Shqipëria/Aktualitet

Organizata Dëshmorëve: Dita e Verës festë popullore autoktone

DITA E VERËS DHE ILIR MBORJA NË VAZHDËN E GJURMIMIT INTELEKTUAL
Prag-festa e Ditës së Verës mbërriti edhe sivjet. Jemi pikërisht në vigjiljen e saj, ku trashëgimia e përjetshme, vazhdon udhëtimin drejt një tjetër vazhdimësie të përjetshme, në atë të ruajtjes me fanatizëm të kësaj feste, me kryeqytet Elbasanin.
Me dashuri të sinqertë, OKDA Elbasan, Ju uron gëzuar nga mot këtë trashëgimi të kulturës së thellë të Elbasanit dhe më gjerë, si vlera më domethënëse e kulturës së trashëguar me besnikëri, në çdo kohë, që kur ajo ka lindur në mijëvjeçarë të shkuar, pa një datë të saktë zanafille!
Në këtë kuadër, sot për të gjithë ju miq të nderuar, OKDA po ju përcjell një profil të veçantë, për njeriun pasionant të kulturës, trashëgimisë kulturore, por dhe të kritikut letrar dhe jo vetëm, të intelektualit të formuar, intelektualit me shqisa të holla dhe të mprehta kundrejt dukurive, ngjarjeve, analizave dhe shmangieve nga e vërteta dhe e drejta absolute.
Miku ynë i përbashkët, e ka emrin Ilir Mborja. Ndërsa ne do të bëjmë një përshkrim të shkurtër për Ilirin, nga Iliri, do të njiheni më gjerë për simbolikën e Ditës së Verës, bashkangjitur këtij postimi.
Iliri ka lindur më 8 nëntor 1961, në qytetin e Elbasanit, nga prindërit Nazmije dhe Petrit Mborja.
Nëna e Ilirit rrjedh nga fisi Shopi, me njerëz intelektualë dhe me tradita elbasanase.
Prejardhja familjare e babait të tij, Petritit, është nga Korça, dhe më saktë, nga Mborja, toponim të cilin ata me krenari e gëzojnë për mbiemër të fisit të tyre.
Po të futemi në të shkuarën historike të fillim shekullit të shkuar, mjafton emri Haki Mborja, për të kuptuar rrënjët e këtij fisi. Mjafton të kërkojmë në motorin elektronik “google”, ndër të tjera për të, lexojmë: “Mjek patriot, luftëtar për çështjen e Pavarësisë kombëtare dhe demokrat përparimtar… Mori pjesë në Lëvizjen kombëtare dhe në kryengritjen e armatosur. Anëtar i Komitetit të Korçës për lirinë e Shqipërisë (1911) dhe komandant i Çetës së formuar në qershor 1911, e cila veproi në malet e Gramozit, në luginën e Devollit e më vonë në fshatrat Bërzeshtë e Shpat të Elbasanit, u dallua si luftëtar trim… Më 1919 mori pjesë në qëndresën kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Paqes në Paris. Përkrahu vendimet e Kongresit të Lushnjës. Kundërshtar i vendosur i regjimit të A. Zogut, luftoi kundër vendosjes së monarkisë. Shërbeu gjithmonë si mjek i papërtuar.” Haki Mborja, është gjyshi i Ilirit.
Në vazhdën e gjurmimit intelektual të letërsisë dhe kritikës, Ilir Mborja është sot nga ata të paktë kritikë dhe analistë, që flet dhe shtjellon në mënyrë aq origjinale ngjarje dhe veprime, ku mbi të gjitha, spikat pasuria leksikore dhe gjetjet e tij të veçanta dhe tepër realiste.
Me krenari legjitime, OKDA Elbasan ka në anëtarësinë e saj këtë intelektual me prejardhje atdhetarësh dhe intelektualësh, por, Iliri tashmë është dhe një nga nënkryetarët e organizatës sonë, krah mikut të tij të ngushtë dhe mikut tonë të përbashkët Bardhul Toda, që nga zgjedhjet e nëntorit 2021, propozim që e ka pranuar me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, për gjithçka duhet të bëjmë në vazhdim të gjithë bashkë.
Pak më lart, thamë që do të përshkruajmë pak rreshta për intelektualin Ilir Mborja, dhe nga Iliri, do të mësoni shumë më tepër, se çfarë është Dita e Verës, me të gjitha simbolikat dhe ritet e saj shekullore.
Gëzuar të gjithëve Ditën e Verës, ditën e simbolikës së ripërtëritjes së jetës, ditën e rilindjes së stinëve që gjallërojnë natyrën!
Me mirënjohje OKDA Elbasan