Raportuesja për Shqipërinë në parlamentin Europian, Isabel Santos, në një Intervistë për ABC është shprehur se BE vlerësoi me një zë që Shqipëria është gati për hapjen e negociatave dhe duhet fiksuar një datë për mbajten e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo deklaratë vjen pas miratimit të raportit mbi vlerësimin e Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit Europian gjatë 2021.
“Po, ne themi qartësisht, që Shqipëria përmbush kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe i bëjmë thirrje Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian të fiksojë një datë për këtë konferencë shumë shpejt. Raporti për Shqipërinë është aprovuar nga një shumicë e gjerë deputetësh Europianë: 66 vota pro, 3 kundër, 4 abstenime. Bashkimi Europian duhet të kuptojë gjithashtu rrezikun dhe sfidat që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor nga lufta në Ukrainë dhe duhet t’i përmbahet angazhimit për t’u zgjeruar me rajonin”, tha Santos.
Teksa foli për Sanksionet e SHBA-së për Ballkanit Perëndimor Santos u shpreh se BE e sheh si mundësi të ketë të njejtën qasje.
“Shqipëria ka probleme specifike për luftën kundër korrupsionit. Ndaj, kemi bërë rekomandime të nevojshme për të ecur përpara, përfshirë këtu me dënimet finale për korrupsionin e zyrtarëve të lartë, nëse drejtësia e gjykon të tillë. Lidhur me sanksionet e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, ne themi që jemi dakord me to dhe shohim si mundësi që të kemi të njëjtën qasje”, tha Santos.