Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXVII)
BERATI – QYTETI I MAGJISHËM 2400-VJEÇAR NË BRIGJET E LUMIT OSUM
Berati është qytet me jetë të pandërprerë që nga lashtësia e largët e deri sot. Qyteti i magjishëm 2400-vjeçar i Beratit shtrihet në rrjedhën e poshtme dhe në bregun e djathtë të lumit Osum, buzë fushës së gjerë të Myzeqesë, në lartësi mbidetare 58 metra. Rrethohet nga kodrat e malet; në njërën anë nga mali madhështor i Tomorit (2417 m.), park kombëtar dhe, në anën tjetër, nga mali i Shpiragut (1218 m). Përmes qytetit rrjedhë lumi Osum, i cili pak kilometra më tej bashkohet me Devollin dhe, të dytë së bashku, formojnë lumin Seman. Berati është qendër administrative e bashkisë, e rrethit dhe e qarkut, qytet e rrethinë me vlera të pasura të trashëgimisë historike e kulturore, etnografike e arkitektonike, natyrore e turistike.
Zona e Beratit ka qenë e banueshme që nga shek. VII p.e.r., kurse, si qytet, Berati u themelua në vitet 313 – 310 p.e.r. Në antikë ishte një qytet-kështjellë i fisit ilir të Desaretëve, me emrin Antipatrea, i themeluar nga mbreti Kasandër, gjeneral i Lekës së Madh. Pas pushtimit nga romakët, në shek. II p.e.r., qyteti u quajt Albanorum Oppidum (fortesa e arbërve), ndërsa pas pushtimit bizantin, në shek.V, u quajt Pulheriopolis (qytet i bukur). Me ardhjen e bullgarëve, në shek. IX, qyteti mori emër të ri, Belgrad (qyteti i bardhë). Pothuaj secili pushtues që ka mbërri në Berat, ia ka ndërruar emrin këtij qyteti. Kalaja e Beratit shpeshherë ka marrë mbiemrin “e bardhë” sipas shtëpive të bardha që kanë mbizotëruar.
Në shekujt XIII-XIV qyteti ka rënë nën Muzakajt, duke u bërë kryeqendër e familjes princërore të Muzakajve. Në këtë kohë qyteti është zhvilluar si qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare, administrative dhe kulturore, duke u shtrirë edhe jashtë mureve të kështjellës. Në vitin 1417 qyteti pushtohet nga osmanët. Në luftë me osmanët Berati ka një histori të dhembjes. Në korrik të vitit 1455 qytetin befasisht e kanë sulmuar rreth 40 mijë kalorës osmanë, të cilët i shkaktuan humbje të rëndë ushtrisë së Skënderbeut. Ushtarët që pësuan kryesisht ishin të dërguar në ndihmë Skënderbeut nga Alfonsi V i Aragonës. Në shek. XVII Berati bëhet qendër e pashallëkut, kurse në shek. XVIII i bashkohet Pashallëkut të Janinës. Në këtë kohë ishte qytet i madh dhe qendër e rëndësishme ekonomike, me zejtari e tregti të zhvilluar, me 30 medrese, me 500 shtëpi e me 30 lagje. Nga fundi i shek. XIX, kur kishte 8000 banorë e 820 punishte zejtare e dyqane, Berati ishte qyteti më i zhvilluar i pjesës jugore të Shqipërisë.
Qendra historike e Beratit ka tri lagje muzeale; Lagjet Kala, Mangalem dhe Goricë, si dhe Qendrën Mesjetare të shek. XVI, ku ndodhen Xhamia Mbret, Teqeja e Helvetive dhe Konaqet e Dervishëve.
Kështjella apo kalaja e Beratit, me themele nga antika dhe e ndërtuar në kodrën shkëmbore mbi qytet, është rindërtuar gjatë shekujve katër herë. Ka formën e trekëndëshit, me gjatësi të mureve 1440 metra, me 24 kulla vrojtimi e me dy porta hyrëse. Është kështjellë e banuar edhe sot. Në të ka stile ndërtimesh ilire, romake, bizantine, turke, shqiptare. Ndërtimet brenda kalasë kanë filluar që nga shek. XIII, kurse shtëpitë monumentale janë ndërtuar nga shek. XVI. Brenda kalasë ka pas rreth 40 kisha, nga të cilat dallohet “Kisha e Shën Mërisë”, e ndërtuar në vitin 1797, ku sot është i vendosur Muzeu i Onufrit. Kalaja është shpallur monument kulture në vitin 1948. Lagjja tjetër, Mangalemi, është unike për artin e ndërtimit me shtëpi të vendosura njëra mbi tjetrën dhe me rrugica të ngushta me kalldrëm. Kjo lagje është emblema e qytetit të Beratit. Shtëpitë e ndërtuara në faqen e një kodre i ka dhënë emrin qytetit të Beratit si “Qyteti i një mbi një dritareve”. Lagjja Goricë gjendet përballë lagjes Mangalem, përtej lumit, që lidhet me qytetin përmes Urës së Goricës. Ura e Goricës është një monument tjetër i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në arkitekturë. Kjo urë, njëra nga simbolet e qytetit, është ndërtuar rreth vitit 1780 dhe rindërtuar në vitin 1922. Ka shtatë harqe, gjatësi 130 metra, gjerësi 5.3 metra e lartësi 10 m mbi lumë.
