe pozitë mbizotëruese mbi një terren të gjerë me pamje mahnitëse. Sidomos, është dominuese kështjella madhështore e tipit ushtarak, që ngritet mbi një kodër apo shkëmb të mprehtë mbi qytet, që paraqet ndërthurje të epokave e të ngjarjeve historike.
Pas çlirimit të vendit, në vitin 1944, janë bërë shumë përpjekje për ndërtimin e objekteve publike ekonomike e shërbyese, siç ishin fabrikat e miellit, e bukës, e lëkurë-këpucëve, e duhan-cigareve, e betonit, dy uzinat metalike, dy ndërmarrjet e ndërtimit, dy ndërmarrjet bujqësore, pastaj kishte shtëpi kulture, teatër, estradë, galeri të arteve, Institut Pedagogjik, i shndërruar në vitin 1991 në Universitetin “Eqrem Qabej”, hotel “Çajupi”, gjashtë shkolla të mesme, gazetë, radio, bibliotekë, orkestër frymore, orkestër simfonike, dhjetra muzeume, cirk etj. Por, pas vitit 1990 ekonomia dhe institucionet në masë u mbyllën, u shkatërruan e u grabitën. Kjo gjendje kaotike shkaktoi humbjen e mijëra vendeve të punës, papunësinë e varfërinë e madhe dhe emigrimin masiv. Një kaos në qytet e rrethinë ishte krijuar edhe pas rënies së skemave piramidale në vitin 1997, kur mijëra familje humbën kursimet e tyre, kur u dogj një pjesë e Pazarit, kur u plaçkit Muzeu i Armëve… Sot ekonomia e Gjirokastrës mbështetet kryesisht te bujqësia e blegtoria, te artizanati, te industria agroushqimore dhe te turizmi.
Qyteti “i gurtë” i Gjirokastrës është edhe qendër e rëndësishme turistike. Trashëgimia e veçantë kulturore, historike dhe arkitektonike, pamja e saj e mrekullueshme dhe piktoreske ka bërë që Gjirokastra të zhvillohet gjithnjë e më shumë si qytet turistik. Turisti në Gjirokastër viziton, para së gjithash, Kështjellën e Argjiros, që është kështjella më e madhe në Shqipëri, pastaj Qendrën Historike dhe Qafën e Pazarit, Muzeun Kombëtar të Armëve (1971), Muzeun Etnografik në shtëpinë e Enver Hoxhës, Muzeun e Rilindjes, Muzeun e Kulturës Popullore, shtëpinë e Ismail Kadaresë, shtëpinë e Eqrem Qabejt, kullën e Zekatëve, shtëpitë e shumta me porta të mëdha, që duken se qëndrojnë njëra mbi tjetrën, rrugët e urat e gurëta tipike, kishat e xhamitë e vjetra, kullën e sahatit, sheshin dhe monumentin e Çerçiz Topullit, shumë buste dëshmorësh. Në afërsi të Gjirokastrës mund të vizitohen lokalitetet arkeologjike të Antigonesë dhe Adrianopolit, kishat paleokristiane në Labovë e Peshkëpi, etj. Në rrethin e Gjirokastrës ka edhe 45 monumente të natyrës, që janë pika turistike, siç është Parku Natyror (liqeni dhe shpella nëntokësore) i Viroit.
Që nga viti 1968 në kështjellën e Gjirokastrës çdo pesë vjet mbahet festivali kombëtar i folklorit, një ngjarje e rëndësishme kombëtare e vlerave kulmore folklorike që i jep Gjirokastrës epitetin e “qytetit të festivalit”. Gjirokastra njihet edhe për kolorit të kostumeve tradicionale, për punimet e dorës, për traditë muzikore e të zakoneve e riteve popullore, për përpunimin e drurit e të gurit, për prodhimin e djathit e të rakisë, për hotelet e bujtinat, për kuzhinën autoktone.
Qyteti i Gjirokastrës ishte gjithmonë një vatër e pashuar e atdhetarisë, një qytet me histori të bujshme dhe krenare. Gjirokastra është vendlindja e personaliteteve të rëndësishme kombëtare; e vëllezërve Çerçiz Topulli e Bajo Topulli, e Enver Hoxhës, e Eqrem Çabejt, e Ismail Kadaresë. Këtë qytet e kanë bërë të famshëm kështjella e lashtë dhe Qyteti i Vjetër. Kështjella, pos destinimit ushtarak, gjatë historisë është përdorë edhe për qëllime tjera. Në brendi të saj, nga viti 1930 e deri në vitin 1968, ka funksionuar burgu, i mbiquajtur “Burgu i shtatë pengjereve”, i cili pastaj është shndërruar në Muze të Armëve.
Gjirokastra është qytet i vjetër dhe qytet i ri, është një mrekulli ndërtimore dhe natyrore. Kronisti osman, E.Qelebia, Gjirokastrën e ka quajtur “qytet i vajtimit”, kurse populli e quan: qytet i çuditshëm, qytet përrallor, qytet interesant, qytet i 1000 shkallëve, qytet i magjishëm, qytet i gurtë… Pos qytetit, edhe banorët janë të mrekullueshëm, janë njerëz punëtorë, të dashur, të kulturuar dhe krenarë për qytetin e tyre. Dhe, për të mos e zgjatur më shumë, “kur thua Gjirokastër, i ke thënë të gjitha”!