BRUKSEL, 26 shkurt /ATSH-AA/- Kanë hyrë në fuqi zbatimi i sanksioneve të reja të Bashkimit Evropian (BE) kundër Rusisë, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme si financat, energjinë, transportin dhe ngrirjen e aseteve të personave të nivelit të lartë.
Lista e sanksioneve të reja që BE-ja ka përgatitur për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, ka hyrë në fuqi pasi janë publikuar në ‘Gazetën Zyrtare’ të BE-së.
Në krye të listës së re të sanksioneve janë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov.
Këtu janë listuar dhe janë ngrirë pasuritë e anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, anëtarëve të Dumas, Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë të cilët miratuan marrëveshjen e bashkëpunimit me rajonet separatiste në Ukrainë.
Sanksionet janë vendosur për 64 institucione të rëndësishme ruse që përshijnë institucione të ndryshme publike si Presidenca ruse, Ministria e Mbrojtjes si dhe kompani që operojnë në sektorin e energjisë, aviacionit dhe financave.
Në mesin e institucioneve në fjalë janë Hekurudha Ruse, Kalashnikov, Oboronprom, Rosoboronexport, Sukhoi, Tupolev, Progress, Almaz-Antey, Uralvagonzavod, Kamaz, Sovcomflot, Sevmash, Rustech-Azimut, United Shipbuilding dhe ndaj tyre është ndaluar sigurimi i teknologjisë dhe është ndërprerë qasja në shërbimet financiare të BE-së.
Të përfshira në listën e sanksioneve janë edhe Alfa Bank, Bank Otkritie, Bank Rossiya dhe Promsvyazbank, ku këtyre institucioneve u janë ndaluar transaksionet në tregjet kapitale dhe shërbimet financiare.
Po ashtu është penguar edhe rifinancimi i borxhit të institucioneve publike ruse.
Me këtë, bankave të BE-së u ndalohet të pranojnë depozita në sasinë mbi 100 mijë euro nga qytetarët rusë.
Gjithashtu institucioneve të BE-së për shkëmbimin e obligacioneve, u ndalohet t‘u ofrojnë shërbime institucioneve ruse. Ndalesë është vendosur edhe për dërgimin e mallrave, shërbimeve dhe teknologjisë së nevojshme për rafineritë e naftës në Rusi.
Teksa janë bllokuar eksportet e produkteve dhe pajisjeve me përdorim të dyfishtë në vend, ndalesë zbatohet edhe për eksportimin e produkteve që përfshijnë mallra dhe teknologjinë e përshtatshme për përdorimin e industrisë së aviacionit dhe hapësirës.
Në kuadër të ndalesës është përfshirë edhe shitja e pjesëve rezervë dhe pajisjeve për kompanitë ajrore të Rusisë. /os/