Lëvizja\UÇK

Blerim Muriqi: Po vjen shkurti i dhembjes, kujtesës dhe nderimit për Qerim Kelmendin – “Shpirtmadhin” – “Demën” e LPK – UÇK – së

PO HYJMË NË SHKURTIN E KUJTESËS DHIMBJE PËR QERIM KELMENDIN-SHPIRTMADHIN, DEMËN E UÇK-SË

Po mbushen dy vite nga vrasja makabre e Qerim Kelmendit! Po mbushen dy vite pa asnjë rezultat për ndriçimin e kësaj vrasjeje makabre e të pabesë! Familja, bashkëveprimtarët, bashkëluftëtarët dhe populli shqiptar presin dhe kërkojnë nga shteti dhe organet e tij që t’i zbulojnë porositësit dhe vrasësit e luftëtarit të lirisë, Qerim Kelmendit…

Ky dyvjetor nuk doli të jetë më shumë se një pritje e thyer në rastin e Qerimit, ashtu sikur gjithë këta përvjetorë vrasjesh të luftëtarëve të lirisë, të Jusufit a Kadriut, të Bardhoshit e kujtdo atdhetari në mërgim, të Rexhep Malës e Nuhiut, Bajram Bahtirit, Afrimit e Fahriut, të një vargimi të tërë herojsh në lavdinë e përpjekjes për liri.

Heronjtë dhe bien… dhe u ka hije rënja! Por, hije u ka ajo rënja në fushën e betejës, në përpjekje për çlirimin e vendit, në përpjekje për të vënë idealet atje ku i do amaneti i brezave, te çlirimi dhe bashkimi i Shqipërisë.

Rënjet e tila, sado të dhimbshme të jenë, ato gjithmonë janë të hijshme, atdheut ia shëndrisin Nurin, çështjes i hapin shtigje, pasusve u japin forcë dhe ua shtojnë besimin, i thirrin në prehrin e lavdisë. Por, kjo ka kuptim vetëm për vendin nën pushtim dhe jo për vendin e çliruar, për shtetin në bërje a të bërë, për shoqërinë e lirë!

Tashmë kemi hyrë në dekadën e tretë të bërjes së Kososvës së lirë. Më shumë se kaq nuk kemi çfarë t’i themi shtetit, më shumë se kaq nuk kemi çfarë t’i themi ndërgjegjes institucionale, më shumë se kaq nuk kemi çfarë ti themi moralit publik. Kosova është e tejngopur me vrasje enigmatike dhe këtë duhet ta ketë kuptuar Prokuroria, e cila bartë fajet e kësaj gjendjeje. Prokuroria  (mjerisht më duhet ti them e babëzitur) rri në detyrë dhe ia ha kohën e kokën Kosovës. Sikur prokuroria të ishte më kërkuese, të ishte më punëtore, të ishte më e përkushtuar, ne do kishim më pak vrasje të tilla, ne do kishim më pak humbje të mëdha, ne do kishim më pak dhimbje.

Një prokurori e zonja, së pari është një prokurori e pakapur nga koha, nga zhvillimet, nga paraja, nga krimi, nga politika. Një prokurori e pakapur tregon rezultate edhe në rrethana lufte, edhe në rrethana paqëndrushmërie shoqërore, po e po në rrethana pasçlirim, dhe vetëm nëse nuk do, ajo heshtë në rrethana të tilla çfare ne i jetojmë viteve të pas shpalljes së pavarësisë. Dhe çfarë është mosdashja? Jo më shumë se ndonjëra nga kapjet e lartcekura.

Të gjitha vrasjet që nuk u janë zbuluar aktorët, në veten e tyre bartin më shumë se vetëm dhimbjen. Ato e rëndojnë ndërgjegjen shoqërore me enigmën që bartin. Andaj, pa dashur t’i rangoj viktimat për nga rëndësia shoqërore, sepse në radhë të parë të gjitha janë së pari dhe njëjtë dhimbje familjare, edhe unë i bashkohem zërit qytetar me thirrjen e zbardhjes të të gjitha vrasjeve.

Po pse them se po futemi në muajin e thirrjes së ndërgjegjes për vrasjen e Qerim Kelmendit?

Është dy vjetori i vrasjes së tij dhe asgjë nuk duket në sfond. Edhe po të ishte një vrasje e një qytetari të zakonshëm në fatkeqësinë e tij gjendur në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar, prap se prap një dyvjeçar do të ishte më shumë se mjaftushëm kohë për t’u zbardhur rasti.

Qerimi nuk u vra në një tollovi rasti. Ai u vra në një pritë, dhe vrasja për vet faktin e makabritetit të ushtruar sikur donte atë kumt ta përcillte mesazh! Pra, kjo do të mjaftonte për ta alarmuar jo vetëm prokurorinë, por edhe tërë shtetin.