Berati, sot qytet me rreth 65 mijë banorë, është i pasur edhe me objekte të vjetra të kultit, me kisha, xhami e teqe. Kishat janë të pasura me piktura të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të piktorit të madh të shek. XVI, Onufrit dhe djalit të tij, Nikollës. I shtojmë këtyre monumenteve edhe Sarajet e Vrionasve, Portën e Pashës etj. Në Berat është zbuluar Epitafi i Gllavinicës i vitit 1373, një krijim i qëndisur në ar e argjend, që paraqet Krishtin e vdekur të kurorëzuar. Epitafi është njëri ndër tri veprat e këtij lloji në tërë botën. Gjithashtu, në Berat janë ruajtur dorëshkrimet apo kodikët e Beratit; Kodiku i Purpurtë (Codex Purpureus Beratinus) i shek. VI, njëra nga gjashtë kopjet e tilla të gjetura në tërë botën. Dokumenti i dytë është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shek. X. Këta dy kodikë, me pjesë ungjillore në greqishten e vjetër, të zbuluara në kala në vitin 1972, janë të regjistruara në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s dhe ruhen në Muzeun Historik të Tiranës.
Berati kishte një ekonomi të respektueshme deri në vitin 1990. Pos bujqësisë e frutikulturës, në Berat janë prodhuar fiqtë e thatë, vera, ullinjtë, industria mekanike, industria e tekstilit etj. Vetëm Kombinati i Tekstilit, në vitet 80-ta, ka punësuar rreth 10 mijë punëtorë, kryesisht gra. Kurse sot njëri nga sektorët ekonomik është zhvillimi i artizanatit, sidomos i gdhendjes në dru, i qëndisjes, i punimeve në argjend e metale tjera. Gjithashtu, falë këtyre vlerave, drejtimi kryesor i zhvillimit ekonomik të Beratit është bërë turizmi. Megjithatë, popullsia e Beratit nuk ka një gjendje të mirë ekonomike, sepse ka shkallë të lartë të papunësisë dhe shpërngulje në qytete tjera dhe në emigrim.
Si një qytet me pasuri e vlera të veçanta historike, kulturore, etnografike, arkitektonike, të trashëguara nga e kaluara, Berati është shpallur “qytet-muze” në vitin 1961, ndërsa nga viti 2008 është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Qyteti ka mbi 200 objekte të mbrojtura e muzeale, nga të cilat 60 janë monumente të kategorisë së parë, duke përfshirë edhe kështjellën madhështore. Berati ka tri muze; muzeun etnografik, muzeun mesjetar “Onufri” dhe muzeun “Solomoni”. Muzeu “Solomoni”, i formuar rishtas, i vetmi i tillë në trojet tona, i kushtohet 600 hebrenjve të strehuar në 50 familje të Beratit, që ishin të rrezikuar gjatë LDB nga nazistët, por që asnjë prej tyre nuk ka pësuar.
Kalaja është pjesë e njërës ndër legjendat më të famshme shqiptare, legjendës për Tomorin e Shpiragun. Dy vëllezër, Tomori e Shpiragu, ishin dashuruar marrëzisht në një vashë. Ata luftuan deri në vdekje me njëri tjetrin, se cili ta merrte vashën. Shpiragu i mëshonte vëllait të madh me topuz, Tomori i binte vëllait të vogël me shpatë. Nga historia e tyre lindën malet Tomor dhe Shpirag. Mali Shpirag duket edhe sot i prerë, kurse mali i Tomorit duket me gropa. Lotët e vashës krijuan lumin Osum dhe vasha krijoi kodrën, mbi të cilën sot ndodhet kalaja.
Padyshim, Berati është qyteti më i bukur i trojeve shqiptare, është një qytet romantik, që të magjeps. Sepse, është një qytet që flet me lashtësi e histori, me trashëgimi e kulturë, me këngë e legjenda, me muzetë…, që flet edhe me të tashmen. Berati flet edhe me shtëpitë karakteristike, si një ansambël i paparë ndërtimi, flet edhe me mijëra “një mbi një dritaret”, flet edhe me kopshtet e oborret e bukura, flet edhe me sokaqet e ngushta e të gurëta, flet edhe me qindra bujtinat e hotelet… Krejt në fund, Berati ka njerëz të zgjuar e të urtë, trima e të ditur, mikpritës e bujar. Dhe, do të thoshim: – kush nuk e ka parë Beratin, nuk e ka vizituar Shqipërinë!
add a comment