Vështrim/Analizë

Emrush Xhemajli: Boreli dhe Lajçaku përdorin për Kosovën fjalor neokolonial njësoj si Serbia

Shpesh fjalët që fliten, termat që përdorin diplomatët tregojnë se çka kanë ndërment të bëjnë ose të mos bëjnë.

Termi “normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë – Beodgrad”, që përmendin Boreli e Lajçaku, tregon se, jo vetëm nuk do të bëjnë asgje për Kosovën, por se angazhohen për qëllimet e Serbisë.

Termi “normalizim i marrëdhënieve” do të mund të përdorej për shtetet që kanë pasur marrëdhënie të mira, njohje reciproke normale, por që ndërkohë janë çrregulluar dhe bëhen përpjekje për sjelljen e këtyre raporteve në nivelin e mëparshëm të marrëdhënieve normale. Por, në rastin e Kosovës, të përdoret termi “normalizim i marrëdhënieve”, kur asnjëherë Kosova e Serbia këto marrëdhënie nuk i ka pasur asnjëherë , nuk ka kurrëfarë kuptimi, pos një kuptimi imagjinar. Them imagjinar, sepse Serbia ka konsideruar në mënyrë imagjinare se në vitet e sundimit të vet është duke pasur marrëdhënie normale me Kosovën, sepse për te ka qenë normal raporti pushtues i pushtuar!?

Edhe sot, Serbia, në raport me Kosovën, do të donte ta kthente pikërisht këtë lloj “normaliteti të marrëdhënieve”, madje edhe t’i njihet ndërkombëtarisht ky lloj raporti!? Këto pretendime ekspansioniste të saj dihen. Por, që ky koncept neokolonial: “normalizim i marrëdhënieve” Prishtinë Beograd, të përdoret nga ata, që e quajnë veten të paanshëm në bisedime, në këtë rast Borel e Lajçak, thjeshtë është i paparanueshëm.  Kosova ka nevojë për njohje reciproke. Kosova ka nevojë për marrëveshje paqeje e bashkëpunimi me Serbinë, ka nevojë për “traktat mossulmimi ushtarak”.  Kjo i shërben paqes.

Ndërsa, me të drejtë është thënë shpesh, se përdorimi i termit diplomatik  bisedimet “Kosovë – Serbi”, që do të shprehte barazi dhe reciprocitet, dhe përdorja në vend të tij i termit bisedimet “Prishtinë – Beograd”, shpreh pozicionin e Serbisë për të mos e njohur Kosovën”. Nuk janë duke biseduar kryeqytetet, por dy vendet. Por, kur bisedojnë dy vendet dhe nuk u përmendet emri, por përmenden kryeqytetet, në kohën kur vendet nuk janë njohur reciprokisht, atëhere është diçka tjetër. Kjo shpreh relacionet qendër, që në këtë rast u dashka të jetë Beogradi, dhe provincës së saj, që në këtë rast Serbia, dhe jo vetëm ajo, e konsideron Kosovën!?

Kështu ndodh, kur ndërmjetësimi bëhet nga ajo dhe nga ata që nuk të kanë njohur shtet dyfish, edhe si shtete të veçanta, nga vijnë këta funksionarë, por edhe si Bashkim Evropian. Keqardhje për angazhimin e çuditshëm të Borelit dhe Lajçakut.