NËSE JE NISUR PËR TË NDRYSHUAR BOTËN FILLO DUKE NDRYSHUAR VETËN
(Mëkatarët e Kosovës dhe mëkatarët (viktimat) e mërgimit)
Në kohën kur “Diktatori” Putin hoqi dorë nga Presidenca e Rusisë -se nuk ia lejonte Kushtetuta më shumë se dy mandate rresht- për t’i lënë vend Medvedevit në krye të Presidencës, Naim Ternava ndryshoi “Kushtetutën” e BIK-ut për t’i mundësuar vetit edhe mandate tjera, deri në vdekje, në krye të BIK-ut! Hoxhallarët përparimtarë kundërshtuan këtë “puç” por, ata nuk gjetën përkrahjen e nevojshme institucionale dhe popullore…
Naim Tërnava, që të gjithë e mendojmë për të varfër, paska marrë guximin të qortojë rininë e varfër të Kosovës që po braktisin Atdheun, duke u thënë se është mëkat të shkosh në mërgim! Një rini që ka më pak se një fushë futbolli, ku të luaj futboll pa para, më pak se një shtëpi kulture, më pak se një pallatë sporti, më pak se një bibliotekë publike, më pak se një klub sporti (çfarëdo), më pak se një park, etj. për 200 000 banorë!! Për këtë mjerim shoqëror dhe kulturor nuk është pa faj as Naim Tërnava me shokët e tij.
Disa klerikëve biznesmen të fesë u janë bërë këto xhamiat si asfaltet dikur politikanëve: dikush asfalto një rrugë se del diçka, dikush ndërto një xhami a kishë se del diçka!! Kurse rinia shqiptare e Kosovës sillet rrugëve pa perspektivë, pa pasur ku të praktikojë cilindo aktivitet të dobishëm, qoftë dhe për të kaluar kohën. Mbase edhe me mbyt kohën është problem kur të jesh nën moshën 20 vjeçare! As në pishinë i riu ynë nuk shkon dot verës për të mundur të nxehtin se pishina publike nuk ka e këto privatet kanë çmime marramendëse verës…
Të mos flasim për çerdhe e kopshte publike dhe infrastruktura tjera të nevojshme, kur krijon familje, kur i riu ynë detyrohet t’i drejtohet privatit me çmime marramendëse për rrogën mesatare të Kosovës! Gjersa, një pjesë e mirë e të rinjve nuk krijojnë familje se nuk e mbajnë dot as vetën në një Kosovë, ku dyfishi i rrogës mesatare nuk të mundëson sot të jetosh jetë të dinjitetshme me familje!
Edhe një politikan milioner (këta milionerët janë moralistë të fortë!) kishte qortuar rininë tonë dikur, duke u thirrur në shembullin e gjermanëve, që kishin hangër vetëm patate pas lufte për të ndërtuar vendin! “Po, është e vërtetë, ia kthyen të rinjtë, por edhe polikanët e tyre kanë hangër patate dhe kancelari i tyre ende hanë patate, ani pse janë fuqia ekonomike më efikase në botë sot”.
Klerikët moralistë duket se kanë harruar një kohë të gjatë fjalët e fundit të Lekës së Madh: “Kur të më varrosni m’i lini duar jashtë varrit, që e gjithë bota ta kuptojë se njeriu më i fuqishëm në botë iku nga kjo tokë duarbosh!”. Edhe ata kanë për të ikur nga kjo botë duart thatë dhe nga kjo botë s’kanë për të marrë me veti tjetër veç mëkateve apo veç të mirave, ashtu si më modesti i qytetarëve tanë.
Ka ikur koha e hoxhallarëve përparimtarë dhe të ndritur që mendonin për popull! Ishte një kohë pas Luftës Dytë Botërore, kur hoxhallarë përparimtarë luftuan prapambetjen, duke nxitur shkollimin e vajzave dhe kur dikush vinte me iden për të ngritur një objekt kulti i drejtoheshin: “Ne kemi fshatin pa shkollë e pa ambulancë, le t’i përfundojmë njëher këto pastaj e ndërtojmë edhe xhaminë”.
Ka ikur koha e Jetish Vishit, Hoxhë Kakrukit, Hoxhë Rifat Jasharit të Zhegrës dhe hoxhallarëve të tjerë të nderuar të rajoneve tjera që mision e kishin arsimin, të bukurën, vetdijen qytetare dhe kombëtare. Jetuan, sakrifikuan, vepruan një jetë, duke përfunduar jetën në kushte ekonomike shumë mesatare, kurse këta të ditëve tona janë shumë herë më të pasur se edhe vet Profeti!
Gjenë ende shembuj të mirë të hoxhallarëve shqiptarë, që punojnë dhe veprojnë për të mirën e këtij populli dhe të këtij kombi. Urojmë që kjo gjeneratë e vetëdijshme intelektualësh shqiptarë të fillojnë pastrimin e këtij institucioni dhe t’i japin kahjen përparimtare, sepse feja, që është një përbërëse e rëndësishme e jetës shpirtërore e kulturore, por edhe ekonomike e shoqërore, duhet të vihet në shërbim të përparimit dhe vetdijësimit kombëtare e qytetar.
E për qortime është mirë që jo vetëm politikanë e hoxhallarë dhe milionerë tjerë të këtij kalibri, por edhe secili qytetar i Kosovës të shikojë vetën në pasqyrë dhe t’i drejtojë qortimet fajtorit kryesor… Të gjithë kemi faj ngapak, dikush qoftë edhe nga heshtja dhe mosngritja e zërit përballë idiotësive, absurditeteve, keqpërdorimeve, që kanë kapluar vendin në çdo skaj të jetës.
Megjithatë, rinia shqiptare e Kosovës, përkundër vështirësive, mbetet çelësi i të ardhmes dhe kudo të shkojnë, ata gjejnë shtegun për të mos e lënë Atdheun të vdes nga plagët, që i shkaktojnë në çdo institucion e çdo sektor të ekonomisë dhe jetës tuxharët e ndyrë të politikës, të klerit, të tregtisë zhvatëse, etj, gjakpirës dhëmbmprehur që mban mbi kurriz ky popull dhe kjo rini heroike.
Askush, asnjëher nuk e ka lëshuar Kosovën për qejf, përveç fëmijët e kastës zhvatëse, që shkojnë ndonjë javë në Dubaj, Gjermani, Amerikë e Zvicër për “qejf”; mbase ata kohë më të gjatë s’qendrojnë dot jashtë se duhet punë, meritë e mund. Prandaj, ata që nuk u përkasin familjeve që emigrojnë se kanë kushtet (veçanërisht ata që i kanë nga djersa e huaj) është edukatë të përmbahen nga deklaratat e pavenda dhe të padinjitetshme.
add a comment