Shqipëria/Aktualitet

Shteti ynë AMË ka dërguar 30 ushtarë pranë forcave të KFOR – it

TIRANË

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se teksa NATO ka rritur prezencën e saj në kufijtë lindorë pas luftës në Ukrainë edhe Shqipëria ka marrë angazhimet e saj konkrete. Duke folur pas samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s për Ukrainën, ai tha se është dërguar pranë KFOR-it, një togë prej 30 efektivësh, ndërkohë kemi në dispozicion dhe një togë tjetër për t’u alokuar në kufijtë lindorë të Aleancës.

“Ne jemi fatlum që jemi aleatë me NATO-n. Artikulli 5 bën fjalë për mbrojtjen tonë kolektive. Në qoftë se preket një cm katror i një vendi të NATO-s, NATO vepron si një e tërë. Ne kemi forcën tonë, të kombinuar me NATO-n. Kemi një grup batalion i dytë të këmbësorisë, i NATO-s, i gatshëm për t’u përdorur nga NATO. NATO është një aleancë mbrojtëse që sulmon duke shkurajuar. Proceset tona për Forcat tona të Armatosura, kanë për synim dekurajimin. Edhe pjesëmarrja në stërvitjen e kaluar, synon të tregojë muskujt e Aleancës tonë.

Në këtë situatë NATO ka rritur prezencën e saj në kufijtë lindorë dhe ne kemi marrë angazhimet tona konkrete. Kemi dërguar pranë KFOR-it, KFOR 1, një togë prej 30 efektivësh, ndërkohë kemi në dispozicion dhe një togë tjetër për t’u alokuar në kufijtë lindorë të Aleancës, për të rritur sigurinë dhe për të shkurajuar agresionin rus”, tha Peleshi.