Qerimi ishte unikat jo vetëm për Pejën e tij. Nuk besoj të ketë pasur një të dytë sikur ai. Njeri pa ngarkesa, i çiltër deri në naivitet, i thjeshtë deri në sharllatanizëm, gazmor për njerëzit dhe rrugët e qytetit. Ai gjithçka e mbushte jetë, i bënte qytetin e fshatin të qeshnin. Njihej nga të gjithë padallim, nga pleqtë e deri te moshat krejt të njoma, fëmijët. E vetmja gjë që dinte dhe donte ta jipte ishte hareja. Dhe atë e fillonte kudo duke e vënë veten në mesin e lojës, të shpotitjes a të lazdrimit, sikur nuk nguronin ndosa ta quanin sjelljen e tij prej njeriu të lirë, të cilën vetëm ai dinte ta mishëronte në shfaqjen e tij reale. Për të teatër ishte jeta dhe atje e derdhte gjithë artin e dashurisë së tij për njerzit. Sikur ai, askush nuk ia shpalli hapur e me aq rrezatim, çdo ditë e çdo çast, dashurinë gruas së tij. Lazdrimin e yjeve ia zbriti të vizatuar vajzës së tij.

Për të gjithçka e kishte marrë vulën me 12 qershor 1999. Kishte ardhur liria. E la Zahirin, shokun e tij ta gëzonin të gjithë pa shkuar ndonjëherë ta mbante për gryke sa t’ia nxirrte shpirtin për ta zhvatur lavdinë. U kujdes të mos merrte lavdi nga njohja me komandantin legjendar, i mirëkuptoj ish shokët që ia kishin mësyer jetës publike. Asnjërit syresh nuk iu bë barrë as me paraqitje në skenat e tyre sfiladëse për t’ua vjelur qoftë edhe një përshëndetje të vetme. Me lavdinë ishte përshëndetur herët, që kur kishte kuptuar se luftës i duhen argatë dhe jo portrete, syreta sikur thoshte ai.

Kaq i thjeshtë sa ishte dhe pa pretendime për jetën publike ai po bënte jetën e një mohaniku të zakonit të tij, të të jetuarës së të sotmes me qytetin e tij, në të vetmin zanat që e kishte ndalur për veten e tij. Ai dhuronte hare.

Edhe këtu, në kaq pak sa i kërkoj jetës nuk e lanë. E vranë. E vranë dhe e dogjën!

Kush e vrau Qerimin? Kush e vrau Shpirtmadhin? Kush e vrau Demën. Kush ia vrau Gazmorin Pejës? Kush e vrau Harenë?

Kosova ka shumë dhimbje të tilla dhe pse kjo është e veçanta e saj, Peja më shumë se tepër!

Është pritur shumë nga qytetaria e shoqërisë, është prolonguar shumë nga prokuroria dhe organet e hetuesisë, është keqpërdorur shumë zhurmë nga politika. Rezultate nuk ka. Të paktën për publikun jo. Sot jemi në dekadën e tretë pas çlirimit të vendit dhe nuk duhet të ketë pranushmëri shoqërore e as institucionale për rezultate të munguara.

E di se rendi i prokurorisë do e donte që kjo thirrje të fillonte me Avdi Mujën e ai të pasohej nga të gjitha vrasjet tjera, por një prokurori që nuk bëri asgjë për t’u parë për 20 vite, vështirë se do ia dilte nga e kaluara të vinte drejt të sotmes.

Andaj, e reja e kohës, është vrasja e Qerim Kelmendit, dhe prokuroria duhet të filloi suksesin e saj nga këtu!

Qerim Kelmendi kërkon drejtësi, jo thjesht për veten e tij, por për gjithë karvanin e vrasjeve të pazbardhura. E di se po të ishte ai tani këtu pranë meje derisa po i shkruaj këto radhë, do ma prishte prioritetin e kërkesës. Ai do donte ta bëja gjithë listën e vrasjeve të pazbardhura dhe në fund do e harronte veten e tij. Por kësaj radhe unë po triumfoj mbi të dhe po e shtroi para prokurorisë pyetjen publike: Kush e vrau Qerim Kelmendin? Përse nuk ka akoma asgjë nga prokuroria? Pse heshtë shteti?

Lufta jonë çlirimtare nuk na e ka dhënë një të dytë si unikatin Qerim Kelmendi, të thjeshtë, jo tundues ndaj veseve, me virtytin e njeriut që i pranon realitetet sido që ato të vjnë, tërësisht të painteresuar për t’u etabluar në institucione, as si zhvatje në emër të luftës as në shpatullat profesionale të diplomës. Kjo sjellje prej karizmatiku popullor, i njëjtëzuar me secilin qytetar në halle, në kohështrirje e në hapsirën që bashkëndau si jetesë, i gatshëm ta ndante me hallegjiun burekun e lekun, e bëri atë ta dojë sfidën e prodhimit të haresë për secilin e kudo.

Kush e vrau Qerimin, e djeshmja e tij çlirimtare (armiqtë e çlirimit të vendit), e sotmja e tij; autoriteti që po i rritej në shtresat e qytetit ku tashmë e njihnin të gjithë padallim apo kreusit e mjegullës mediatike. Të tre këta faktorë mund të jenë vetëm mbules e dorës kriminale, derisa motivi do të dihet kur ptokuroria të dojë ta hetoj rastin dhe ta zbuloi autorin e vrasjes.