Shqipëria/Aktualitet

Një monument i ri turpi. Shtatorja e Gjeraldinës vendoset në qendër të Tiranës! Çfarë shërbimesh i ka bërë këtij vendi kjo zonjë?

Më 1 shkurt 2022 në krah të Ministrisë së Drejtësisë inaugurohet shtatorja e Geraldines. Nuk i them mbretëreshë se nuk e ka pasur këtë status asnjë ditë.

Ajo ishte gruaja e mbretit dhe pas arratisjes së tij, këtë kurorë, Asambleja e 12 Prillit 1939 ia dha Viktor Emanuelit. Pas vdekjes në ekzil të Ahmet Zogut, kurorën e pseudo mbretit tonë, ia kaluan të birit, Lekës.

Me të drejtë shtrohet pyetja: Çfarë shërbimesh i ka bërë Atdheut kjo zonjë, kur gjatë qeverisjes së burrit të saj ajo ndenji në Shqipëri jo më shumë se 1 vit?!!

Është fakt se ajo ka qenë aktive për destabilizimin e rendit kushtetues në Shqipëri, kur me sterlinat e vjedhura nga Banka e Shtetit sponsorizonte banda diversantësh për të derdhur rrëke gjaku midis shqiptarëve të pozicionuar në kahje të kundërta politike.

Padyshim që ngritja e shtatores dhe vendosja e saj në Bulevardin që mban emrin e “Malokut të Matit”, siç e cilësonte Faik Konica mbretin Zog, nuk mund të konkretizohej pa miratimin e kryeministrit të Shqipërisë.

Ky zotëri që shpërndan fletushka sipas stilit komunist: “Se ç’thotë Partia bën populli dhe ç’don populli bën Partia”, vallë a e ka pyetur elektoratin që e ka ulur për herë të tretë në fronin e kryeministrit se me ç’tagër moral duhen nderuar njerëz që kanë braktisur atdheun si mëkatarë?!!

Kjo që bën kryeministri aktual me Geraldinën është vazhdimësi e vijës se tij politike. Me kete kut ai nderoi Eqerem Bej Vloren, Mitat Frasherin, Ali Këlcyrën, Safet Butken, Hamit Matjanet e tere sorollopin e kësaj kategorie.

Ai vërtetë është kryeministër, por harron se është edhe kryetar i Partisë Socialiste, elektorati i se cilës janë pasardhës te antizogisteve, antifashisteve; pasardhës te Asim Alikos, Bardhok Bibes,Heroinave të Mirdites, të Ndrec Ndue Gjokes e një armate te tille qe ju kundërvunë banditizmit politik te ndërsyer nga zbulimet e huaja për te lënë pas gjurme terrori.

Po nëse duhen ngritur monumente e shtatore pse nuk te vete mendja ty zoti kryeministër për bij e bija qe e kane lartësuar emrin e kombit si vellezerit Frasheri, Sul Vokshi, Ismail Qemali, Shote Galica, Fan Noli, Ndre Mjeda, Qemal Stafa, Nako Spiru, Eqerem Cabej, Akeks Buda, Petro Marko, Dritero Agolli, Justina Shkupi, Vace Zela e plot të tjerë.

Monumenti i Geraldinës në bulevardin qendror te Tiranës është më shumë se një monument turpi. Është një fyerje që i bëhet historisë sonë kombëtare. Arroganca e pushtetit nuk duhet të provokojë ndjenjat patriotike të popullit.

 

Zaho Voshtina, Kolonel

Botuar në DITA në rubrikën Letër Kryeredaktorit