Shqipëria/Aktualitet

A po furnizohet Republika Shqiptare e Kosovës me armë antitank

Mediat serbe kanë raportuar se Britania e Madhe është duke e furnizuar me armë Kosovën. Ky dyshim i pakonfirmuar nga autoritetet britanike dhe kosovare, duket se ka shqetësuar shumë Serbinë, e cila në anën tjetër për vete po armatoset nga të katër anët.

Media serbe Novosti, sot ka raportuar se një avion ushtarak i forcave ajrore britanike, që ka ateruar së fundmi në Prishtinë, ka realizuar dërgesën e raketave anti-tank “Javelin” dhe “NLAW”, të cilat po përdoren edhe nga Ushtria e Ukrainës kundër forcave ruse, si donacion nga shtetet perëndimore.

Bëhet fjalë për raketat efikase anti-tank që kanë ndihmuar forcat ukrainse për t’i fituar disa beteja, duke shkatërruar me sukses tanket ruse në luftën që po vazhdon nga 25 shkurti i këtij viti.

“Javelin” është një prej armëve më të sofistikuara në botë, që përdoret për shkatërrimin e tankeve. Bartet në supe dhe qëllon në mënyrë automatike, duke i mundësuar bartësit që të mbrohet dhe të evitojë kundërgoditjen.

Duke përdorur një profil të harkuar në krye, Javelin ngjitet mbi objektivin e tij për shikueshmëri të përmirësuar dhe më pas godet aty ku caku është më i dobët. Për të qëlluar, gjuajtësi vendos një kursor mbi objektivin e zgjedhur. Njësia e lëshimit të komandës më pas dërgon një sinjal të kyçjes përpara lëshimit të raketës.

“Javelin” mund të gjuaj në mënyrë të sigurt nga brenda ndërtesave ose bunkerëve. “Javelin” është konceptuar dhe prodhuar nga Ushtria Amerikane dhe një e tillë sipas të dhënave në Wikipedia, kushton mbi 200 mijë dollarë amerikanë.

“NLAW” është po ashtu një armë anti-tank, i njohur si “vrasësi i tankeve”, që ka fuqinë t’i shkatërrojë edhe tanket më të sofistikuara. Është armë e përshtatshme dhe e lehtë për t’u përdorur në të gjitha ambientet gjatë luftimeve. Është armë e konceptuar dhe e ndërtuar nga Suedia, të cilën që nga viti 2001 e përdor edhe Britania e Madhe si zëvendësim për “LAW 80s”.

“NLAW” është e dizajnuar për t’u përdorur nga forcat e këmbësorisë dhe peshon vetëm 12.5 kilogramë si dhe është efikase në distancë mes 25 deri në 800 metra. Është jashtëzakonisht fleksibile dhe mund të sulmojë pothuajse nga çdo pozicion.

Me këtë armë, mund të qëllohet nga brenda një ndërtese, nga një bodrum ose nga kati i dytë i një ndërtese jashtë rrezes së shumicës së tankeve. Çmimi për njësi i kësaj arme sillet nga 30 mijë deri në 40 mijë dollarë.

Sipas medias serbe Novosti, presidenti Aleksandar Vuçiç do të kërkojë llogari nga kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson për furnizimin e Kosovës me këto armë dhe trajnimin e ushtarëve të FSK-së për përdorimin e tyre.

Gjatë ditës se premte, misioni i KFOR-it në Kosovë njoftoi që në Aeroportin e Prishtinës zbarkoi një aeroplan i Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, për të kryer një operacion ndihmës për forcat tokësore britanike që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Avioni ishte i llojit “A400M Atlas”.

Në këtë njoftim nuk është dhënë ndonjë informacion, si ky që transmeton media serbe, e me gjasë edhe presidenca serbe.